Ballina Artikuj Kur harrojmë Zotin, rrezikojmë të humbasim veten dhe të tjerët

Kur harrojmë Zotin, rrezikojmë të humbasim veten dhe të tjerët

Hoxhë Halil Avdulli

“Mos u bëni si ata që harruan Zotin, e Ai i bëri të harrojnë vetveten.” (El-Hashr: 19)

▪️Qytetërimi perëndimor karakterizohet nga një sistem njohës dhe ontologjik që ngrihet mbi racionalizmin mekanik, individualizmin dhe dominimin mbi natyrën dhe njeriun.

Ky sistem, i formuar përmes kolonializmit dhe kapitalizmit, e redukton njeriun në një mjet për përparimin material.

Martin Heidegger në veprën “Qenia dhe Koha” (1927), paralajmëron për rrezikun më të thellë të modernitetit:

Harresën e qenies (Seinsvergessenheit).

Në epokën e teknologjisë, njeriu zhvishet nga thellësia e ekzistencës së tij dhe trajtohet si “material i dobishëm”, si pjesë e një sistemi që nuk pyet më për kuptimin, por vetëm për efikasitetin.

Në këtë atmosferë, del në pah ideja thelbësore e Emmanuel Levinas, i cili e zhvendos diskutimin nga ekzistenca drejt etikës.

Në librin e tij “Totaliteti dhe Pafundësia” (1961), Levinas na kujton se etika fillon me tjetrin – me fytyrën e tjetrit që na thërret në përgjegjësi absolute, para çdo koncepti të qenies apo ligjit racional.

Në botën e sotme, ku teknologjia dhe racionaliteti shpesh e përjashtojnë dimensionin njerëzor, thirrja e fytyrës së tjetrit na rikujton se para çdo sistemi apo ideologjie, përgjegjësia jonë ndaj njeriut tjetër mbetet e pakushtëzuar dhe parësore. Kjo përgjegjësi është themeli i etikës së vërtetë dhe çelësi për një shoqëri me kuptim dhe drejtësi.

_______

❖ Dhe në këtë kuptim, Kurani ka thënë qartë:

“Mos u bëni si ata që harruan Zotin, e Ai i bëri të harrojnë vetveten.” (El-Hashr: 19)

❖ Nga perspektiva e mendimit islam, “harrimi i vetvetes” nuk do të thotë vetëm humbje e kujtesës ose identitetit social, por humbje e dimensionit shpirtëror të njeriut. Ai shndërrohet në një qenie që funksionon vetëm biologjikisht e psikologjikisht, por e ka të shuar vetëdijen për misionin dhe vlerën e tij si krijesë e Zotit.

❖ Për Ibn Arabiun, harrimi i Zotit është një iluzion i egos që e ndan njeriun nga njëshmëria e ekzistencës.

Shpëtimi është rikthimi në vetëdijen e njëshmërisë, ku njeriu e kupton se vetvetja e tij është e varur nga Zoti.

❖ Kur Zoti harrohet, njeriu humbet thelbin e tij, bëhet objekt, mjet, numër. Ai jeton pa vetëdije, pa kuptim, pa rrënjë.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version