Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri izraelit: Ushtria nuk do të largohet nga territori i pushtuar në...

Ministri izraelit: Ushtria nuk do të largohet nga territori i pushtuar në Liban “edhe nëse SHBA-ja e kërkon” këtë

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz deklaroi sot se forcat e ushtrisë nuk do të largohen nga territori i pushtuar në jug të Libanit “edhe nëse Shtetet e Bashkuara kërkojnë tërheqje”, transmeton Anadolu.

“Izraeli nuk do të largohet nga zona e tij e sigurisë në Liban, edhe nëse Shtetet e Bashkuara kërkojnë tërheqje”, tha Katz gjatë një aktiviteti në Tel Aviv, sipas gazetës “Yedioth Ahronoth”. Nga Washingtoni nuk pati reagim të menjëhershëm.

Deklaratat vijnë ndërsa zyrtarë të lartë izraelitë vazhdojnë të këmbëngulin në mbajtjen e kontrollit mbi zonat e pushtuara në jug të Libanit, pavarësisht një mirëkuptimi të fundit SHBA–Iran, i cili përfshin angazhime për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit.

Në fillim të kësaj jave, kryeministri Benjamin Netanyahu, Katz dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Eyal Zamir u zotuan të mbajnë kontrollin mbi atë që Izraeli e quan “zonë sigurie” në jug të Libanit.

Izraeli mban të pushtuara zona në jug të Libanit, disa prej dekadash dhe të tjera të marra gjatë konfliktit të viteve 2023–2024. Gjatë fushatës aktuale ushtarake, forcat izraelite kanë avancuar më shumë se 10 kilometra brenda territorit libanez.

Që nga 2 marsi, sulmet izraelite në Liban kanë vrarë 4.192 persona, kanë plagosur 12.171 të tjerë dhe kanë zhvendosur më shumë se një milion banorë, sipas të dhënave zyrtare libaneze.

Katz gjithashtu u zotua se Izraeli nuk do të lejojë kthimin e rreth 200 mijë libanezëve në zonat e tyre në jug të Libanit. Ai pretendoi se kthimi i civilëve mund t’i ekspozonte ushtarët izraelitë ndaj sulmeve. “Ajo që ka ndodhur më parë në zonat e sigurisë ku jetonin civilë ka qenë vendosja e pajisjeve shpërthyese dhe sulme ndaj ushtarëve”, tha ai.

“Ushtarët janë brenda, popullsia është jashtë, infrastruktura është shkatërruar dhe shtëpitë janë rrënuar. Ne nuk do të tërhiqemi”, shtoi ai. Katz tha se Izraeli do të mbajë nën kontroll zona si në Siri, ashtu edhe në Liban.

“Ne nuk do të largohemi nga zona e sigurisë në Siri dhe Liban; kjo është doktrina e sigurisë”, tha ai duke pretenduar se forcat izraelite duhet “të jenë të pranishme në territorin armik për të mbrojtur komunitetet izraelite”. Deklaratat e tij vijnë ndërsa delegacione libaneze dhe izraelite po zhvillojnë raund të pestë bisedimesh në Washington nga e marta deri të enjten.

Sipas mediave izraelite, diskutimet përfshijnë mundësinë e tërheqjes së trupave izraelite nga disa zona dhe zëvendësimin e tyre me forcat e ushtrisë libaneze.

Përveç kontrollit të territoreve në jug të Libanit, Izraeli vazhdon të mbajë nën pushtim territore palestineze dhe zona brenda Sirisë ndërsa refuzon thirrjet ndërkombëtare për tërheqje dhe për krijimin e një shteti të pavarur palestinez në përputhje me rezolutat përkatëse të OKB-së.

Exit mobile version