Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Këto janë mendime të lindura nga begatitë e vizitës në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut dhe në Xhaminë e të Dërguarit të Tij(a.s), si dhe në vendet e pastra. Vendosa t’i ndaj këto mendime në disa pjesë, me qëllim që të ripërtërijmë besnikërinë dhe përkatësinë tonë ndaj kibles sonë, drejtimit tonë në jetë, dhe burimit të frymëzimit për përmirësimin e kësaj bote dhe botës tjetër. Ndoshta, lexuesi që ndjen mall dhe dëshirë të zjarrtë, që zemra i endet dhe shpirti i fluturon në ato vende drite dhe lumturie, do të na kujtojë me një lutje.
Shpresa jonë është që Allahu i Lartësuar të mos na ndalë nga vizita në Shtëpinë e Tij të shenjtë, të mos na privojë nga mirësia e Tij, dhe të na falë me mëshirën dhe bujarinë e Tij.
Çfarëdo suksesi që mund të ketë pasur në këto fjalë të shkruara apo kuptime të shprehura, është nga mëshira e Allahut. E nëse ka ndonjë të metë, është nga vetja ime, ndërsa qëllimi ka qenë i mirë. Allahu na mjafton.
E mbuluar me madhështi dhe veshur me bukuri
Një shikim drejt Qabes të bën të harrosh të gjitha brengat dhe të shëron zemrën… Por, cila është fshehtësia e kësaj ndjenje?
Ndoshta këtë pyetje mund ta kuptojë vetëm ai që ka përjetuar vizitën, është lumturuar prej saj dhe zemra e tij është mbushur me dritë dhe gëzim. Kot nuk kanë thënë: “Kush e ka shijuar, e ka kuptuar.”
Pasha Allahun, edhe po të vendosej e gjithë bota në njërën anë të peshores dhe vetëm një shikim i lumtur drejt Qabes në anën tjetër, do të rëndonte më shumë ai shikim.
Kur i dhuron syve të tu pamjen e Shtëpisë së Shenjtë dhe Qabja qëndron para teje, pas një lodhjeje të gjatë, pas ditësh, muajsh apo edhe vitesh pritjeje, dhe zemra e shpirti gjejnë qetësi tek ajo, atëherë bindesh se në këtë botë ka një parajsë, një begati dhe një prehje shpirtërore.
Cila është fshehtësia e kësaj tërheqjeje të jashtëzakonshme që rrezaton Qabja, megjithëse është vetëm një ndërtesë prej guri, jo prej ari apo argjendi?
Thashë: Sepse gjithë kjo botë, me gjithçka që përmban, nuk e mbush syrin dhe zemrën e njeriut. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sikur biri i Ademit të kishte dy lugina pasuri, do të kërkonte një të tretë, dhe nuk e mbush asgjë barkun e tij përveç dheut. E Allahu e pranon pendimin e kujt pendohet.”[1]
Ndërsa Qabja e Nderuar, ajo e mbush zemrën, e ushqen shpirtin dhe i largon brengat.
Dritat e të Vërtetës rrezatojnë mbi të dhe i shfaqen çdo shikuesi. E si të mos ndodhë kështu, kur ajo është aromatizuar me frymët e profetëve, të dërguarve dhe pasuesve të tyre të devotshëm e të njohur për Allahun? Dhe ende vazhdojnë të vijnë njerëz të mirë nga çdo skaj i largët, dhe në hapësirat e saj vazhdon jehona e teuhidit, thirrja e telbijes, dhe lutjet e të përkushtuarve.
Ndoshta madhështia dhe hijeshia që mbulon Qaben është edhe rezultat i lutjes së mysafirëve të Zotit që thonë: “O Allah, shtoja kësaj Shtëpie nderin, madhërinë, lavdinë dhe respektin. Dhe atyre që e nderojnë, e vizitojnë për haxh apo umre, shtoju nderin, madhështinë, respektin dhe mirësinë.”
Sa për këtë botë dhe zbukurimet e saj, ne jemi urdhëruar të mos e shikojmë me lakmi, por të kalojmë pranë saj me fisnikëri: “E ty të mos shkojnë kurrsesi sytë në atë me çka Ne i pajisëm disa prej tyre, as mos u brengos për ta (pse nuk besuan), kurse ndaj besimtarëve jij i përulur e i butë.”[2]
Ata që rendin pas kësaj bote të kalueshme, që mbledhin pa ngopje e pa qëllim fisnik, ata lënë pas një ndjesi trishtimi dhe boshllëku. E pyeta një grup të rinjsh që ishin për herë të parë për umre: – Si u ndjetë kur u afruat te Qabja? Njëri tha: – Sa më shumë afrohesha, aq më shumë më rrihte zemra fuqishëm, dhe sapo u gjenda përballë saj, ajo u qetësua dhe u mbush me paqe.
