Një burrë ka humbur krahët dhe këmbët për shkak të një infeksioni të rrallë të marrë nga pështymja e qenit të tij, por vendos të mos ndahet nga kafsha e tij.
49-vjeçari rrezikoi të vdiste pasi u diagnostikua me bakterin ‘capnocytophaga’, i cili ul në masë të ndjeshme sistemin imunitar
Greg Manteufel, një burrë 49-vjeçar nga Wisconsin, në Shtetet e Bashkuara, rrezikoi të vdiste pasi u diagnostikua me bakterin ‘capnocytophaga’, që zakonisht gjendet në pështymën e qenve dhe maceve dhe që ul në masë të ndjeshme sistemin imunitar.
Për ta shpëtuar nga vdekja, mjekëve iu duhej të amputonin pjesë të krahëve dhe këmbëve, si dhe lëkurën e hundës dhe një pjesë të buzës së sipërme.
Burri filloi të ndjehet keq verën e vitit të kaluar. Ai kishte ethe, të vjella, diarre dhe ai mendoi se mund të ishte një grip i parëndësishëm. Familja, e shqetësuar për të, e çoi në spital, ku analizat treguan se ai ishte infektuar me ‘capnocytophaga’ dhe se bakteri kishte kompromentuar disa pjesë të trupit të tij.
Edhe pse Manteufel ishte i shëndetshëm, ai u infektua për shkak të një anomalie të rrallë gjenetike.
Për fat të mirë, Manteufel arriti të mbijetojë, por është i detyruar të përdor proteza dhe shumë orë fizioterapi.
