Ballina Artikuj Hixhreti – plan strategjik dhe integrim

Hixhreti – plan strategjik dhe integrim

Fillimi i vitit të ri të kalendarit hixhri, për të gjithë muslimanët anembanë botës shënon një ngjarje shumë të rëndësishme, pikërisht hixhretin e Profetit (a.s) nga Meka për në Medine. Përzgjedhja e muajit Muharrem si muaji i parë i kalendarit hixhri është bërë në kohën kur halif i muslimanëve ka qenë Omeri (r.a). Përzgjedhja nuk ishte krej e rastësishme, por pas shumë diskutimesh, sahabët ranë dakord që fillimi i vitit të ri hënor të përkonte me një ngjarje të rëndësishme, siç është hixhreti i Profetit (a.s) nga Meka për në Medine. U përzgjodh hixhreti, sepse në historinë islame ai shënon ndryshimin e fazës së re që do të vinte, atë të thirrjes islame.

Hixhreti i Profetit (a.s) nga Meka për në Medine nuk ishte thjesht një ide e momentit, apo e rastësishme. Përkundrazi ai ka qenë një plan strategjik i hartuar në mënyrë të përsosur nga ana e Profetit (a.s). Ai ishte një plan afatgjatë i hartuar nga Profeti (a.s) qysh para 10 – të vitesh, gjatë kohës kur ishte në Mekë.

Plani strategjik:

Ashtu siç e cekëm dhe më lart, plani për të bërë hixhret ka filluar më parë, pikërisht në atë kohë kur Profeti (a.s) dërgoi një grup sahabësh në Abisini, tek Nexhashiu, tek mbreti që nuk i bëhej askujt padrejtësi. Dërgimi i këtij grupi të sahabëve në Abisini, nuk ishte thjesht që ky grup të shpëtonte nga persekutimet e kurejshëve, por mbi të gjitha ishte një plan strategjik, për t’i paraprirë çdo të papriture që mund të ndodhte. Nëse në Mekë, kurejshët (pabesimtarët) do të ndërmerrnin hapa për shfarosjen e thirrjes islame nga rrënjët, atëherë këtij grupi sahabësh të cilët ishin vendosur në Abisini i dilte për detyrë që të mbante gjallë thirrjen islame. Kjo e parë në një aspekt.

Aspekti tjetër është se në Jethrib – kështu quhej qyteti i Medines asokohe – Profeti (a.s) arrinti të përgatiste terrenin e përshtatshëm, nëpërmjet marrveshjve që kishte bërë me banorët e Medinës në Beslidhjen e Parë dhe të Dytë të Akabesë. Kështu Profeti (a.s) filloi t’i nxisë shokët e tij që të emigronin për në Medine, sepse Medina ishte një vend i sigurtë për vazhdimsinë e thirrjes islame.

Të gjithë sahabët iu bindën urdhrit të Profetit (a.s) për të emigruar për në Medine. Të fundit që ngelën ishin Profeti (a.s), Ebu Bekri (r.a) dhe Aliu (r.a). Më parë, Profeti (a.s) i pat thënë Ebu Bekrit (a.s) që të bënte gati dy deve për udhëtimin e mundishëm që i priste. Ebu Bekri (r.a) i mori të dy devetë dhe filloi t’i ushqente dhe të kujdesej për to, por pa rënë në sy. Banorët e Mekës, i kishin lënë në dorën e Profetit (a.s) amanetet e tyre, por duke qenë se Profeti (a.s) do të emigronte për në Medine, tashmë atij (a.s) i lipsej që t’ua kthente amanetet të zotëve të tyre. Këtë mision të rëndësishëm, Profeti (a.s) ia ngarkoi, djalit të xhaxhait, Ali ibn Ebi Talibit. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe, në mënyrë krejt të natyrshme, pa tërhequr vëmendjen e askujt, Profeti (a.s) vetëm planifikonte për mënyrën e udhëtimit.

