Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shfarosja e familjes Al-Aweini, një nga mijëra provat e gjenocidit izraelit në...

Shfarosja e familjes Al-Aweini, një nga mijëra provat e gjenocidit izraelit në Gaza

Dëshmitë rrëqethëse të nënës që pa ekzekutimin e tre djemve të saj…

Një hetim i ri nga Monitori Euro-Med zbardh detajet e tmerrshme të një sulmi të qëllimshëm mbi civilët, duke dokumentuar vrasjet me snajper, pengimin e ndihmës mjekësore dhe torturat çnjerëzore ndaj të mbijetuarve.

Në shkurt 2024, Tahani Hamdan u bë dëshmitare e një tragjedie që tejkalon çdo imagjinatë njerëzore. E bllokuar brenda Kompleksit Mjekësor Nasser në Khan Younis, ajo u detyrua të shikonte trupat e pajetë të bijve të saj që dergjeshin në rrugë, vetëm pak metra larg spitalit.

Për katër ditë me radhë, përmes një vrime në mur, ajo vëzhgonte djemtë e saj, duke iu lutur Zotit që kafshët e rrugës të mos u afroheshin kufomave, ndërkohë që çdo tentativë për t’i tërhequr apo varrosur ishte e pamundur.

Ky rrëfim rrëqethës, është pjesë e një hetimi të hollësishëm nga organizata Euro-Med me seli në Gjenevë, i cili dokumenton shfarosjen e familjes Al-Aweini. Gjithçka nisi më 11 shkurt, kur një dron izraelit goditi shtëpinë e tyre pa asnjë paralajmërim, duke plagosur rëndë 29-vjeçarin Abdullah Al-Aweini.

Kur i ati, Ibrahimi, nxitoi për t’i ardhur në ndihmë, u shënjestrua sërish nga një dron kuadrokopter, i cili e qëlloi me municione fragmentuese duke e plagosur rëndë në kokë dhe në shpinë.

Në një përpjekje dëshpëruese për të shpëtuar vëllain e tyre të plagosur, Husami, Saadi dhe dy vëllezërit e tjerë u nisën drejt spitalit Nasser. Megjithatë, sapo iu afruan portës, snajperët izraelitë të pozicionuar në çatitë përreth hapën zjarr mbi ta.

Tre vëllezërit u qëlluan për vdekje dhe mbetën të shtrirë në rrugë, ndërsa stafi mjekësor dhe të afërmit u penguan me forcë që t’u afroheshin. Dëshmitarët konfirmuan se djemtë u qëlluan sërish ndërsa përpiqeshin të largoheshin duke ecur zvarrë.

Pas katër ditësh tmerri, ku nëna e tyre shikonte trupat që po dekompozoheshin në rrugë, forcat ushtarake izraelite urdhëruan evakuimin e spitalit përpara se të rrafshonin zonën me buldozerë. Ky veprim e bëri pothuajse të pamundur identifikimin e të viktimave.

Njëri prej djemve u varros me nxitim në një varr masiv, ndërsa fati dhe vendndodhja e dy trupave të tjerë mbetet ende një enigmë e dhimbshme për familjen që humbi gjithçka brenda pak ditësh.

Por vrasjet nuk shënuan fundin e krimeve. Ushtria izraelite bastisi shtëpinë dhe arrestoi babanë e plagosur së bashku me dy djemtë e mbijetuar, Hasanin dhe Enesin. Sipas dëshmive të mbledhura, të burgosurit iu nënshtruan torturave sistematike, duke përfshirë rrahjet brutale deri në thyerje kockash, uri dhe izolim.

Organizata Euro-Med ka dalë në përfundimin se shtëpia e familjes Al-Aweini ishte një objekt thjesht civil, pa asnjë prani ushtarake që do të justifikonte një sulm të tillë.

Ky rast cilësohet si një provë e pakundërshtueshme e “zonave të vrasjes” që ushtria izraelite ka krijuar në Gazë, ku çdo lëvizje e civilëve trajtohet si shënjestër vdekjeprurëse. Hetimi i është dërguar Gjykatës Ndërkombëtare Penale si një rast shembullor që dëshmon gjenocidin e ndodhur në Gaza. /tesheshi

Exit mobile version