Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mucunski: Kjo qeveri as nuk ka ndjekur dhe as nuk do të...

Mucunski: Kjo qeveri as nuk ka ndjekur dhe as nuk do të ndjekë një politikë të pranimit të emigrantëve

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka deklaruar se qeveria e vendit nuk ka ndjekur dhe nuk do të ndjekë një politikë të pranimit të emigrantëve, duke theksuar se ajo është “plotësisht e përkushtuar” ndaj zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, transmeton Anadolu.

Në platformën sociale të kompanisë amerikane X, Mucunski tha se qeveria e Maqedonisë së Veriut punon në ndërtimin e “partneritete që sjellin përfitime konkrete për çdo familje, çdo komunë dhe për vendin në tërësi”.

“Dua të jem shumë i qartë, kjo qeveri as nuk ka ndjekur dhe as nuk do të ndjekë një politikë të pranimit të emigrantëve, në çfarëdo forme. Nuk ka marrëveshje, as negociata, as kuota, as qendra, as marrëveshje tranziti. Një iniciativë e tillë as nuk është marrë në konsideratë, as nuk ka një qëllim politik në atë drejtim. E gjithë kjo është një gënjeshtër absolute”, tha ai.

Komentet e ministrit Mucunski vijnë pasi mediat britanike javën e kaluar raportuan se Mbretëria e Bashkuar mund të deportojë azilkërkuesit e refuzuar në Maqedoninë e Veriut, në një përpjekje për të dekurajuar migrimin e paligjshëm me anije në vendin e tyre, gjë që është mohuar nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, e cila tha se nuk ka një marrëveshje të tillë me Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas ministrit Mucunski, partneriteti strategjik me Mbretërinë e Bashkuar bazohet në respekt dhe besim të ndërsjellë, si dhe në bashkëpunim në politikë, ekonomi dhe siguri.

“Kjo do të thotë iniciativa dhe projekte reale që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik, krijojnë vende pune dhe sjellin përfitime të prekshme për qytetarët dhe jo skenarë të shpikur për nevoja të politikës ditore”, tha ai.

Ai po ashtu tha se tema e pranimit të supozuar të emigrantëve është një “përpjekje klasike e politikës ditore për të defokusuar”, e bërë nga partia opozitare Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM).

“Është jashtëzakonisht e papërgjegjshme të mbahen konferenca për media bazuar në informacione sensacionaliste, të paverifikuara dhe të pasakta, të cilat qëllimisht krijojnë një perceptim të rremë në publik dhe për hir të interesit partiak abuzojnë me tema të ndjeshme”, shkroi ai.

Dje, edhe kryeministri i Maqedonisë e Veriut, Hristijan Mickoski, njëherësh kryetar i VMRO-DPMNE-së, tha se nuk do të pranohen emigrantë nga Mbretëria e Bashkuar dhe se një temë e tillë nuk është diskutuar kurrë me autoritetet britanike.

“Për sa kohë që unë jam kryeministër, nuk do të ngrihet asnjë tendë me emigrantë të paligjshëm dhe nuk do të pranojmë asnjë emigrant”, tha ai.

Exit mobile version