Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Hoxha: Dhuna politike është sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë

Hoxha: Dhuna politike është sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka deklaruar se ekstremizmi politik dhe përdorimi i dhunës për arritjen e objektivave politike përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë demokracisë, si dhe ka theksuar se në një shoqëri demokratike nuk ka vend dhe as justifikim për dhunën si mjet politik, transmeton Anadolu.

Në një postim në rrjetin social amerikan X pas pjesëmarrjes në konferencën ministrore me temë “Ringjallja e terrorizmit politik”, të organizuar në Washington nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Hoxha njoftoi se Shqipëria u përfaqësua në takim së bashku me përfaqësues nga më shumë se 60 vende.

Ai theksoi se përvoja historike e Shqipërisë e bën vendin të vetëdijshëm për rëndësinë e mbrojtjes së demokracisë.

“Dikur një diktaturë brutale komuniste, që jetonte në një botë pa dritë dhe pa shpresë, sot një demokraci e vendosur, një aleate e përkushtuar e NATO-s, një kandidate për t’u bashkuar së shpejti me BE-në dhe një partnere e ngushtë e SHBA-së, ne në Shqipëri e dimë çmimin e lirisë dhe rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike të fituara me mund”, shkroi Hoxha.

Kryediplomati shqiptar bëri thirrje për forcimin e qëndrueshmërisë demokratike, kundërshtimin e manipulimit dhe ndërhyrjeve të huaja në fushën e informacionit, përballjen me kërcënimet e sponsorizuara nga shtetet, përfshirë sulmet kibernetike keqdashëse, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Më tej, Hoxha tha se Shqipëria ka përballuar sulme të vazhdueshme kibernetike dhe hibride nga Irani, duke zhvilluar kapacitete dhe qëndrueshmëri të konsiderueshme në këtë fushë, ndërsa theksoi se vigjilenca dhe investimet duhet të vazhdojnë.

Sipas tij, bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm, pasi në një botë të ndërlidhur asnjë vend nuk është i imunizuar ndaj kërcënimeve.

“Demokracitë flasin të njëjtën gjuhë. Prandaj, ato duhet të bashkëpunojnë më ngushtë, të ndajnë informacione, të shkëmbejnë praktikat më të mira dhe të mobilizojnë të gjitha mjetet e disponueshme për të adresuar sfidat e përbashkëta që kërcënojnë sigurinë tonë, institucionet tona dhe mënyrën tonë demokratike të jetesës”, tha Hoxha.

Exit mobile version