Fotografia e Karl Marksit zinte gjysmën e faqes së librit të historisë. Mjekra e madhe, e tëra e thinjur, si një bashkë leshi në furkë, flokët e kërleshura dhe sytë depërtues më bënin ta shikoja gjatë, me një përpjekje për të kuptuar diçka më shumë nga ajo pamje enigmatike. Përpiqesha të gjeja përgjigje se për çfarë shkaku flokët e tij ishin të kërleshura, ndërsa mjekra e krehur me elegancë. Përpiqesha të kuptoja pse ballin e kishte shumë të gjerë, të rrafshtë, si të mbushur me tul, ndërsa qafën e kishte të hollë, sa mezi e mbante tërë atë kokë të madhe? Dhe mbi gjithçka, ishin sytë e tij, tepër depërtues, që kur i shi¬ko¬ja më gjatë, më dukej se ma lexonin kurreshtjen dhe më qortonin.
Arsimtari i historisë e ngriste zërin shumë më lart kur e shqiptonte emrin e Karl Marksit. Kollitej më parë dhe pastaj thërriste: “Karl Marksi”, si të thërriste ndonjërin nga nxënësit për ta pyetur, e mandej fliste sërish me zë më të ulët, por shumë solemn.
– Kur të përmendet emri i Karl Marksit, duhet të lëvizni nga vendi! – udhëzonte kërcënueshëm arsimtari i his-torisë dhe na shikonte disi me inat.
– Arsimtar, nëna më ka thënë se kur të përmendet emri i Zotit, duhet të lëviz nga vendi!- i pata thënë unë hutueshëm, duke u ngritur në këmbë, siç ishte zakoni kur i drejtoheshe arsimtarit.
– Ti e dëgjon fjalën e nënës sate analfabete, apo fjalën e arsimtarit?!
– Jo, arsimtar…
– Pse vjen në shkollë, nëse nëna jote ditka më mirë se unë?
– Arsimtar, unë vetëm…
– Idiot! Dil jashtë!
– Pastaj m’u afrua me hapa të shpejtë, ma ngrehi ve¬shin me forcë dhe më dha një flakaresh, derisa unë po dilja nga klasa i tmerruar. Përplasjen e derës mbas meje nga ana e arsimtarit e shoqëruan disa fjalë shpotitëse të Nazit dhe disa të qeshura.
Në orën tjetër unë rrija kokulur dhe nuk guxoja as ta shikoja tinëz arsimtarin e historisë. Ai përsëriste me zë të lartë emrin e Karl Marksit, shpjegonte zbulimin e materializmit dialektik, thoshte se nuk ekziston kurrgjë tjetër për-veç materies, thoshte se baza materiale e determinon vetëdijen shoqërore dhe prapë përsëriste se kur të përmendet emri i Karl Marksit duhet të lëvizet nga vendi.
Unë nuk e ngrija kokën, sepse kisha frikë nga pamja tri¬umfuese e arsimtarit të historisë. E ndieja shikimin depërtues të tij, të cilin vetvetiu e krahasoja me shikimin depërtues dhe enigmatik të fotografisë së Karl Marksit.
– Ti, a more vesh?! – bërtiti arsimtari i historisë në ças¬tin kur ra zilja. Unë sërish mbaja kokën ulur, megjithëse e ndieja se më ishte drejtuar mua. Fragment nga romani “Fotografitë e kujtimeve” 2003)
