Ballina Artikuj Mësimi përmendësh i Kuranit

Mësimi përmendësh i Kuranit

Dr. Jusuf Kardavi (r.a)

Një veçori e Kuranit është lehtësia në mësimin dhe nxënien e tij, sikur edhe lehtësia në përkujtimin dhe kuptimin e tij, siç thotë Allahu në Kuran: “Ne Kuranin e bëmë të lehtë për mësim, po a ka ndokush që merr mësim?”[1] E gjitha kjo, sepse në shprehjet e Kuranit, në suret dhe ajetet e tij ka butësi, ëmbëlsi e lehtësi, të cilat e bëjnë atë të lehtë në të nxënë për atë që kërkon ta mësojë përmendësh, e ti bëjë vend në zemrën dhe kraharorin e tij.

Që këtej kemi parë se me mijëra e dhjetëra mijëra myslimanë e dinë Kuranin përmendësh, ku shumica prej tyre janë fëmijë dhe akoma të vegjël, gjë që nuk ndodh për asnjë libër tjetër të shenjtë apo jo i shenjtë, sepse vetëm Kurani është nxënë përmendësh nga kaq e aq vetë.

Gjithashtu kemi parë se si e kanë mësuar Kuranin përmendësh edhe më mirë se arabët vëllezërit nga India, Pakistani, Bangladeshi, Afganistani, Turqia, Senegali e të tjerë nga Azia dhe Afrika, të cilët nuk e njohin gjuhën arabe. I kam provuar disa prej këtyre gjatë konkursve të Kuranit në Katar, ku kam parë njërin si të ishte kasetë e inçizuar me Kuran, nuk kishte gërmë që t’i mungonte, e fjalë t’i kalonte. Megjithatë kur e pyeta në arabisht si quhej, nuk mu përgjigj, sepse nuk e dinte kuptimin e fjalëve në arabisht.

E tërë kjo vërteton thënien e Allahut: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kuranin dhe Ne gjithësesi jemi mbrojtës të tij.”[2] Pra, Allahu në formë të prerë garanton ruajtjen e këtij libri ndaj dhe një formë e ruajtjes së tij është edhe mundësimi i nxënies së tij përmendësh kaq lehtësisht për brezat.

Vetë e kam mësuar Kuranin dhe recitimin e tij pa i mbushur dhjetë vjeç, e ndoshta mund ta kisha mësuar edhe më shpejt. Në Bangladesh një fëmijë vetëm nëntë vjeç e dinte përmendësh të gjithë Kuranin dhe ishte shumë i përpiktë. Kurse në Egjipt ka shtatë vjeçarë që e kanë mësuar atë përmendësh, ashtu sikur dëshmojnë edhe konkurset e hafizëve.

Por kemi parë se si disa mësues të zotë nuk e këshillojnë mësimin e Kuranit në këtë moshë, sepse është një mësim që nuk kuptohet, e njeriu nuk duhet të mësojë atë që nuk e kupton. Por ky rregull nuk vlen për Kuranin, sepse nuk ka asnjë të keqe që fëmija ta mësojë Kuranin qysh në vegjëli e kur të rritet ta kuptojë atë, sepse të mësuarit qysh në vegjëli është si gdhendja në gur.

Meqë Kurani është libër i lehtë dhe i qartë, atëherë ka mundësi ta kuptojë si i vogli ashtu edhe i madhi, si i dituri dhe i padituri, sepse secili prej tyre përfiton prej tij atë gjë që është brenda aftësive dhe kapaciteteve të tij. Më kujtohet që kur isha në mejtep, lexoja rrëfimet dhe këshillat e Kuranit dhe i kuptoja mesazhet e përgjithshme që përcillnin, edhe pse në detaje e kisha të vështirë të kuptoja detajet e tij.

Një dobi tjetër që ka mësimi i Kuranin qysh në vegjëli është edhe rregullimi i gjuhës, saktësimi i tingujve duke i nxjerrë nga pikat e tyre të artikulimit të sakta si dhe duke mos bërë gabime të shumta, në të cilat bien zakonisht njerëzit gjatë recitimit.

Autor: Dr. Jusuf Kardavi (r.a)

[1] – Sure Kamer: 17.

[2] – Sure Hixhr: 9.

Exit mobile version