Këshilli Kombëtar i Austrisë me mbështetje të gjerë ndërpartiake ka miratuar një ndalim kontrovers të shamisë për vajzat nën 14-vjeç nëpër shkolla, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia austriake e lajmeve ORF, masa ndalon mbulesën e kokës të mbajtur “sipas traditave islame” në të gjitha shkollat publike dhe private.
Në aktivitetet shkollore jashtë ambienteve të shkollës nuk zbatohet ky rregull. Sanksione, përfshirë gjoba nga 150 deri në 800 euro, mund të vendosen duke filluar nga viti akademik 2026/27.
Qeveria vlerëson se rreth 12 mijë vajza mund të preken nga kjo masë.
Ministrja e Integrimit, Claudia Plakolm, nga radhët e Partisë Popullore Austriake (OVP), e përshkroi shaminë si “një simbol të shtypjes,” duke argumentuar se ligji është i domosdoshëm për të mbrojtur fëmijët.
Drejtues të OVP-së theksuan se zbatimi nuk do të bjerë mbi mësuesit, të cilët do të jenë të detyruar vetëm të informojnë administratat e shkollave.
Partia NEOS e mbështeti projektligjin, duke e paraqitur atë si një masë për mbrojtjen e fëmijëve. Ministri i Arsimit, Christoph Wiederkehr, tha se ligji mbështet zhvillimin personal të vajzave.
Partia e Lirisë e Austrisë (FPO), e cila prej kohësh ka bërë thirrje për ndalimin, tha se çështja buron nga “imigracioni masiv” dhe argumentoi se shamia përfaqëson “Islamin politik.”
Të Gjelbrit ishin e vetmja parti që votoi kundër projektligjit, megjithëse shprehën simpati të përgjithshme për synimin e deklaruar të tij.
Zv/kryetarja e grupit parlamentar, Sigrid Maurer, paralajmëroi se legjislacioni pasqyron një ndalim të mëparshëm të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2020 për shkelje të parimeve të barazisë.
“Qeveria e di që kjo do të rrëzohet”, tha ajo.
Komuniteti Fetar Islam i Austrisë (IGGO) njoftoi se do të apelojë menjëherë në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se ligji ngre “shqetësime kushtetuese dhe të të drejtave të njeriut.”
IGGO theksoi se e refuzon shtrëngimin dhe se duhet të mbrohen të drejtat e vajzave që e mbajnë shaminë me dëshirë.
Më herët, juristë dhe edukatorë muslimanë sinjalizuan se do ta sfidojnë legjislacionin në Gjykatën Kushtetuese. Ata argumentojnë se ndalimi i ri përsërit dispozita të rrëzuara në vitin 2020, kur gjyqtarët vendosën se kufizime të tilla rrezikojnë të margjinalizojnë vajzat muslimane dhe se shkelin mbrojtjet kushtetuese.
Ekspertët ligjor thonë se arsyetimi i rishikuar i qeverisë mbetet i dobët dhe ka pak gjasa t’i rezistojë shqyrtimit gjyqësor.
