Ne myslimanët, në të gjithë botën, prej të paktën një shekulli, kemi bërë përpjekje të shumta për të dëshmuar se jemi një popull paqësor, i drejtë, i përkushtuar ndaj të mirës dhe i larguar nga çdo formë padrejtësie – pa dallim kush është përballë nesh. Por megjithë këtë përpjekje të gjatë dhe të sinqertë, duket se ajo ka dështuar në përmbushjen e synimit: për të treguar një të vërtetë që është, në vetvete, kaq e qartë.
Intelektualët myslimanë u përpoqën ta artikulojnë këtë të vërtetë, por zëri i tyre u mbyt në zhurmën e madhe të shkrimeve të rreme, të mendimtarëve të rremë, mediave të orkestruara dhe historianëve të deformuar.
U përpoqën edhe biznesmenët, nëpërmjet modelit të tyre të punës, përkushtimit dhe bamirësisë. Por edhe përpjekja e tyre u mbyt në zhurmën e tregut dhe në imponimet strukturore të agjendave globale.
U përpoqën hoxhallarët, shejkhët, dhe ata që njiheshin si misionarët e dialogut dhe paqes. Por dhe ata dështuan, jo për mungesë përkushtimi, por sepse slogani nuk mund të mbulojë një realitet të shterpë dhe shpesh të manipuluar nga pas.
U përpoq edhe njeriu i thjeshtë, në tavolina, në rrjete sociale, në rrugica, në biseda të sinqerta, për t’i treguar botës se myslimanët janë paqësorë, punëtorë, të drejtë dhe njerëz që duan të mirën. Por edhe kjo përpjekje u zbeh, sepse koha moderne zbeh gjithçka që nuk ka reklame mediatike.
Ndoshta Zoti zgjodhi një popull për të mishëruar ato cilësi që janë shpërndarë mes të gjithë myslimanëve në botë – zgjodhi një popull tek i cili e drejta, e vërteta dhe e mira janë të rrënjosura në qelizën më të thellë të qenies së tyre.
Ndoshta Zoti i zgjodhi këta njerëz për t’i treguar botës atë që ne nuk arritëm ta tregojmë dot – jo pse nuk deshëm, por sepse nuk na u lejua, sepse nuk ishte e mundur në kushtet e imponuara.
A e keni parë popullin palestinez…?
Nëse shikon një grua palestineze, duket sikur sheh tërë historinë e njerëzimit të gdhendur në fytyrën e saj.
Nëse shikon një fëmijë palestinez, të duket sikur po sheh një histori që po shkruhet saktë – pasi për shumë kohë është deformuar.
Palestinezët janë ai popull që sot po na rishkruan historinë. Po ndriçojnë një të vërtetë që dy miliardë të tjerë nuk arritën ta ndriçojnë dot. Po i tregojnë botës atë që dy miliardë të tjerë nuk patën mundësi ta dëshmojnë. Po shpërfaqin një të vërtetë që as akademitë më të mëdha të botës nuk arritën ta shpalosin. Po shkruajnë një histori që të gjitha katedrat e universiteteve nuk arritën kurrë ta përmbledhin dot.
——
Përtej dhimbjes që ne ndjejmë, ato janë dëshmorët e lirë të njerëzimit….🇵🇸
Hoxhë Vladimir Kera
