Në mendimin islam bashkëkohor, Malik bin Nebij zë një vend qendror si një nga analistët më të thellë të krizës së botës muslimane. Megjithatë, në realitetin shqiptar, emri dhe mendimi i tij mbeten pothuajse të panjohura për fetarinë tonë.
Fetaria jonë, e dalë nga lufta, u fokusua kryesisht në rikthimin e riteve, mësimin bazë të besimit dhe ruajtjen e identitetit fetar. Në këtë proces të domosdoshëm, mendimi kritik, filozofia islame dhe analiza e qytetërimit mbetën në periferi. Malik bin Nebij, i cili nuk ofronte thjesht fetari rituale, por kërkonte reformimin e mendimit dhe të vetëdijes kolektive, nuk gjeti terren të përgatitur.
Një arsye tjetër është se mendimi i Malik bin Nebij nuk përputhet lehtë me diskursin emocional apo me retorikën mobilizuese që shpesh ka dominuar ligjërimin fetar publik. Ai kërkon lexues të durueshëm, të aftë për vetëkritikë dhe të gatshëm të pranojnë se problemi nuk është gjithmonë “tjetri”, por mënyra jonë e të menduarit.
Po ashtu, në hapësirën shqiptare ka munguar një elitë intelektuale fetare që ta shpjegonte dhe ta aktualizonte mendimin e Malik bin Nebij. Pa tekste shpjeguese dhe pa përfshirje në diskursin fetar të ligjërimit publik, idetë e tij mbetën të mbyllura për një rreth shumë të ngushtë lexuesish.
Në shkrimet e tij, ai zhvendos theksin nga viktimizimi historik drejt përgjegjësisë së brendshme, nga ankesat ndaj të tjerëve drejt kritikës së mënyrës se si ne mendojmë, organizohemi dhe veprojmë. Një qasje e tillë kërkon pjekuri intelektuale dhe guxim moral, cilësi që nuk ndërtohen shpejt pas dekadash zbrazëtie kulturore dhe arsimore fetare.
Megjithatë, pikërisht për këtë arsye, mendimi i Malik bin Nebij është sot më i nevojshëm se kurrë për kontekstin shqiptar. Ai nuk ofron slogane, por orientim; nuk prodhon polarizim, por vetëdije; dhe nuk e sheh fenë si strehë emocionale, por si forcë ndërtuese të qytetërimit.
Rikthimi te Malik bin Nebij nuk nënkupton imitimin e verbër të një mendimtari, por hapjen e një dialogu serioz me pyetjen themelore që ai shtroi: si ndërtohet njeriu përpara se të ndërtohet shoqëria? Pa këtë pyetje, fetaria rrezikon të mbetet formë pa përmbajtje, ndërsa shoqëria identitet pa projekt.
Halil Avdulli
