Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Numri i viktimave nga Ebola në RD të Kongos shkon në mbi...

Numri i viktimave nga Ebola në RD të Kongos shkon në mbi 900, ndërsa rriten infektimet

Numri i viktimave nga shpërthimi aktual i virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos ka shkuar në mbi 900, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga autoritetet shëndetësore të vendit, transmeton Anadolu.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në 2.344, përfshirë 930 viktima, ndërsa transmetimi i virusit në komunitet vazhdon.

Aktualisht, 724 pacientë ndodhen në izolim ose janë të shtruar në spital, ndërsa 466 persona janë shëruar.

Ministria njoftoi se shkalla e vdekshmërisë është rritur në 39,7 për qind, ndërsa shkalla e gjurmimit të kontakteve ka arritur në 85,8 për qind.

Virusi ka prekur pesë provinca – Haut-Uele, Ituri, Kivu i Veriut, Kivu i Jugut dhe Tshopo – që nga shpallja e shpërthimit më 15 maj.

Ituri mbetet epiqendra e epidemisë së shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit, ku transmetimi vazhdon.

Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) njoftuan se ekipet në terren, autoritetet shëndetësore dhe partnerët vazhdojnë të punojnë së bashku për ta vënë shpërthimin nën kontroll.

Yap Boum, drejtor për Gatishmërinë dhe Reagimin ndaj Emergjencave në Africa CDC, tha në një mesazh video se ekziston shpresa që “brenda disa javësh ose muajsh do të shohim përmbysjen e kurbës”, falë përpjekjeve të përbashkëta të qeverisë dhe partnerëve.

Exit mobile version