Njohja e Palestinës nga disa vende evropiane është një gjest i zbrazët që i lë dorë të lirë Izraelit. Pa sanksione për të ndaluar masakrën në Gaza, kjo nuk është diplomaci, por bashkëfajësi.
Nga Gideon Levy
Njohja ndërkombëtare e një shteti palestinez i bën nder Izraelit, i cili duhet të falënderojë çdo vend që e bën këtë, pasi një njohje e tillë shërben si një alternativë mashtruese ndaj asaj që duhet bërë vërtet: vendosjes së sanksioneve.
Njohja është një zëvendësues i gabuar për bojkotet dhe masat ndëshkimore që duhet të merren kundër një vendi që po kryen gjenocid. Njohja është një fjalë e zbrazët që qeveritë evropiane të lëkundura dhe të dobëta po e përdorin për t’i treguar publikut të tyre të zemëruar se nuk po heshtin.
Njohja e një shteti palestinez, i cili nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë në të ardhmen e afërt, në mos asnjëherë, është heshtje e turpshme. Njerëzit po vdesin nga uria në Gaza, dhe reagimi i Evropës është të njohë një shtet palestinez. A do t’i shpëtojë kjo banorët e Gazës që po vdesin nga uria? Izraeli mund t’i injorojë këto deklarata me mbështetjen e SHBA-së.
Flitet për një “cunami” diplomatik në Izrael, duke qenë se dihet që ai nuk do të arrijë në brigjet e Izraelit, për sa kohë që njohja nuk shoqërohet me vendosjen e një çmimi për gjenocidin.
Kryeministri britanik Keir Starmer, një nga të parët që njohu Palestinën në valën aktuale, pas Francës, e tejkaloi vetveten. Ai u ngut ta paraqiste hapin e tij si një ndëshkim (të kushtëzuar), duke përmbushur kështu detyrën e tij. Nëse Izraeli sillet mirë, premtoi ai, do ta tërheqë gishtin tregues.
Çfarë lloj ndëshkimi është ky, z. Kryeministër? Nëse njohja e Palestinës do të nxisë një zgjidhje, sipas bindjes suaj, pse e paraqisni si një ndëshkim? Dhe nëse është një masë ndëshkimore, ku është ajo?
Kështu ndodh kur frika nga Donald Trumpi bie mbi Evropën dhe e paralizon atë, kur është e qartë se kushdo që vendos sanksione ndaj Izraelit do të paguajë për këtë. Bota preferon një festë verbale për momentin. Sanksionet janë të mira kur bëhet fjalë për pushtimet ruse, jo për ato izraelite.
Hapi i Starmerit bëri që shumë të tjerë të bënin të njëjtën gjë, çka prezantohet në Izrael si një rrëshqitje diplomatike, një cunami. Kjo nuk do ta ndalojë gjenocidin, i cili nuk do të ndalet pa hapa konkretë nga komuniteti ndërkombëtar. Këto janë urgjente në mënyrë të padurueshme, pasi vrasjet dhe uria intensive në Gaza vazhdojnë.
Njohja gjithashtu nuk do të sjellë një shtet. Si e tha dikur liderja e kolonëve, Daniella Weiss, pas një vale të mëparshme njohjesh? “Unë hap dritaren dhe nuk shoh asnjë shtet palestinez.” Ajo nuk do të shohë një të tillë së shpejti.
Në terma afatshkurtër, Izraeli përfiton nga kjo valë njohjesh sepse është një zëvendësues për ndëshkimin që meriton. Në terma afatgjatë, mund të ketë disa përfitime në njohjen e një shteti imagjinar, pasi ajo ngre nevojën për të gjetur një zgjidhje.
Por duhet një masë e çmendur optimizmi dhe naiviteti për të besuar se njohja është ende e rëndësishme. Kurrë nuk ka pasur një kohë më të papërshtatshme; njohja tani është si të fishkëllesh në errësirë. Palestinezët janë pa udhëheqës, dhe udhëheqësit e Izraelit kanë bërë gjithçka që munden për të penguar një shtet të tillë dhe ia kanë arritur.
Është mirë që 10 Downing Street dëshiron një shtet palestinez, por për sa kohë që Jerusalemi nuk e dëshiron, me vendbanimin ekstremist të Jitzhar që po shkatërron pronat palestineze dhe po bëhet më i fortë me mbështetjen e verbër të Uashingtonit për Izraelin, kjo nuk do të ndodhë.
Kur e djathta në Izrael është në kulmin e fuqisë së saj dhe qendra izraelite voton në Knesset për aneksim dhe kundër krijimit të një shteti palestinez, kur Hamasi është entiteti politik më i fortë që kanë palestinezët, ndërsa kolonët dhe ndihmësit e tyre janë organizata më e fortë në Izrael, për çfarë shteti palestinez po flasim? Ku do të ishte ai?
Një stuhi në një gotë uji. Bota përmbush detyrën e saj ndërsa Izraeli shkatërron dhe vret me uri. Plani i spastrimit etnik i mbështetur nga qeveria e Izraelit po realizohet së pari në Gaza. Nuk mund të mendohet për kushte më të këqija për t’u angazhuar në ëndrra për shtetësi.
Ku do të krijohej ai? Në një tunel të gërmuar midis Jitzharit dhe Itamarit? A ka ndonjë forcë që mund të evakuojë qindra mijëra kolonë? Cila?
A ka ndonjë kamp politik që do të luftonte për këtë?
Do të ishte më mirë nëse fillimisht merreshin masa praktike ndëshkimore, duke e detyruar Izraelin t’i japë fund luftës – Evropa i ka mjetet – dhe më pas të sillte në rendin e ditës zgjidhjen e vetme që ka mbetur tani: një demokraci midis Mesdheut dhe lumit Jordan; një person, një votë. Aparteid ose demokraci. Për tmerrin tonë, nuk ka më rrugë të tretë.
Solli në shqip Observer.al
