Dokumente të reja të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, të lidhura me financierin e dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein, kanë ngjallur reagime pasi në to përmendet edhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, si dhe diskutime mbi Somalilandin dhe një marrëveshje financiare me grupin Rothschild.
Sipas raportimeve, një email që i atribuohet Epstein i referohet vizitës zyrtare të Modit në Izrael në vitin 2017, vizita e parë e një kryeministri indian në këtë vend. Në mesazh pretendohet se Modi kishte ndjekur këshillat e Epstein gjatë kësaj vizite. Autoritetet indiane i hodhën poshtë kategorikisht këto pretendime.
Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë theksoi se elementi i vetëm faktik është vizita zyrtare e dokumentuar e Modit në Izrael, ndërsa pjesa tjetër e mesazhit u cilësua si e pavërtetë dhe pa bazë. Zëdhënësi i ministrisë, Randhir Jaiswal, e përshkroi përmbajtjen si spekulime të pavlera nga një kriminel i dënuar, duke shtuar se nuk ka asnjë provë për ndonjë marrëdhënie këshillimore apo bashkëpunim mes Modit dhe Epstein.
Megjithatë, parti opozitare në Indi kanë kërkuar sqarime lidhur me këtë përmendje.
Dokumentet zbulojnë gjithashtu një marrëveshje të datës 5 tetor 2015, sipas së cilës Epstein, përmes kompanisë së tij Southern Trust Company Inc., kishte nënshkruar një kontratë prej 25 milionë dollarësh me Grupin Rothschild. Marrëveshja parashikonte ofrimin e shërbimeve për analizë rreziku dhe përdorimin e algoritmeve për Edmond de Rothschild Holding S.A.
Po ashtu, dokumentet tregojnë se Epstein dhe persona nga rrethi i tij kanë diskutuar për Somalilandin, territorin që ka shpallur njëanshëm pavarësinë në vitin 1991. Email-e nga vitet 2012–2018 flasin për mundësi investimi në eksport uji, shërbime financiare të lidhura me remitancat e diasporës dhe projekte kulturore si “Somaliwood Studios”.
Statusi i Somalilandit ka marrë vëmendje të re ndërkombëtare pasi Izraeli njoftoi në fund të vitit 2025 se e kishte njohur zyrtarisht këtë territor, veprim që u kritikua gjerësisht në rajon dhe më gjerë.
Jeffrey Epstein vdiq në gusht të vitit 2019 në një burg në Nju Jork, një muaj pasi ishte akuzuar për trafikim seksual. Më herët, ai kishte vuajtur dënim në Florida pasi ishte shpallur fajtor për shfrytëzim seksual të të miturve. /mesazhi
