Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kurthi i Gazës për Shqipërinë dhe Kosovën

Kurthi i Gazës për Shqipërinë dhe Kosovën

Precedenti i rrezikshëm që kërcënon narrativën e pavarësisë së Kosovës dhe rreshtimi kundër të drejtës për vetëvendosje

Propozimi për përfshirjen e trupave ushtarake të Shqipërisë dhe Kosovës në “Bordin e Paqes” në Rripin e Gazës, mbart pasoja të rënda juridike dhe paradokse politike që sfidojnë parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Nga pikëpamja e legjitimitetit, Gaza njihet universalisht si një territor i pushtuar, çka do të thotë se çdo forcë e huaj që hyn në këtë hapësirë pa një mandat të prerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe pa pëlqimin e autoriteteve sovrane vendase, rrezikon të shndërrohet juridikisht në një forcë bashkë-pushtuese.

Pyetja themelore që lind në këtë kontekst është: nga kush do t’i mbrojë ushtari shqiptar banorët e Gazës, kur sipas rezolutave 242 dhe 338 të OKB-së, kërcënimi kryesor ndaj integritetit të atij territori vjen nga shkelja e kufijve të vitit 1967 prej ushtrisë izraelite?

Nëse misioni i këtij bordi do të jetë “stabilizimi” përmes çarmatimit të grupeve që kryejnë një luftë guerile, Shqipëria dhe Kosova do të gjendeshin në pozitën absurde të luftimit të një lëvizjeje, që në sytë e një pjese të madhe të botës, ushtron të drejtën legjitime për rezistencë ndaj pushtimit të paligjshëm.

Ky skenar, krijon një krizë identiteti veçanërisht për Kosovën, shtetësia e së cilës buron nga parimi i vetëvendosjes dhe mbrojtjes nga spastrimi etnik.

Dërgimi i trupave të saj për të paqtuar një popullsi tjetër nën pushtim, do të shërbente si një precedent i rrezikshëm që mund të keqpërdoret nga kundërshtarët e pavarësisë së saj, me në krye Rusinë dhe Serbinë, për të delegjitimuar luftën e saj çlirimtare.

Mungesa e një strategjie daljeje dhe e një horizonti politik që garanton krijimin e shtetit palestinez e kthen këtë propozim në një ndërhyrje që thjesht menaxhon pasojat e një konflikti pa i dhënë zgjidhje shkakut.

Po ashtu, kjo qasje e ekspozon ushtarin shqiptar ndaj përgjegjësisë penale ndërkombëtare në rast incidentesh me civilët. Në vend që të jetë një kontribut për paqen, ky angazhim rrezikon të jetë një shërbim administrativ që lehtëson koston e pushtimit për Izraelin, duke e rreshtuar Shqipërinë kundër frymës së të drejtës ndërkombëtare dhe aspiratave për liri të një populli të rrethuar brenda kufijve që bota i njeh si të tijët, por që de facto mbeten nën kontroll të huaj.

Ky rreshtim në një strukturë që anashkalon mekanizmat e OKB-së, siç është “Bordi i Paqes”, prodhon gjithashtu një përplasje të pashmangshme me gjeopolitikën e Bashkimit Evropian, duke vënë në pikëpyetje koherencën diplomatike të Tiranës zyrtare përballë aleatëve tanë kryesorë në kontinent.

Franca dhe Gjermania, si mbrojtëse të multilateralizmit dhe autonomisë strategjike evropiane, mund ta shohin këtë lëvizje si një rreshtim me një model “unilateralizmi të zgjeruar” të udhëhequr nga SHBA-ja, duke rrezikuar ngrirjen e kapitujve të politikës së jashtme në procesin e integrimit.

Në rrafshin e OKB-së, Shqipëria do të ekspozohet ndaj nismave kundërshtuese të fuqive si Rusia dhe Kina, të cilat do ta përdorin mungesën e një mandati ndërkombëtar për ta portretizuar praninë shqiptare si një ndërhyrje të paligjshme.

Ky pozicionim e detyron Shqipërinë të bëhet pjesë e një rendi të ri “Post-OKB”, ku besnikëria ndaj Uashingtonit mbizotëron mbi rregullat universale, duke e lënë vendin të ekspozuar ndaj sanksioneve diplomatike dhe duke sakrifikuar rolin e tij si një aktor që respekton konsensusin evropian për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. /tesheshi

Exit mobile version