Rritja e fëmijëve në Gaza mbetet një betejë e vazhdueshme. Diana Shams, një nënë e re që jeton me dy fëmijët e saj në Rripin e Gazës, rrëfen sfidat e jetës nën luftë. Ajo është autore e librit A Different Kind of Motherhood, ku përshkruan realitetin e rritjes së fëmijëve mes bombardimeve dhe zhvendosjeve të vazhdueshme.
“Në Gaza, edhe mëmësia është një shënjestër. Të mbash jetë do të thotë të mbash rrezik. T’i rrisësh fëmijët nën zjarr, shpërthime, drone dhe zhvendosje të pandërprerë,” thotë ajo.
Para luftës, Shams jetonte në veri, në shtëpinë e saj, me bashkëshortin dhe dy fëmijët. “Kishim një jetë normale, ishim një familje e lumtur, por u detyruam të largoheshim që ditën e dytë të luftës. Mbaja në krahë Rose, foshnjën time shtatë muajshe.”
Ajo thotë se e shkroi librin për të lidhur nënat në gjithë botën me dhimbjen e nënave të Gazës. “Sepse ne ndajmë të njëjtin dashuri, të njëjtat ëndrra dhe të njëjtën forcë për fëmijët. Nënat kudo luten që fëmijët e tyre të kenë një të ardhme më të mirë.”
“Por këtu në Gaza,” shton ajo, “nënat luten që fëmijët e tyre të mbijetojnë edhe për një ditë.”