Për të shkuar në Medine duhej një udhërrëfyes. Udhërrëfyesi që zgjodhi Profeti (a.s) ishte një njeri që nuk ishte nga Meka, që nuk ishte i interesuar për konfliktin që ndodhte midis Muhamedit (a.s) dhe Kurejshëve. Shërbëtori i Ebu Bekrit (r.a), Amir ibn Fuhejra u ngarkua me një mision, ai kalonte me delet e tij në rrugën që kishte përshkruar Profeti (a.s) bashkë me Ebu Bekrin (r.a) për të zhdukur gjurmët. Esmaja (r.a), e bija e Ebu Bekrit, kishte për detyrë që të përgatiste për çdo ditë ushqimin, kurse Abdullahu (r.a), biri i Ebu Bekrit (r.a) kishte për detyrë që për çdo ditë të përcillte lajmet për atë që po ndodhte në Mekë. Po ashtu kur Profeti (a.s) u nis për në Medine, nuk u nis nga rruga e zakonshme, por zgjiodhi një rrugë tjetër me qëllim që t’i ngatërronte kurejshët.

Kështu pra, çdo gjë ishte organizuar dhe hartuar në një mënyrë perfekte, jo për një ditë, por disa muaj më përpara.

Integrim social:

Nëse ti kërkon azil politik tek një shtet tjetër, për shkak se përndiqesh nga shteti yt, mos kujto se kjo është një çështje e lehtë, përkundrazi ka një sërë proçedurash që e vështirësojnë kalimin tënd nga shteti në shtet. Kjo në rang individi, e vështirësia është akoma më e madhe është kur ata të cilët kërkojnë azil janë një grup njerëzish dhe akoma më e madhe kur kemi të bëjmë me një eksod masiv. Vështirësia shtohet akoma më tepër kur shteti tek i cili kërkon azil politik është një shtet i dobët politikisht, ekonomikisht e ushtarakisht.

Jethribi (Medina) ishte një qytet modest dhe as që mund të krahasohej me fuqinë politike, ushtarake dhe ekonomike të Mekës. Banorët e saj merreshin merreshin me bujqësi, ç’ka nënkupton fuqinë e vogël ekonokike të tyre. Dhe sikur mos të mjaftonte kjo, midis tyre kishte konflikte të përhershme që përfundonin deri në gjakderdhje. Nga njëra anë ishin dy fiset Eus dhe Hazrexh që ishin në konflikt të ashpër me njëra – tjetrën prej vitesh me rradhë dhe nga ana tjetër ishin hebrenjtë që ishin në konflikt të përhershëm me arabët, banorët e Medinës. Kështu pra situata politike në Medine ishte paqëndrueshme dhe mund të shpërthente nga momenti në moment.

Tani le të imagjinojmë së bashku se sa do të rëndohet situata e Jethribit, ku në të pritet ardhja e një eksodi nga banorët e Mekës, të cilët nuk kanë para, shtëpi ku të strehohen dhe mbi të gjitha nuk ishin as bujqër. Padyshim që të gjitha këto vështirësi, Profeti (a.s) i kishte marrë në konsideratë, prandaj edhe e kishte gjetur zgjidhjen e duhur.

Banorët e Jethribit (ensarët) i kishin dhënë besën Profetit (a.s) se do ta mbronin dhe përkrahnin Profetin (a.s), fenë islame dhe ithtarët e saj me mish dhe me shpirt. Sakaq ata ishin të vetëdijshëm për atë që i priste, të vetëdijshëm për situatën e vështirë ekonomike, për armiqsinë midis dy fiseve Eus dhe Hazrexh, për urrejtjen që hebrenjtë kishin për ta, për armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Por pavërësisht të gjitha këtyre vështirësive ata e dhanë fjalën dhe besën. Kështu që kur Profeti (a.s) u bind plotësisht, vendosi që të emigronte bashkë me shokët e tij në Medine, për të ndërmarrë një hap jashtëzonisht të madh për të ruajtur stabilitetin në Medine, që ishte

Vëllazërimi midis Muhaxhirëve dhe Ensarëve, një ngjarje e papërsëritshme në të gjithë historinë e njerëzimit. Ky hap i ndërmarrë nga Profeti (a.s) ishte një zgjidhje e domosdoshme për të stabilizuar themelet e shtetit të ri që po krijohej. Historia dëshmon se vëllazërimi midis Muhaxhirëve dhe Ensarëve, të cilin arriti të bënte Profeti (a.s), solli atë që në gjuhën e sotme quhet integrimi social midis dy shtresave të ndryshme të shoqërisë. /ao

Exit mobile version