Organizata Mjekët pa Kufij (MSF) ka denoncuar një situatë katastrofike në jug të Rripit të Gazës, ku sulmet ajrore izraelite kanë shkaktuar dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur në qytetin Khan Younis.
Sipas një deklarate të MSF-së, trupat e 59 palestinezëve të vrarë dhe mbi 200 të plagosur janë dërguar në Spitalin Nasser, i cili po përballet me mbingarkesë të jashtëzakonshme. Për shkak të fluksit të madh, stafi mjekësor është detyruar të evakuojë repartin e maternitetit, duke e kthyer atë në salla operacioni emergjente.
“Çdo ditë, palestinezët përballen me kasaphanë, ndërsa përpiqen të marrin ndihmat e pakta që hyjnë në Gaza”, tha MSF në një reagim zyrtar.
Wafaa Abu Nemer, pediatre në këtë organizatë, e përshkroi situatën me fjalët: “Kam parë njerëz të copëtuar. Është një katastrofë. Kërkimi për ushqim nuk duhet të jetë dënim me vdekje.”
Koordinatori i emergjencave i MSF-së, Aitor Zabalgogeazkoa, paralajmëroi se spitali është mbi kapacitet dhe me furnizime shumë të kufizuara, duke shtuar se është në prag të kolapsit.
Kjo është vetëm një nga pamjet tronditëse të realitetit që përballojnë civilët palestinezë, ndërsa konflikti në Gaza vazhdon të përshkallëzohet. /mesazhi
