Ballina Artikuj Myslimanët shqiptarë nuk janë “minorancë e tredhur” por janë një shumicë e...

Myslimanët shqiptarë nuk janë “minorancë e tredhur” por janë një shumicë e stigmatizuar

Vehap Kola

Deklarata e gazetarit Andi Bushati se myslimanët shqiptarë “sillen si një minorancë e tredhur” lyp një analizë më të ndershme sesa një gjykim moral nga studiot televizive. Problemi nuk është mungesa e ndërgjegjes mes myslimanëve shqiptarë. Problemi është konteksti në të cilin kjo shumicë fetare ka jetuar dhe vepruar për shumë dekada.
Myslimanët shqiptarë, ndonëse numerikisht shumicë, janë trajtuar shpesh jo si shumicë kulturore, por si subjekt potencial i rrezikut ndaj sigurisë kombëtare. Në debatin publik dhe në praktikën institucionale, identiteti mysliman ka qenë thuajse përherë i lidhur me tema si “radikalizmi”, “ekstremizmi”, “rreziku” dhe “terrorizmi”. Më kujtohet biseda e para disa viteve me një ish-drejtues të lartë publik: “si ‘islamik,’ unë ty nuk do të të vija në SHIK apo tek anti-terrori, por në çdo institucion tjetër do të të vija.”
Rasti i aktivistit Baki Goxhaj është i freskët. Përfshirja e tij në protesta për Gazën dhe thirrjet e tij për të mos votuar politikanët që formuan grupin e miqësisë me Izraelin u trajtuan nga strukturat e antiterrorit si veprimtari ekstremiste. Shumë njerëz, sidomos drejtuesit fetarë myslimanë, kanë zgjedhur të heshtin përballë këtij kërcënimi. Një pjesë e tyre, kryejnë funksionin e judenräte-ve në Gjermaninë naziste.
Për analistët nëpër studio, është e lehtë të kritikojnë mungesën e protestave në sheshe. Por të njëjtët analistë e kanë më e vështirë të pranojnë se sfera publike nuk ka qenë asnjëherë e ndershme me myslimanët. Për 30 vite, elita mediatike, politike e kulturore, ka ndërtuar një narrativë ku Islami është problem, ku myslimani është gjithmonë “për t’u monitoruar”, ku çdo shprehje solidariteti me kauza që prekin botën myslimane shihet me optikën e dyshimit. Vetë Andi Bushati shkruante dikur se korrupsioni dhe pabarazia e sistemit oligarkik rrezikojnë të na sjellin në pushtet islamikët që do të na imponojnë sheriatin.
Nuk mund të bëjmë sikur myslimanët shqiptarë nuk janë anatemuar, nuk janë etiketuar dhe nuk janë diskriminuar në mënyrë të tërthortë në tregun e punës, në administratë apo në hapësirën publike. Nuk mund të injorojmë faktin që për vite me radhë janë prodhuar raporte, projekte, trajnime dhe narrativa të panumërta rreth “parandalimit të radikalizmit”, që në praktikë kanë krijuar një ndjenjë survejimi kolektiv mbi një komunitet të tërë.
Rezultati i gjithë sa më lart është një fenomen i brendshëm që sociologët e quajnë internalizim i stigmës. Kur një grup përballet vazhdimisht me dyshim, ai fillon të vetëdisiplinohet. Fillon të shmangë ekspozimin publik. Fillon të kalkulojë çdo fjalë. Fillon të mendojë se theksimi i identitetit të vet është disavantazh për karrierën, për integrimin, për sigurinë personale. Specifikisht, myslimanët shqiptarë kanë përbrendësuar islamofobinë e ligjërimit publik, që gatuhet në media, në Parlament, në projekte të financuara nga ambasada të huaja, e në sjelljen e vetë institucioneve.
Në vend që të akuzohen myslimanët për mungesë guximi, ndoshta duhet të pyesim: çfarë ambienti kemi ndërtuar me ato që kemi shkruar, thënë dhe bërë këto tre dekada e gjysëm? A kemi dyshuar ndonjëherë se veprimet e institucioneve të sigurisë ndaj myslimanëve janë të padrejta, me të njëjtin patos që kundërshtojmë SPAK-un kur prek politikanë të caktuar? A është Shqipëria një hapësirë ku një mysliman mund të protestojë për Gazën pa u trajtuar si i dyshimtë?
Myslimanët shqiptarë nuk janë një shumicë e tredhur. Ata janë një komunitet që ka mësuar, përmes përvojës, se rënia në sy si mysliman ka çmim. Dhe derisa ky çmim të bjerë, heshtja do të vazhdojë të jetë simptomë e tij.
Vehap Kola

Exit mobile version