Ballina Jeta Shëndetësi Depresioni nuk është vetëm “mërzi”: Çfarë e shkakton dhe pse shumë njerëz...

Depresioni nuk është vetëm “mërzi”: Çfarë e shkakton dhe pse shumë njerëz nuk i njohin simptoma

Depresioni është një përvojë komplekse dhe personale, ndaj shpesh nuk njihet me kohë. Edhe pse të gjithë kalojnë periudha trishtimi, humori të ulët ose zie, depresioni është diçka tjetër dhe mund të ndikojë në jetën e përditshme

Çrregullimi i madh depresiv është i vazhdueshëm, pengon aktivitetet e përditshme dhe mund të ndikojë në punë, në jetë dhe në marrëdhënie. Hulumtimet sugjerojnë se shumë njerëz që vuajnë nga depresioni në fakt nuk e njohin gjendjen e tyre, sepse simptomat nuk përshtaten me pamjen “klasike” të trishtimit të thellë.

Shumë faktorë të ndryshëm e shkaktojnë depresionin

Një studim i fundit thekson se depresioni shpesh shfaqet përmes ndryshimeve më të imta, fizike dhe njohëse, të cilat pacientët, madje edhe mjekët, shpesh i atribuojnë stresit, lodhjes ose plakjes. Shkencëtarët paralajmërojnë se përqendrimi vetëm te aspekti emocional i trishtimit mund të çojë në humbjen e diagnozës në kohë.

Një në pesë persona do të përjetojë depresion gjatë jetës. Gratë kanë pothuajse dy herë më shumë gjasa se burrat ta zhvillojnë. Por çfarë e shkakton? Specialistët thonë: shumë gjëra të ndryshme. Edhe pse ekzistojnë teori të ndryshme, dihet se kimia e trurit, gjenet, hormonet, stresi, stili i jetesës dhe tiparet e personalitetit mund të luajnë rol të rëndësishëm. Mënyra se si këta faktorë ndërveprojnë mund të ndryshojë nga një person te tjetri.

“Çekuilibri kimik” në tru

“Hipoteza e monoaminave” e depresionit u propozua më shumë se gjysmë shekulli më parë. Kjo teori sugjeron se shkaku bazë i depresionit është mungesa e disa kimikateve të trurit (ose neurotransmetuesve) të quajtur monoamina: serotonina, dopamina dhe norepinefrina.

Në bazë të kësaj u zhvilluan disa antidepresivë që veprojnë kryesisht duke rritur nivelet e monoaminave, si serotonina. Megjithatë, është bërë e qartë se shpjegimi i “çekuilibrit kimik” është një thjeshtim i tepruar. Hulumtimet nuk kanë gjetur prova të qëndrueshme se personat me depresion gjithmonë kanë nivele më të ulëta të serotoninës ose të ndonjë neurotransmetuesi të vetëm.

Edhe pse antidepresivët mund t’i rrisin nivelet e serotoninës brenda disa orësh, përmirësimi i humorit zakonisht kërkon ditë ose javë. Kjo vonesë sugjeron se depresioni nuk mund të shpjegohet vetëm me nivelet e neurotransmetuesve. Kuptimi i sotëm e njeh depresionin si një gjendje të ndërlikuar, e ndikuar nga faktorë të shumtë që ndërveprojnë, përfshirë gjenetikën, traumën, medikamentet, ushqimin, modelet e gjumit dhe ndërveprimet shoqërore.

Faktorët gjenetikë mund të rrisin rrezikun për zhvillimin e depresionit

Sipas studimeve, rreth 30 deri në 50 për qind e rrezikut që një person të zhvillojë depresion mund të jetë i trashëgueshëm. Edhe pse deri tani nuk është gjetur asnjë “gjen i depresionit”, studime të mëdha kanë identifikuar shumë shënues gjenetikë rreziku në kromozome. Mendohet se rreziku gjenetik për depresionin është gjithashtu “poligjenik”. Kjo do të thotë se shumë variante gjenetike (secila me efekt të vogël) ndërveprojnë dhe së bashku kontribuojnë në rrezikun gjenetik të një personi.

Një pyetje e rëndësishme kërkimore ka qenë nëse ka arsye gjenetike pse gratë janë më të prira se burrat të zhvillojnë depresion. Studime të mëdha kanë gjetur përputhje të konsiderueshme midis rrezikut gjenetik te burrat dhe te gratë. Megjithatë, mesatarisht, gratë me depresion zakonisht mbartin më shumë variante gjenetike që lidhen me depresionin. Kjo sugjeron se mund të ketë rrezik gjenetik më të lartë për depresion te gratë dhe ndoshta ndikim më të fortë të mjedisit në rrezikun e depresionit te burrat. Sidoqoftë, bartja e një rreziku gjenetik nuk do të thotë domosdoshmërisht se dikush do të zhvillojë depresion, sepse ndërveprimi midis faktorëve gjenetikë dhe jo-gjenetikë është i ndërlikuar.

