Një nga ushqimet që të mëdhenj e të vegjël preferojnë më shumë janë pa dyshim patatet e skuqura.
Gjithësesi mënyra e përgatitjes së tyre i bën ato të dëmshme e të rënda për organizmin, ndaj mënyrat alternative më të shëndetshme janë gjithnjë të preferuara.
Shija e mirë e tyre do t’i kthejë në pjatën më të preferuar të të gjithë tryezës.
Ndiqni recetën si mëposhtë dhe përgatitini edhe ju menjëherë në shtëpinë tuaj.
Përbërësit
- 2 patate mesatare
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- 2 thelpi hudhër e grirë
- 1 degë rozmarinë
- 1 lugë gjelle djathë i grirë kaçkavall
- Kripë
Përgatitja
- Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete si fillim ndizni furrën në temperaturën 200 gradë C.
- Qëroni patatet dhe prijini në fije të holla siç bëni zakonisht kur i skuqni.
- Zhytini në një enë me ujë të ngrohtë për 15 minuta para se t’i gatuani dhe më pas thajini me një letër.
- Hidhini ato në një enë bashkë me vajin dhe kripën duke i përzier mirë, derisa të gjithë përbërësit të bashkohen me njëri tjetrin.
- Merrni një tavë, shtrojeni me letër pjekje dhe hidhni aty të gjitha patatet tuaja.
- Përhapini ato nëpër të gjithë sipërfaqen e tavës dhe më pas futini të piqen në furrë.
- Si fillim lërini të piqen për 30 minuta derisa të marrin ngjyrë e më pas nxirrini, spërkatini me hudhër, rozmarinë dhe djathë kaçkavall.
- Futini sërish të piqen për 10 minuta derisa djathi të shkrijë dhe patatet të jeni bërë krokante.
