Një ministër italian ka hedhur poshtë kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme, pasi koalicioni që mbështet qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni humbi një votim të rëndësishëm në parlament mbi një projektligj për një ligj të ri zgjedhor, transmeton Anadolu,
“Ne nuk kemi ndërmend t’i japim fund përvojës sonë në qeveri dhe jemi krenarë për stabilitetin që i kemi dhënë vendit”, tha Luca Ciriani për SkyTG24, ministri përgjegjës për marrëdhëniet me parlamentin.
Projektligji i qeverisë, raporton agjencia e lajmeve ANSA, i cili synon t’u japë votuesve mundësinë të shprehin preferencat e tyre për kandidatët në listat zgjedhore, u rrëzua dje në një votim të fshehtë me rezultatin 187 vota kundër dhe 188 pro.
Ciriani tha se rreth 20 deri në 25 deputetë “snajperë” nga shumica qeverisëse thyen radhët dhe votuan kundër amendamentit, duke përfituar nga anonimiteti që garantonte votimi i fshehtë.
Meloni tha se rrëzimi i amendamentit ishte një “mundësi e humbur për popullin italian”, duke shtuar se “ishte gjëja e duhur që duhej provuar” dhe se “ngërçi” i politikës kishte fituar përsëri.
Projektligji do të zëvendësonte sistemin aktual, i cili është një përzierje e përfaqësimit me shumicë dhe atij proporcional, me një sistem proporcional që do të përfshinte vende bonus për koalicionin që arrin të paktën 42 për qind të votave, në mënyrë që të sigurohet një shumicë funksionale në parlament.