Protesta në Tiranë e organizuar për Gazën, ku mori pjesë edhe Greta Thunberg, ngre disa pyetje serioze, jo vetëm për Tiranën por për gjithë gjeografitë me shumicë myslimane.
Protesta në Tiranë, sado që jo e përkrahur, ishte një mrekulli dhe e shpëtoi atë pak fytyrë tonën, për t’i treguar vetes dhe botës se edhe ne ekzistojmë dhe akoma nuk e kemi vrarë tërësisht indin njerëzor dhe të jemi krejt të papërfillshëm ndaj krimeve kundër njerëzimit.
Titulli më lartë, është shumë pretendues dhe kërkon trajtim më serioz, por i motivuar nga protesta në Tiranë, tek unë ngre pyetje shumë serioze në raport me fenë dhe teologjinë islame, autoritetin e elitës dhe klerikëve fetar si dhe lëkundjen e fuqishme të autenticitetit të këtyre dijeve, kur ato po bjerren brenda autoritetit politik, për të paktën një shekull.
Pyetja është kjo: gjersa ne e mbushim sheshin Skënderbe, me mijëra e mijëra për bajrame dhe nuk për protestën e Gazës nuk dalin as 100 veta? A do të thotë kjo se myslimanët janë veç fetar performativ sezonal, apo dijet dhe botëkuptimi për njerëzoren, sublimen dhe etikën janë përbrendësime të përkohshme koninkturale? Cili pushtet i dijeve formëson sot dijet fetare dhe a janë relative këto dije?
Le ta trajtojmë edhe pak më gjerë këtë temë. Izraeli gjegjësisht, Palestina rrethohen nga një gjeografi mijëra vjeçare me prezencë myslimane, bile njëqind vjet më pas, mund të vërejmë se pas Sykes-Picot, të ashtuquajturën Lindje e Mesme, e ndajnë anëtarët e një familjeje të Arabisë Saudite. Pyetja krejt e thjeshtë dhe naive që shtrohet është, se, a nuk ka fare ama bash fare vullnet diplomatik që uria dhe vrasjet në Gaza të ndalen nga autoritetet politike në këto shtete? Nëse autoritetet politike s’kanë vullnet, ku është roli i klerit fetar për të bërë presionin politik, që në emër të ummetit mysliman të solidarizohen me Gazan? Nëse s’është kleri fetar, ku janë besimtarët atëherë, pse ata nuk i bëjnë presion klerit? A nuk porositë Islami për të vërtetën që i duhet thënë diktatorëve në sy?
Gaza lëre që ka shpërfaqur hipokrizinë e moralit kolektiv, tashmë të ditur, të globit, ajo po lëkund fort autoritetin dhe autenticitetin e dijeve fetare. E gjitha kjo nxjerr një çështje tepër problematike, riqshqyrtimin e dijeve fetare dhe raportin e tyre me pushtetin ose thënë ndryshe myslimanët sot a ndjekin zotët e pushteteve politike apo zotin e librit të tyre?
Në pamundësi për t’iu përgjigjur pyetjeve më lart, sepse janë tejet të rënda për mua dhe lypin një ekspertizë dhe lexime thukta, këtë shkrim po e mbaroj me një falënderim.
Të gjithë ju që protestuat në Tiranë, ju jeni krenaria e këtij vendi dhe përfundimisht dëshmuat se, qoftë edhe për një pakicë të vogël, njeriu vazhdon të mbetet ideali më i madh njerëzor!
