Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kurani i djegur në Gjakovë: akt urrejtje kundër Islamit në emër të...

Kurani i djegur në Gjakovë: akt urrejtje kundër Islamit në emër të “shqiptarizmit” të deformuar

Pasojat e një lëvzjeje trushkulurish pa din e iman mbi një vlerë identitare shqiptare

Kryetari i Bashkësisë Islame në Kosovë, Myftiu Naim Tërnava, deklaroi se ishte i tmerruar dhe thellësisht i tronditur nga akti vandalist dhe kriminal i një akti të djegies dhe përdhosjes së Kuranit në Gjakovë.

Kjo ka ndodhur në lagjen Çabrat të këtij qyteti disa ditë më parë.

Sipas Tërnavës, një akt i tillë është plotësisht i papranueshëm, sepse shkel rëndë vlerat universale njerëzore të qytetërimit botëror dhe në të njëjtën kohë ndikon drejtpërdrejt në parimet, traditat dhe identitetin e popullit shqiptar.

Ai thekson se populli shqiptar është njohur dhe identifikuar gjatë shekujve për harmoninë, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin ndërfetar, si dhe për respektin e tij për besimin, kulturën dhe traditat e të tjerëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhen me besimin dhe besimet fetare.

“Jam thellësisht i tmerruar dhe i tronditur nga akti vandal dhe kriminal i djegies dhe përdhosjes së Kuranit të Shenjtë, i cili u krye me porosi dhe me një mision të qartë kriminal nga persona aktualisht të panjohur në Çabrat të Gjakovës. Një akt i tillë është plotësisht i papranueshëm, sepse shkel rëndë vlerat universale njerëzore të qytetërimit botëror dhe njëkohësisht prek drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit tonë”, tha kreu i jetës islame të Kosovës në një deklaratë.

Ai thekson se, për fat të keq, këto vlera dhe parime kohët e fundit janë vënë në shënjestër të lëvizjeve të errëta që, në emër të një “shqiptarizmi” të deformuar dhe të të ashtuquajturit “kthim në rrënjë”, nxisin urrejtje, përçarje dhe dhunë.

Siç thotë ai në deklaratë, individë dhe grupe të organizuara, duke manipuluar, shpifur dhe instrumentalizuar opinionin publik, përhapin gjuhë urrejtjeje dhe bëjnë thirrje të hapura për dhunë kundër shqiptarëve të besimit islam, si dhe për shkatërrimin e trashëgimisë dhe kulturës islame.

Ai paralajmëron se kjo propagandë e rrezikshme, në disa raste, madje tronditëse, mbështetet nga njerëz që paraqiten dhe paguhen si profesorë universiteti, duke marrë si shembull “shembujt e errët të gjenocidit grek dhe serb kundër shqiptarëve të besimit islam”.

Tërnava vlerëson se djegia dhe përdhosja e Kuranit në Gjakovë është një akt konkret dhe alarmues, si pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre ideologjive antishqiptare dhe antiislame të cilat, sipas tij, përpiqen të zbatojnë projekte dashakeqe të bazuara në modele të huaja që historikisht kanë qenë armiqësore ndaj shqiptarëve të besimit islam.

Me këtë rast, ai kërkon që autoritetet kompetente të marrin menjëherë masat e nevojshme ligjore kundër autorëve të këtij akti kriminal, por edhe kundër krijuesve, mentorëve dhe ideologëve të kësaj ideologjie të rrezikshme, të cilët, sipas tij, veprojnë duke u fshehur pas sloganeve të rreme të “lirisë së fjalës” dhe “të drejtës së fesë”.

Ai gjithashtu u bën thirrje institucioneve shtetërore që edhe një herë të marrin masa adekuate dhe konkrete për të ruajtur kohezionin shoqëror, vlerat autentike të popullit shqiptar, harmoninë ndërfetare dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve nga ky rajon. /tesheshi

Exit mobile version