Papa Leo XIV ka vlerësuar Turqinë si shembull të bashkëjetesës paqësore mes besimeve të ndryshme, duke theksuar se shumica myslimane e vendit jeton në harmoni me komunitetet e krishtera.
“Turqia, kryesisht myslimane, ka edhe komunitete të krishtera, duke treguar se besime të ndryshme mund të bashkëjetojnë në paqe; ky është shembulli që i duhet botës,” tha ai të dielën.
Ati i Shenjtë nënvizoi gjithashtu rolin potencial të Turqisë në përpjekjet globale për paqe, duke përmendur lidhjet e presidentit Recep Tayyip Erdogan me udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së — lidhje që, sipas tij, mund të ndihmojnë në ndërmjetësim, në arritjen e armëpushimeve dhe në përfundimin e luftës në Ukrainë.
I pyetur për bisedimet e tij private me presidentin Erdogan rreth krizave në Gaza dhe Ukrainë, Papa konfirmoi zhvillimin e tyre dhe vlerësoi rolin e Turqisë si aktor të rëndësishëm në përpjekjet diplomatike.
Ai përsëriti mbështetjen e Selisë së Shenjtë për zgjidhjen me dy shtete, duke theksuar se, pavarësisht kundërshtimit aktual të Izraelit, “ajo mbetet e vetmja rrugë përpara” për paqe të qëndrueshme mes izraelitëve dhe palestinezëve.
“Kemi të qartë se për momentin Izraeli nuk e pranon këtë zgjidhje, por ne e shohim si të vetmen zgjidhje,” tha Papa Leo XIV gjatë udhëtimit nga Turqia drejt Libanit. /mesazhi
