Kur shpërthen një krim i përmasave të çështjes “Jeffrey Epstein”, dhe kur rreth tre milionë dokumente sekrete bëhen publike, nuk është e drejtë që skandali të mbajë vetëm emrin e tij. Çështja tejkalon individët e përfshirë drejtpërdrejt dhe shtrihet në institucione shkencore, politike dhe kulturore perëndimore, madje edhe në oborre mbretërore evropiane. Rreziku i saj nuk kufizohet vetëm te viktimat, por shkon më tej: te vetë struktura morale që pretendon se i garanton mbrojtje shoqërisë.
Kjo që mund të quhet me të drejtë “skandali i qytetërimit perëndimor” ngre pyetje themelore:
A kemi të bëjmë me fytyrën e fshehur të një sistemi thelbësisht joetik, apo po përballemi me një transformim historik të vetë nocionit të moralit?
● Krimi sistemik dhe dështimi i mbikëqyrjes
“Bomba” e quajtur skandali Epstein zbulon qindra, ndoshta mijëra krime seksuale të kryera për vite me radhë nën vëzhgimin e heshtur të institucioneve mbikëqyrëse dhe gjyqësore. Pyetja kryesore nuk është vetëm çfarë ndodhi, por si ishte e mundur që kjo të vazhdonte kaq gjatë brenda një sistemi që pretendon epërsi morale.
● Premisat filozofike të moralit modern perëndimor
Projekti modern perëndimor iu paraqit botës fillimisht si projekt moral, e vetëm më pas si projekt teknik. Në qendër të tij qëndronte ideja se njeriu është masa e vlerës.
John Locke artikuloi idenë e të drejtave natyrore që paraprijnë pushtetin dhe e shihte shtetin si garant të lirisë individuale (Two Treatises of Government).
Immanuel Kant e ngriti dinjitetin njerëzor në parim absolut, duke pohuar se njeriu është qëllim në vetvete dhe jo mjet (Grundlegung zur Metaphysik der Sitten).
John Stuart Mill e konsideroi lirinë kusht për lulëzimin e së vërtetës (On Liberty).
Nga kjo trashëgimi filozofike u ndërtua narrativa e një rendi moral të bazuar në transparencë, sundim ligji dhe aftësi për vetëkorrigjim.
● Nga premtimi moral te shembja historike
Ky premtim u rrëzua shpejt. Luftërat botërore, totalitarizmat dhe më pas Lufta e Ftohtë ekspozuan kontradiktën mes diskursit të vlerave dhe praktikës së pushtetit. Me fundin e Luftës së Ftohtë, neoliberalizmi intensifikoi ndikimin e kapitalit dhe zbehu rolin moral të shtetit, duke e bërë kufirin mes asaj që është e dobishme dhe asaj që është e drejtë gjithnjë e më të paqartë.
● Aleanca e kapitalit me dijen
Që nga Francis Bacon dhe formula e tij e famshme “knowledge is power”, dija fitoi një autoritet moral pothuajse absolut. Universitetet, laboratorët dhe qendrat kërkimore u perceptuan jo vetëm si prodhues të së vërtetës, por edhe si burime legjitimiteti etik.
Problemi nuk ishte prania e kapitalit pranë dijes, por transformimi i “mbështetjes” financiare në mjet pastrimi moral dhe prestigji simbolik. Siç thekson Pierre Bourdieu, kapitali simbolik ka fuqinë ta shndërrojë dominimin në pranim shoqëror (La domination masculine).
Në këtë kontekst, etika nuk shërben më për kritikë, por për zbukurim të pushtetit.
● Heshtja si sjellje racionale
Skandali Epstein nuk zbuloi vetëm krime, por edhe heshtjen kolektive. Pyetja nuk është pse disa individë heshtën, por si heshtja u bë e kuptueshme dhe “racionale” brenda një sistemi që deklaron mbrojtjen e vlerave. Kjo ndodh kur morali reduktohet në funksion dekorativ.
● Nga shoku moral te kriza e narrativës
Goditja më e fortë e çështjes Epstein nuk ishte thjesht etike, por narrative. Publiku perëndimor, i ushqyer me idenë se sistemi korrigjon vetveten, u përball me fakte që nuk përputheshin me historinë që kishte besuar.
Paul Ricoeur shpjegon se shoqëritë kanë nevojë për “rrëfime të besueshme” për të ruajtur identitetin moral (Temps et récit). Kur këto rrëfime dështojnë, kriza shndërrohet në krizë besimi.
Komentet në media si The New York Times dhe The Guardian e përshkruan këtë situatë si një dështim sistemik, ku drejtësia ekziston si procedurë, por jo më si siguri morale.
● Skepticizmi si gjendje kulturore
Sipas Zygmunt Bauman, moderniteti i vonë prodhon pasiguri morale, ku normat mbeten formalisht, por besimi në drejtësinë e tyre tretet (Liquid Modernity). Kështu, skandali nuk përjetohet më si përjashtim, por si simptomë.
Hannah Arendt paralajmëronte se rreziku më i madh nuk është gënjeshtra, por indiferenca ndaj së vërtetës (Truth and Politics).
● Kur vlerat i shërbejnë kapitalit
Kritika e Horkheimer dhe Adorno në Dialektik der Aufklärung shpjegon se racionaliteti modern mund të shndërrohet në instrument dominimi. Michel Foucault shton se pushteti modern funksionon përmes diskurseve “humanitare” që menaxhojnë kontradiktat pa i zgjidhur ato.
Jürgen Habermas paralajmëron për “kolonizimin e botës së jetës” nga sistemi ekonomik dhe administrativ (The Theory of Communicative Action).
Në këtë kuadër, vlerat nuk zhduken, por neutralizohen.
● Moderniteti: zgjidhje apo krizë?
Skandali Epstein nuk duhet lexuar si devijim rastësor nga një modernitet i shëndoshë, por si realizim i paralajmërimeve filozofike. Ajo që u shemb nuk ishte morali në vetvete, por besimi se morali mund të mbijetojë kur administrohet nga pushteti dhe kapitali.
Diskursi i epërsisë morale sot shërben më shumë si mekanizëm mbrojtës sesa si mjet korrigjimi. Dhe pikërisht këtu, skepticizmi publik nuk është më reagim emocional, por qëndrim kritik i vetëdijshëm ndaj modernitetit.
Burimi: https://www.aljazeera.net
Hoxhë Halil Avdulli
