Sot, flasim përsëri për një vetëvrasje. Flasim, por a dëgjojmë vërtet? A kuptojmë? Apo thjesht i lexojmë fjalët dhe ecim përpara, sikur asgjë nuk ka ndodhur?
Një vajzë 15-vjeçare, Irsa Muçollari, nuk e pa më të ardhmen. Nuk e gjeti më një arsye për të vazhduar. Jo sepse nuk kishte ëndrra, por sepse nuk gjeti një vend ku të ishte vetvetja pa u gjykuar. Sepse u ndje vetëm. Sepse shoqëria jonë, ne të gjithë, nuk i dhamë hapësirë të ndihej e pranuar.
Sistemi arsimor ka dështuar. Familjet kanë dështuar. Ne të gjithë kemi dështuar. Kemi krijuar një shoqëri ku njeriu vlen vetëm për atë që duket, jo për atë që ndjen. Një shoqëri që sheh rrobat, por jo dhimbjen pas tyre. Një shoqëri që mat vlerën e një personi me markat që vesh, jo me shpirtin që ka.
“O Zot, pse po vuaj kështu?” – shkruante ajo në letrën e saj.
Kush e dëgjoi? Kush i dha forcë? Kush i tha që ajo ishte më shumë se veshja e saj, më shumë se talljet që dëgjonte çdo ditë? A ishte dikush aty për t’i thënë që ajo vlente, që ishte e dashur, që nuk ishte vetëm?
Garat për të pasur më shumë, për të qenë më “i bukur”, më “i pasur”, më “i rëndësishëm” po na vrasin. Po na bëjnë të harrojmë se njeriu është një qenie me ndjenja, jo një objekt për konsum.
A thua vërtet gjithë kjo luftë është sepse nuk kemi?
Dyqanet janë plot me rroba, por vajza nuk kishte as një palë që ta bënin të ndihej e barabartë. Magazinat janë plot me ushqime, por shumë fëmijë shkojnë në gjumë të uritur. Ndërtesat po bëhen pa fund, por përsëri ka njerëz që flenë në rrugë.
Irsa iku. Dhe ne? Ne do të vazhdojmë të bëjmë sikur nuk ndodhi asgjë? Apo më në fund do të ndalemi dhe të kuptojmë se kemi humbur rrugën në derën e shtëpive tona?
Hoxhë Vladimir Kera
