Në thellësitë e Detit Barents, një zbulim i jashtëzakonshëm ka ringjallur misteret e Epokës së Akullnajave. Një vullkan nënujor, i fshehur prej mijëra vitesh nën ujërat e Arktikut, ka zbuluar një “thesare” natyrore që sfidon imagjinatën dhe na ofron një dritare drejt thellësive të Tokës dhe historisë së saj gjeologjike. Megjithatë shkencëtarët kanë një pyetje, çfarë fsheh ky krater i lashtë?
Hulumtuesit, gjatë eksplorimit të shtratit të detit, vunë re një krater të madh, që besohet se është formuar në fund të Epokës së Akullnajave, rreth 18 mijë vjet më parë. Brenda kraterit ata zbuluan një vullkan nënujor, i cili ndodhet rreth 400 metra nën sipërfaqen e ujit dhe që shpërndan baltë dhe metan nga thellësitë e tokës.
“Eksplorimi i shtratit të detit dhe zbulimi i rrjedhave të metanit është si të gjesh thesare të fshehta. Çdo herë që zbresim në shtratin e detit, kemi ndjesinë se sapo kemi filluar të kuptojmë diversitetin e madh dhe të pabesueshëm të këtyre sistemeve,” tha Stefan Buenz, nga Universiteti Arktik i Norvegjisë (UiT), bashkëdrejtues i ekspeditës që bëri këtë zbulim.
I vetmi vullkan i njohur më parë ishte vullkani i quajtur “Håkon Mosby”, i cili u zbulua në vitin 1995 dhe ndodhet në thellësi prej 1,250 metrash në jug të arkipelagut Svalbard.
Këta vullkanë të veçantë na japin mundësinë të shohim direkt brendësinë e Tokës, sepse nxjerrin baltë dhe ujë nga thellësitë që shtrihen nga qindra metra deri në disa kilometra nën tokë. Duke studiuar se si këto lëngje ndryshojnë me kalimin e kohës dhe çfarë përmbajnë, shkencëtarët dhe ekspertët e fushës mund të kuptojmë më mirë se si ndikojnë ato në sasinë e metanit në mbarë botën.
Zbulimi i ri, i quajtur “Vullkani i Baltës Borealis”, besohet të jetë rezultat i një shpërthimi të fuqishëm natyror që liruan sasira masive metani menjëherë pas Epokës së Akullit.
Krateri, i cili ka një diametër rreth 300 metra dhe thellësi 25 metra, strehon një jetë të pasur detare që zhvillohet në anët e thepisura të shtresave karbonate të formuara mijëra vite më parë, sipas Universitetit Arktik të Norvegjisë.
Ky habitat unik përfshin anemona detare, sfungjerë, sfungjerë mishngrënës, yje deti, korale, merimanga deti, krustace dhe fushë të gjera me baktere.
