Ballina Artikuj Kur jeta flet përmes vdekjes”

Kur jeta flet përmes vdekjes”

Hoxhë Halil Avdulli

▪️Kur feja ose Kurani flet për vdekjen, në të vërtetë flet për jetën. Vdekja është fundi i saj, por merr kuptim vetëm kur shohim se çfarë kemi bërë gjatë jetës.

Nuk mjafton të dimë hollësitë e asaj që ndodh pas vdekjes, por duhet të dimë çfarë kemi bërë para saj, sepse ajo përcakton gjithçka që vjen më pas.

▪️Vdekja pyet:

Çfarë ke bërë për tokën?

Çfarë ke bërë me kohën?

Çfarë ke bërë me mundësitë?

Çfarë ke bërë me aftësitë?

Me çfarë vlerash ke jetuar?

A e njohe Atë që të dha jetën?

▪️Ne nuk vdesim vetëm një herë.

Mund të vdesim çdo ditë:

kur humbasim shpresën, kur bindemi se humbja është e pashmangshme, kur dorëzohemi, kur mendojmë se përpjekjet tona janë të kota, kur jetojmë kot, pa standarde, pa ideale, pa besë.

Këto janë vdekje të përditshme.

Ka një dallim të madh mes të qenit gjallë dhe të jetuarit:

Të jesh gjallë është thjesht të kryesh funksione biologjike – të marrësh frymë, të metabolizosh, të riprodhosh.

Por të jetosh do të thotë të ngrihesh mbi mbijetesën, të besosh përtej materies, të arrish horizontet më të larta të kuptimit të ekzistencës.

▪️Megjithatë, ka dallim mes vdekjeve të përditshme dhe asaj përfundimtare:

nga vdekjet e përditshme mund të kthehemi, kemi ende shans të rikthehemi, të rregullojmë.

Por me vdekjen përfundimtare, kjo mundësi mbyllet përgjithmonë.

▪️“Ti do të vdesësh, dhe ata do të vdesin.”

Vdekjen nuk e ndal dot, sepse nuk është në duart e tua.

Por jeta është.

Jeta jote është ajo që të dallon ose që të bën njësoj si të tjerët.

Në fund, të gjithë largohen sikur nuk kanë qenë kurrë.

Miqësitë, sinqeriteti, premtimet, besnikëria – të gjitha tretën.

Në momentet e fundit, heshtja flet më shumë se fjalët: asgjë nuk qëndron.

Gjithçka largohet – ndjenjat, kujtimet, shpirti, jeta, mishi, eshtrat.

Por diçka mbetet: ajo që ke lënë pas me duart, me gjurmët, me veprat e tua.

▪️Përderisa vdekja na pret në stacionin e fundit, kot e ndërrojmë trenin – të gjithë trenat përfundojnë aty.

Prandaj, le të shfrytëzojmë udhëtimin.

Përderisa beteja me vdekjen është e humbur, le të fitojmë betejën me jetën.

Vdekja është pika e fundit e rreshtit.

Por jeta jonë mund të bëhet një rresht i dobishëm, një gjurmë në historinë e madhe – një projekt që shkon përtej kësaj bote, drejt amshueshmërisë.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version