Disa i pashë që shpërthyen në lot sapo e panë. Disa të tjerë humbën fjalët nga madhështia.
Shumë njerëz thonë se ndiejnë sikur ka një forcë magnetike që i tërheq drejt Qabes, një tërheqje që nuk e kontrollojnë. Dhe unë u kujtova për fjalën e Allahut: “Dhe kur shtëpinë (Qaben) e bëmë vendkthimi dhe vendsigurie për njerëzit, (u thamë): Vendin ku qëndroi Ibrahimi pranojeni për vendfaljeje! Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: ju të dy pastrojeni shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty”[3]
Dhe komentuesi i njohur Taberi thotë: “Ata që shkojnë tek ajo, nuk ndihen të ngopur; çdo herë që kthehen, duan të kthehen sërish. Sytë e tyre nuk lodhen duke e parë, as në namaz, as në lutje.”
Sa e mahnitshme është kjo Qabe! Mund të rrish para saj për orë të tëra pa dëshirë të largosh sytë.
Dashuria e zemrave për Shtëpinë e Shenjtë dhe vërshimi i haxhinjve nga të gjitha anët është jehonë e thirrjes së lashtë që bëri Halili i Allahut, Ibrahimi (a.s), kur Allahu i urdhëroi: “Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.”[4]
Kjo lidhje është lidhje zemre para çdo gjëje tjetër. Prandaj dhe lutja e Ibrahimit (a.s) ishte: “Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë Tënde të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që ta falin namazin, pra bën që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për të falënderuar me mirënjohje, furnizoi ata me fruta.”[5]
Sa e vërtetë është fjala: “Sa shumë janë ata që janë në haxh, por realisht nuk janë, dhe sa të tjerë që rrinë në shtëpi, por janë duke bërë tavaf me zemrën e tyre.”
Një grua mbi të tetëdhjetat eci duke bërë tavaf me trupin e saj të përkulur si në ruku. Çfarë e shtyn atë? Është malli dhe synimi Allahu.
Një grua shumë e moshuar udhëtoi me ne. Mjekët i kishin thënë se kjo mund të ishte udhëtimi i saj i fundit, dhe ajo zgjodhi që të jetë në Mekë dhe Medinë. Allahu ia mundësoi të përfundonte umren edhe pse përfundoi në spital. Më pas, u kthye në atdhe më mirë se sa kur kishte ardhur.
Nëna ime, Allahu e nderoftë dhe e ruajtë, më tregonte se gjyshi dhe daja kishin bërë haxhin mbi deve, për një rrugë që zgjaste tre muaj vajtje dhe tre muaj kthim.
Edhe haxhinjtë e Magrebit dikur kalonin një vit të tërë në udhëtim për të kryer këtë obligim. Çfarë i shtynte ata të përballonin gjithë ato vështirësi? Ishte madhërimi i urdhrit të Allahut, kërkimi i kënaqësisë së Tij dhe shpresa në faljen dhe mëshirën e Tij.
I thashë një të riu pranë meje, përballë Qabes: “Sa vlerë ka kjo çast për ty, ndërsa je para Qabes?”
Më pa me një vështrim të thellë dhe tha: “Më shumë se gjithë kjo botë, sepse kjo pamje nuk blihet me të gjithë pasuritë e saj është vetëm nga mirësia e Allahut.”
Thashë: Po, është me të vërtetë mirësia dhe mëshira e Allahut që na lejoi të vizitojmë Shtëpinë e Tij. Dhe i lutemi që të mos na privojë kurrë prej saj, për sa kohë kemi frymë, mendje dhe zemër.
Ky është shikimi drejt Qabes – që të zhduk çdo brengë, të pastron zemrën dhe të mbush me qetësi. E çfarë të thuhet për pamjen e fytyrës së Allahut në xhenet?
O Allah! Ashtu siç na mundësove të shohim Qaben e ndershme, na mundëso të shohim fytyrën Tënde fisnike në Ahenet dhe në banesën Tënde të përjetshme.
Nga Mekka e Nderuar – Allahu e mbroftë
Autor: Taha Sulejman ‘Amir
Përktheu: Behar Kaçeli
[1] – Muslimi.
[2] – Sure Hixhr: 88.
[3] – Sure Bekare: 125.
[4] – Sure Haxh: 27.
[5] – Sure Ibrahim: 37.
