Fëmijët në Rripin e Gazës po përballen me kequshqyerje ekstreme dhe mungesë trajtimi mjekësor, ndërsa bllokada izraelite vazhdon të pengojë furnizimet bazë.
Jashtë spitalit Al-Aqsa në Deir el-Balah, Al Jazeera foli me Fadi Ahmed, i cili sapo kishte humbur djalin e tij për shkak të kequshqyerjes.
“Djalin e dërguam në spitalin Al-Aqsa, ku mjekët zbuluan infeksione masive në mushkëritë e tij, të cilat çuan në mungesë të rëndë oksigjeni në gjak,” tha ai. “Dobësia ekstreme dhe kequshqyerja e pamundësuan trupin e tij të luftonte… dhe pas një jave në spital, ai ndërroi jetë.”
Edhe Intisar Hamdan ndau dhimbjen e saj jashtë të njëjtit spital. Ajo kishte humbur nipin e saj për shkak të të njëjtit shkak tragjik. Djali i saj nuk kishte gjetur dot qumësht për foshnjën për tre ditë, dhe pa mundësi për trajtim, fëmija ndërroi jetë në krahët e gjyshes së tij.
Tareq Abu Azzoum, korrespondent i Al Jazeera, raportoi:
“Kjo është realiteti i errët dhe tronditës që vjen si pasojë e mbylljes së vazhdueshme të pikave kufitare nga Izraeli, që ka lënë familjet të pambrojtura ndaj një krize humanitare ekstreme. Fëmijët nuk po vuajnë vetëm nga kequshqyerja, por edhe nga sëmundje serioze që kërkojnë trajtim dhe medikamente, të cilat mungojnë thuajse plotësisht.”
