Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) njoftoi se më shumë se 1,600 civilë sudanezë u larguan nga qyteti Kertala në Kordofanin e Jugut vetëm më 28 nëntor, për shkak të përkeqësimit të sigurisë dhe shkeljeve të kryera nga forcat paraushtarake RSF.
Sipas agjencisë së OKB-së, të zhvendosurit u strehuan në zona të shpërndara brenda lokalitetit Dalami, ndërsa situata mbetet shumë e tensionuar.
Ndërkohë, ushtria sudaneze njoftoi se ka rimarrë disa zona në perëndim të Abbasiya Tagalit pas përleshjeve me RSF dhe aleatët e saj nga fraksioni SPLM-North. Dy ditë para kësaj, ushtria kishte zmbrapsur një sulm të RSF mbi Kertala.
Zhvendosja masive e fundit vjen pas sulmeve të RSF-së dhe aleatëve të saj në disa fshatra të Kordofanit të Jugut, ku raportohet se janë rrëmbyer të rinj për rekrutime të detyruara.
Rajoni i tre Kordofaneve ka qenë skenë luftimesh të ashpra për javë të tëra, duke detyruar dhjetëra mijëra persona të largohen. Që nga fillimi i konfliktit mes ushtrisë sudaneze dhe RSF-së në prill 2023, mbi 40,000 njerëz janë vrarë dhe rreth 12 milionë janë zhvendosur, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. /mesazhi
