E filloj këtë temë duke e lutur të Madhin Zot të na i hap rrugët e njohjes të së vërtetës sepse me të vërtetë është vetëm Ai (Zoti) i cili e udhëzon robin e vet.
Krijuesi Suprem edhe ujin edhe ajrin edhe tokën në të cilën ecim iu jep të gjithëve, por imanin dhe përuljen ndaj Tij iu jep vetëm atyre që Ai i do.
Ne jemi të krijuar me një qëllim në këtë botë që ta jetojmë fenë tonë në mënyrë praktike e jo vetëm teorike. Nuk mjafton vetëm t’i përkasësh një religjioni (feje), por atë e konkretizojmë atëherë kur atë e praktikojmë në jetën tonë.
Mendja e shëndoshë menjëherë pas njohjes teorike ndjek qëllimin praktik.
Kështu është edhe me mbulesën. Mbulesa është një reflektim i mendimeve tona ajo që ne mendojmë, ndiejmë dhe ashtu siç dëshirojmë të sillemi. Kjo është lirija jonë, jeta jonë, e drejta e jonë, identiteti jonë dhe njëkohësisht është kodi i imanit tonë.
Që të jemi ambasadore të së vërtetës duhet ta kemi qëllimin ta arrijmë knaqësinë e Atij i cili e zbriti të vërtetën dhe na i dha të gjitha këto begati dhe të mira që na rrethojnë.
Femra në islam është më e vlefshme se sa dijamanti. Islami atë e çmon dhe e ngrit në piedestalin më të lartë moral.
Është bukur të jesh në islam, është edhe më bukur të jesh me iman, por është edhe shumë më bukur të jesh me hixhab.
Femra me mbulesën e bukur islame është 24 orë e përulur nda Krijuesit të Gjithësisë, 24 orë ka shpërblime nga i Madhi Zot.
Mbulesa ka qenë vendimi im. Kam vendosur ta mbaj mbulesën e bukur islame me vetëdëshirë dhe me vetëzgjedhje. Kjo është diçka që më ka sjellë mua liri më ka privilegjuar dhe ndërtuar në shumë aspekte jetësore. Mbulesa asnjëherë nuk më ka penguar në jetën time sepse unë mbulesën e kam përjetuar dhe e përjetoj si pjesë të jetës sime. Është identiteti im është kënaqësia dhe krenaria ime.
Ndjenja për mbulesën më është lajmëruar në moshën e hershme të rinisë. Duke e pasur parasysh nevojën e përmbushjes shpirtërore. Ashtu sikur që e ushqejmë trurin me dituri, trupin me ushqim dhe pije edhe shpirti ka nevojë për ushqim e i tillë është besimi për shpirtin.
Megjithatë qysh në moshën 15 vjeçare isha në dijeni se jemi të obliguar me faljen e namazit, agjërimin e ramazanit dhe se femra është e obliguar t’u përmbahet urdhrave të Allahu xh.sh. Mendimi që më së tepërmi më ka munduar dhe shqetësuar ishte se çka do t’i them unë Allahu xh.sh., mbasi që i lexova dhe i kuptova ajetet që flasin për mbulesën që kërkohet nga femra myslimane.
Pse nuk e kam vendosur? Nuk kam mundur të vij deri te përgjigjja. Dhe kështu kam filluar bisedat me prindërit e mi rreth kësaj teme. Edhe pse një vajzë shumë e re mendonin se si do të më pranojë shoqëria dhe rrethi duke e pasur parasysh se isha vajza e parë shqiptare me shami në qytetin tim.
Mbajtja e hixhabit zgjon ndenjën e kënaqësisë, përmbushjes dhe mbrojtjes.
Ditë e bukur xhumaje në muajin e përzgjedhur të ramazanit unë vendosa mbulesën e bukur islame. Të gjithë ma përhajruan mbulesen. Më kujtohet shumë mirë kur babi dhe nëna shumë më përqafuan dhe më përshpëritën: Për hajr bija jonë kjo veshje e bukur, ti vazhdo rrugën e drejtë me plot krenari. Jemi krenarë për këtë vepër kaq madhështore që veprove.
Për mua ishte momenti, dita, java dhe muaji me një rëndësi të posaçme.
Kam hasur edhe të atillë të cilët e pëlqenin dhe e përkrahnin këtë veprim, por edhe të atillë të cilët mendonin ndryshe.
Të gjitha ato ide dhe mendime pa fakte janë paragjykime.
Paragjykimet vijnë si rezulltat i shumë informacioneve dhe pak dije.
Jam shumë e bindur se rruga me një qëllimi të sinqertë të çon drejt suksesit, përparimit dhe mbarësisë.
Shamia nuk është pengesë por inspirim, nuk është zili por dashuri, nuk është hidhërim por gëzim, nuk është prapambeturi por avancim.
Hixhabi për mua ështe diçka më shumë se një copë material në kokë. Hixhabi është identiteti im dhe mendoj se ajo është e drejtë e imja. Hixhabi im është stili im, paqja ime, dëlirësija ime dhe pastërtia ime.
Nga: Sahiba Goga Daciq, Ulqin 2022
