Ballina Kuzhinë Gjoks pule me djathë dhe domate në furrë

Gjoks pule me djathë dhe domate në furrë

Përbërësit për 4 persona: 500 g gjoks pule, 300 g salcë domatesh – jo me copa, 150 g djathë Mozzarella, 1 qepë e vogël, pak miell, gjethe borziloku, kripë e piper sipas nevojës, vaj ulliri, 1 garuzhdë ujë të valuar, një grusht djathë Parmigiano i grirë ose djathë tjetër.

Përgatitja: Në fillim, përgatitim salcën: në një tenxhere të vogël me 2-3 lugë vaj ulliri, skuqim qepën të grirë hollë, për pak minuta, derisa të bëhet transparente. Shtojmë salcën, i hedhim pak kripë dhe një garuzhdë ujë të valuar. I vëmë kapakun dhe e lëmë të ziejë në flakë të ulët për 20 minuta, duke e përzier herë pas here. Ndërkohë, përgatitim mishin: gjoksin e pulës e presim në rripa me trashësi 1 cm dhe gjatësi rreth 5 cm. I lyejmë me miell, i skuqim në një tigan me pak vaj ulliri, në flakë të lartë, për 3-4 minuta, duke i përzier vazhdimisht me lugë druri që të mos digjen. Kur të kenë marrë ngjyrë të artë, i spërkasim me pak kripë, u shtojmë sipër salcën, i lëmë në zjarr edhe për 2 minuta dhe më pas e heqim tiganin nga zjarri. Shtojmë djathin Mozzarella të prerë në kubikë, gjethe borziloku të copëtuara me dorë, pak piper dhe i përziejmë me lugë druri. Hedhim mishin në një tavë të lyer me pak vaj ulliri, shpërndajmë sipër djathin e grirë dhe e pjekim me funksionin grilë për 8-10 minuta në furrën e ngrohur më parë në temperaturën 240° C derisa të krijojë kore në sipërfaqe. E shërbejmë menjëherë.

Exit mobile version