Ballina Artikuj Islami: Harmoni mes realizmit dhe idealizmit

Islami: Harmoni mes realizmit dhe idealizmit

Hoxhë Halil Avdulli

Historia e mendimit njerëzor ka njohur gjithmonë dy rryma të mëdha:

• Mendimi realist, që të fton të shohësh botën ashtu siç është dhe të veprosh me atë që është e mundur.

• Mendimi idealist, që të nxit të shohësh botën siç duhet të jetë dhe të synosh ngritjen drejt vlerave.

Shpesh këto dy qasje janë parë si të kundërta, sikur njeriu duhet të zgjedhë mes tokësores dhe qiellores, mes kufizimeve të realitetit dhe madhështisë së idealeve. Por në të vërtetë, urtësia nuk qëndron në mohimin e njërës, por në bashkimin e tyre.

Është interesante se këtë harmoni e gjejmë të qartë në fenë islame, edhe pse kërkon mendje të hollë dhe zgjuarsi njerëzore për ta kuptuar. Islami ndërthur tokësoren me hyjnoren, jetën e përditshme me synimet e larta shpirtërore, kufijtë e mundësive me madhështinë e vlerave.

Pra, Islami:

• Nuk ngrihet mbi idealizma të pamundura, por e përball jetën njerëzore siç është, me sfidat dhe kufizimet e saj.

• Ofron zgjidhje praktike që janë të përputhshme me realitetin, pa u shkëputur në fantazi jopraktike.

• Respekton aftësitë e kufizuara të njeriut dhe e sheh atë si qenie që ka përgjegjësi (hilafetin në tokë).

Nga ana tjetër, Islami:

• Vendos synime të larta: drejtësi, ndalim të padrejtësisë, dashuri, mëshirë, bashkëpunim, altruizëm dhe vetësakrifikim.

• Kërkon ngritje morale dhe shpirtërore, duke mos harruar asnjëherë dimensionin praktik.

• Nëse zbatohet me përpikmëri, mund ta çojë njeriun në “kamil el-insan” (njeriun e përsosur).

Islami është kompatibil me qenien njerëzore. Ai përmban dhe reflekton dritën hyjnore mbi realitetin e jetës dhe të njeriut. Kur’ani është libër realist, i cili nuk i kërkon njeriut në asnjë mënyrë të dalë nga natyra e tij njerëzore. Si i tillë, ai ndërthur realizmin e Dhjatës së Vjetër me idealizmin e Dhjatës së Re.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version