Profeti (a.s) e mblodhi popullin e tij, e lavdëroi Allahun, pastaj tha:
“Vërtet, udhërrëfyesi nuk gënjen njerëzit e vet. Pasha Allahun, sikur t’i gënjeja të gjithë njerëzit[1], ju nuk do t’ju gënjeja; dhe sikur t’i mashtroja të gjithë njerëzit, ju nuk do t’ju mashtroja. Pasha Atë përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër, unë jam i Dërguari i Allahut për ju në mënyrë të veçantë dhe për mbarë njerëzimin në përgjithësi. Pasha Allahun, ju patjetër do të vdisni ashtu siç flini, dhe patjetër do të ringjalleni ashtu siç zgjoheni; do të merreni në llogari për atë që veproni dhe do të shpërbleheni për të mirën me të mirë, e për të keqen me të keqe. Dhe ajo është ose Xhenet i përhershëm, ose Zjarr i përhershëm.”
Njerëzit folën me fjalë të buta, përveç xhaxhait të tij, Ebu Lehebit, i cili tha: “Kapeni për duarsh para se të mblidhen arabët rreth tij; sepse nëse ua dorëzoni, do të poshtëroheni, e nëse e mbroni, do të vriteni.” Ebu Talibi tha: “Pasha Allahun, ne do ta mbrojmë atë sa të jemi gjallë.”
Pastaj të gjithë u shpërndanë.[2]
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Një gjë e tillë as që mendohet të ndodhë nga ana e Profetit (a.s), por thjesht është një mënyrë e të shprehurit. Sh.pk.
[2] – Marrë nga libri “El Kamil” i Ibn Ethirit, fq: (2/27).
