Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Irani: SHBA-ja po përpiqet të arrijë objektivat e luftës përmes një plani...

Irani: SHBA-ja po përpiqet të arrijë objektivat e luftës përmes një plani me 15 pika pas dështimit ushtarak

Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, ka akuzuar SHBA-në se po ndjek një plan me 15 pika për të arritur objektivat e saj të luftës pasi nuk arriti t’i realizojë ato me forcë ushtarake, duke paralajmëruar se çdo sulm tokësor ndaj vendit do të përballet me një përgjigje “vendimtare”, transmeton Anadolu.

Në platformën Telegram, Qalibaf tha se SHBA-ja “po bën thirrje hapur për negociata, ndërsa në mënyrë të fshehtë po planifikon një sulm tokësor”.

Ai tha se iranianët janë të përgatitur për çdo operacion tokësor nga forcat amerikane, duke premtuar një “përgjigje vendimtare” ndaj çdo sulmi të tillë.

“Këto ditë, dëgjohen fjalë dhe deklarata të ndryshme nga zyrtarët e armikut për negociatat. Amerika po shpreh dëshirat e saj dhe po paraqet si një listë me 15 pika atë që nuk ka arritur në luftë, duke kërkuar ta realizojë përmes diplomacisë”, tha ai.

Të mërkurën, Irani hodhi poshtë një plan amerikan me 15 pika për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se çdo armëpushim do të ndodhë vetëm sipas kushteve dhe afatit kohor të Teheranit.

Duke cituar një zyrtar iranian, televizioni shtetëror tha se Irani ka paraqitur pesë kushte për përfundimin e luftës, përfshirë ndalimin e plotë të “agresionit dhe atentateve”.

Kjo vjen në mes të raportimeve për plane amerikane për një sulm tokësor ndaj Iranit, ndërsa mijëra trupa amerikane po dislokohen në Lindjen e Mesme, në pritje të një vendimi nga presidenti Donald Trump.

SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar sulmet ajrore ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë deri më tani mbi 1.340 persona, përfshirë liderin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, si dhe ndaj Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke trazuar tregjet globale dhe aviacionin.

Exit mobile version