Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, akuzoi të mërkurën Izraelin për gjenocid në Palestinë dhe kritikoi Bashkimin Evropian për mungesë veprimi për ta ndaluar atë.
“Asnjë vend që shkel parimet themeluese të BE-së – apo që përdor urinë dhe luftën për të zhdukur një shtet legjitim – nuk mund të jetë partner i Bashkimit Evropian,” deklaroi Sanchez para parlamentit spanjoll.
Ai kritikoi qeverinë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se veprimet e saj do të mbahen mend “si një nga episodet më të errëta të shekullit XXI.”
“Pamjet tronditëse të fëmijëve që kërkojnë familjarët nën rrënoja, apo që vdesin nga uria në çadra, nuk duhet vetëm të na prekin dhe turpërojnë – ato duhet ta detyrojnë komunitetin ndërkombëtar, dhe Evropën në veçanti, të veprojë,” shtoi ai.
Sanchez bëri të ditur se Spanja dhe Irlanda i kërkuan BE-së në shkurt 2024 të vlerësonte nëse Izraeli ka shkelur Marrëveshjen e Asociimit BE-Izrael, e cila kushtëzon bashkëpunimin me respektimin e të drejtave të njeriut.
“Duhej të insistonim shumë që kjo analizë të bëhej,” theksoi kryeministri spanjoll. Ai shtoi se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së paraqiti raportin më 23 qershor, duke konkluduar se ka “më shumë se prova të mjaftueshme” se Izraeli ka shkelur Nenin 2 të marrëveshjes.
Megjithëse BE-ja ende nuk ka ndërmarrë masa ndaj Izraelit, Spanja po kërkon pezullimin e menjëhershëm të marrëveshjes.
“Ajo që e dënojmë kur e bën Putini në Ukrainë, nuk mund ta lejojmë kur e bën **Netanyahu në Palestinë,” përfundoi Sanchez.
Që nga tetori 2023, Izraeli ka vrarë më shumë se 57,000 palestinezë në Rripin e Gazës dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të territorit, duke e bërë atë të pabanueshëm. /mesazhi
