Ballina Artikuj Mos ti qajmë si gratë, nëse nuk i ndihmojmë dhe i mbrojmë...

Mos ti qajmë si gratë, nëse nuk i ndihmojmë dhe i mbrojmë si burrat

Hoxhë Rufat Sherifi

Sot, ne jemi dëshmitarë të pamjeve rrëqethëse që po tronditin opinionin botëror , pamje të urisë së imponuar si armë lufte mbi civilët e Gazës.

Kjo nuk është më thjesht një krizë humanitare, por një krim historik që po ndodh para syve tanë, ndërkohë që ne heshtim, ne shikojmë, ne rrimë.

Apel pas apeli, thirrje pas thirrjeje nga organizatat humanitare e shëndetësore, por si duket ato zëra bien në veshët tanë të shurdhur dhe përplasen në zemrat tona të fortifikuara me rehati.

Disa nga ne , po ngrejnë zërin duke thërit:

“Gaza po vdes nga uria!”

Por a thua mjafton kjo për të na çliruar nga përgjegjësia para Allahut dhe para historisë?

A nuk jemi ne ata që po i mbytim vëllezërit tanë, në çastin kur për çdo tragjedi gjejmë një fajtor të jashtëm, hedhim përgjegjësinë majtas e djathtas, por asnjëherë nuk e drejtojmë gishtin nga vetja?

A kemi guxim t’i bëjmë vetes pyetjen e thjeshtë:

Çfarë kemi bërë ne, dhe çfarë po bëjmë tani?

A po solidarizohemi me të vërtetë me Gazën, apo reagimet tona janë emocione të çastit, statuse të përkohshme dhe heshtje të zgjatura?

A po punojmë për të demaskuar kriminelët dhe gjakpirësit që për dekada na janë shfaqur si “bota e lirë”, si mbrojtës të të drejtave të njeriut, si mbartës të progresit dhe demokracisë?

A kemi guxim ta pranojmë se ne ishim thellësisht të manipuluar, të mashtruar, të zhveshur nga realiteti?

A po bëjmë mjaft për të ndihmuar financiarisht një popull që sot po e përgatit veten për ta lënë këtë botë të padrejtë, për të kaluar në botën e mëshirës dhe drejtësisë?

Apo ndihma materiale ka qenë gjithmonë mendimi i fundit në kokat tona, sepse dëshirat tona të shpërndara, epshet tona të pakontrolluara dhe ëndrrat për zbavitje pa fund e kanë shtypur këtë ide sa herë që na ka trokitur në ndërgjegje?

A kemi ngritur zërin mjaftueshëm kundër kësaj masakre?

Apo frika nga humbja e pozitës, nga dëmtimi i karrierës, nga prishja e marrëdhënieve dhe perspektivave tona personale na ka mbyllur gojën, duke na mbajtur të palëkundur në zonën e rehatshme gri?

A kemi tentuar vërtet të mobilizojmë masën për një revoltë të sinqertë publike?

Apo edhe atëherë kemi kalkuluar përfitime, klikime, famë, protagonizëm dhe bajraktarizëm, duke organizuar gjëra “sa për sy e faqe”, por pa shpirt dhe pa efekt?

Këto qëndrime pasive, të vakëta dhe shpesh hipokrite, nuk kufizohen vetëm te individët.

Ato shfaqen edhe në nivel organizativ, institucional e shtetëror.

Organizata që heshtin, institucione që kthejnë kokën anash, qeveri që i lëkunden një fjalie të drejtë nga frika e humbjes së miqësive strategjike me kriminelët.

Ky është turp kolektiv, dhe historia do ta shkruajë si turp të përbashkët.

Në të vërtetë, janë me dhjetëra fakte që na detyrojnë ta themi me zë të lartë:

Gaza nuk po vdes nga uria – Gaza po vritet nga ne!

Po e vrasim me neglizhencën tonë, me dorëzimin tonë, me servilizmin dhe me heshtjen tonë të frikshme ndaj armikut barbar.

Ne, të gjithë, mbajmë pjesën tonë të përgjegjësisë – para Zotit, për këtë heshtje që po bëhet krim, dhe para historisë, për këtë njollë që nuk do të na lahet me asnjë justifikim.

Në rënien e Andaluzisë, një grua burrneshë ia tha troç burrit të saj që qante për humbjen:

“Mos qaj si gratë, kur nuk dite ta mbrosh si burrë!”

Sot, kjo fjali është pasqyrë për ne.

Sepse në vend se të qajmë nesër, më mirë të veprojmë sot.

Të mos jemi brezi që heshti para gjenocidit, por brezi që e njohu turpin… dhe nuk pranoi të bëhet një me të.

Hoxhë Rufat Sherifi

Exit mobile version