Organizata të shoqërisë civile nga Turqia prezantuan në Stamboll një raport që përshkruan vizionin dhe perspektivat për të ardhmen e Sirisë.
Raporti me titull “Raporti për Sirinë: Parashikime, Propozime dhe Zgjidhje” u përgatit në bashkëpunim mes Shoqatës Cihannuma, Fondacionit Humanitar IHH dhe Shoqatës Digital Hafiza, dhe u prezantua në një aktivitet të mbajtur në Universitetin Vakëf Fatih Sultan Mehmet.
Në fjalën e tij, guvernatori i Stambollit, Davut Gül, tha se këto përpjekje janë të rëndësishme për të nxjerrë mësime nga e kaluara, për të parandaluar tragjedi të reja në pjesë të ndryshme të botës dhe për të ndihmuar Sirinë ta kapërcejë më lehtë vuajtjen e saj.
Kryetari i Shoqatës Cihannuma, Selim Cerrah, theksoi se raporti është rezultat i një studimi katërmujor mbi Sirinë dhe falënderoi Fondacionin IHH dhe Shoqatën Digital Hafiza për kontributin e tyre. Ndërsa presidenti i IHH-së, Bülent Yildirim, deklaroi se organizata e tij punon jo vetëm për Sirinë, por edhe për Gazën, Afrikën dhe rajone të tjera të botës.
Rektori i Universitetit Fatih Sultan Mehmet Vakif, Nevzat Simsek, vlerësoi se qasja e paraqitur në raport mund të kontribuojë në një vlerësim konstruktiv të përvojës rajonale të Turqisë në rindërtimin e Sirisë. Ai theksoi se analizat tregojnë qartë se çështja siriane nuk mund të trajtohet vetëm nga këndvështrimi i ndihmës humanitare.
Raporti përfshin gjithashtu zgjidhje afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për Sirinë. Programi i aktivitetit përfshiu edhe shfaqjen e një dokumentari të IHH-së për Sirinë, si dhe një panel diskutimi me pjesëmarrjen e akademikëve dhe studiuesve.
Në ngjarje morën pjesë edhe ish-kreu i Drejtorisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, Ali Erbas, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare.
Raporti u përgatit nga 98 autorë nga fusha të ndryshme, përfshirë historinë, filozofinë, shoqërinë, të drejtën, politikën, ekonominë, arsimin, median, urbanistikën, shëndetësinë, ndihmën humanitare, shkencën dhe teknologjinë. Ai u hartua mbi një qasje të bazuar në “bindje, ndërtim dhe ringjallje” për rindërtimin e Sirisë dhe është botuar në tri gjuhë: turqisht, anglisht dhe arabisht. /mesazhi