Depresioni, hormonet dhe gjinia biologjike

Hormonet, lajmëtarë kimikë në trup, luajnë gjithashtu rol të rëndësishëm në humor dhe mirëqenie. Te gratë, nivelet e estrogjenit dhe progesteronit ndryshojnë natyrshëm gjatë fazave të ndryshme të jetës, përfshirë ciklin menstrual, shtatzëninë, periudhën pas lindjes dhe menopauzën. Disa gra janë më të ndjeshme ndaj këtyre ndryshimeve normale hormonale dhe më të cenueshme ndaj çrregullimeve të humorit.

Për shembull, në fazën para menstruacioneve, rreth 8 për qind e grave përjetojnë depresion të rëndë, me luhatje intensive humori dhe nervozizëm, gjë që quhet çrregullim disforik premenstrual. Po ashtu, ndryshimet e forta hormonale gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes (të kombinuara me mungesë gjumi dhe stres) mund të kontribuojnë në depresionin pas lindjes. Më vonë në jetë, nivelet e luhatshme dhe në rënie të estrogjenit gjatë viteve të tranzicionit të menopauzës lidhen gjithashtu me rritje të rrezikut për zhvillimin e simptomave depresive ose përkeqësimin e atyre ekzistuese.

Kontraceptivët hormonalë, që përmbajnë forma sintetike të estrogjenit dhe progesteronit, lidhen gjithashtu me ndryshime humori dhe simptoma depresive. Në fakt, këto janë ndër arsyet më të shpeshta pse gratë ndalojnë përdorimin e tyre. Këto gjetje tregojnë se si hormonet mund të veprojnë si nxitës biologjikë dhe ndihmojnë të shpjegohet pse gratë statistikisht janë më të prira ndaj depresionit në faza të caktuara të jetës.

Stresi është një faktor tjetër i rëndësishëm

Stresi kronik ose i përsëritur mund të ketë pasoja afatgjata si në tru, ashtu edhe në trup. Kur përjetojmë stres, trupi aktivizon boshtin hipotalamus–hipofizë–gjëndra mbiveshkore (HPA), i njohur edhe si “sistemi i përgjigjes ndaj stresit”. Kjo na ndihmon të përballemi duke ruajtur ekuilibrin në trup, atë që shkencëtarët e quajnë homeostazë fiziologjike.

Por kur stresi është i vazhdueshëm ose mbingarkues, ky sistem mund të çrregullohet. Përvojat stresuese ose traumatike në fëmijëri, si neglizhenca, abuzimi ose vështirësitë e rënda, gjithashtu mund ta prishin sistemin e përgjigjes ndaj stresit. Si rezultat, ne prodhojmë tepricë të hormonit të stresit, kortizolit. Nivelet e larta ose të vazhdueshme të kortizolit mund të ndryshojnë strukturën dhe funksionimin e zonave kyçe të trurit (hipokampusi dhe korteksi paraballor) që janë të rëndësishme për rregullimin e humorit dhe kujtesës.

Kortizoli mund të nxisë gjithashtu lirimin e substancave inflamatore, të cilat më pas kalojnë në tru ose ndikojnë sinjalet nervore, duke çuar në ndryshime humori dhe simptoma depresive. Specialistët theksojnë se është e rëndësishme, megjithatë, të kuptohet se jo të gjithë që përjetojnë ngjarje stresuese të jetës bëhen depresivë.

A ndikon personaliteti i njeriut në rrezikun e zhvillimit të depresionit?

Tiparet e personalitetit ndikojnë gjithashtu në mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj stresit dhe mund të ndikojnë në rrezikun e zhvillimit të depresionit. Njerëzit që janë të prirur ndaj ankthit, trishtimit dhe dyshimit në vete kanë më shumë gjasa të zhvillojnë simptoma depresive, veçanërisht pas ngjarjeve stresuese. Në të kundërt, tipare si qëndrueshmëria, optimizmi dhe stabiliteti emocional duket se mbrojnë nga depresioni. Kjo tregon se personaliteti luan rol të rëndësishëm në formësimin si të cenueshmërisë, ashtu edhe të qëndrueshmërisë ndaj depresionit.

Zgjedhjet e stilit të jetesës mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut. Kjo përfshin mos pirjen e duhanit, mosprirjen e alkoolit, ushqyerje të balancuar, aktivitet fizik, gjumë të mjaftueshëm, ruajtje të një peshe të shëndetshme trupore dhe mbështetje shoqërore. Hulumtimet tregojnë se këto zakone të shëndetshme dhe faktorë të stilit të jetesës mund të kenë efekt mbrojtës në shëndetin mendor. Madje mund të ulin ndikimin e faktorëve gjenetikë të rrezikut për depresionin.

Exit mobile version