Nacionalistja e ashpër, Marine Le Pen, nuk fitoi të dielën. Por ajo bëri një hap tjetër më afër – duke rrëmbyer një lloj fitoreje nga humbja e saj ndaj presidentit të rizgjedhur, Emmanuel Macron.
Me 41.5 për qind të votave të balotazhit, përkrahje e pashembullt për të, politika e pakënaqësisë kundër të huajve dhe antisistemit e Le Penit, është tashmë më e rrënjosur se kurrë në psikikën, mendimin dhe peizazhin politik të Francës, vlerëson agjencia e lajmeve, AP, pas rizgjedhjes së centristit Emmanuel Macron, me mbështetje të francezëve që e votuan për t’ia pamundësuar Le Penit ardhjen në krye të republikës franceze.
Gazeta “Liberation” ia ka kushtuar ballinën fitores së Macronit me një titull të pazakonshëm. Në numrin e parë pas rizgjedhjes, gazeta majtiste e ka pyetur presidentin: “Rizgjidhet Macroni: Falë kujt?”
Macroni ka thënë një “faleminderit” të thjeshtë pas rizgjedhjes për pesë vjet të tjera. Ai ka lavdëruar ata që e votuan për ta ndëshkuar rivalen e së djathtës ekstreme. Presidenti centrist nuk i ka përmendur në fjalim edhe votuesit e së majtës ekstreme dhe liderin e tyre, Jean-Luc Melenchon, i cili u kishte bërë thirrje mbështetësve të mos lejonin Le Penin të fitonte zgjedhjet.
Ndërkombëtarisht, Le Peni donte të fillonte zbehjen e marrëdhënieve të Francës me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Gjermaninë fqinje – lëvizje që do të kishin qenë sizmike për arkitekturën e paqes në Evropë, në mes të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Me pak fjalë, Franca i shpëtoi një elektroshoku politik, social dhe ekonomik duke mos votuar për Le Penin.
Liderët evropianë menjëherë pas publikimit të rezultateve të projeksioneve të para, janë ngutur të uronin Macronin pro-BE-së për fitoren në zgjedhjet që u konsideruan referendum jo vetëm për të ardhmen e Francës, por edhe të Bashkimit Evropian.
Dhe megjithëse Macroni u bë presidenti i parë francez në 20 vjet që fitoi mandatin e dytë, gjithashtu ka dështuar: Nuk arriti të jetësojë qëllimin që i vuri vetes në fillim të presidencës së tij.
Pesë vjet më parë, në fjalimin e tij triumfues, Macroni u zotua se me politikat e tij do të ulte mbështetjen popullore për të djathtën ekstreme.
Megjithatë, ekstremet e Francës tani po ecin më mirë se kurrë, duke gjetur audiencë në rritje, entuziaste dhe krejtësisht të paturpshme për retorikën e ekstremit të djathtë “ne kundër atyre”. /koha
