Rusia ka paralajmëruar se kontingjentet ushtarake të të ashtuquajturit “koalicion i të gatshmëve” në Ukrainë do të ishin “objektiva legjitime ushtarake” nëse do të vendoseshin atje, transmeton Anadolu.
Duke komentuar deklaratat e presidentit francez, Emmanuel Macron, lidhur me planet për vendosjen e forcave në Ukrainë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e quajti këtë mundësi “të papranueshme” gjatë një konference për media në Moskë.
“Në këtë kontekst, dëshirojmë të theksojmë edhe një herë se vendosja në Ukrainë e çdo kontingjenti ushtarak nga i ashtuquajturi koalicion i të gatshmëve është e papranueshme për vendin tonë”, theksoi ajo.
“Kjo, e përsëris, do të përbënte në fakt ndërhyrje të huaj dhe rritje të kërcënimeve ndaj sigurisë së Rusisë. Njësi të tilla do të konsiderohen nga ne si objektiva legjitime ushtarake”, shtoi ajo.
Zyrtarja ruse gjithashtu tha se dërgesat e armëve nga Perëndimi mbeten një nga pengesat kryesore për arritjen e një zgjidhjeje të konfliktit në Ukrainë.
Ajo iu referua deklaratave të mëparshme të ish-shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili kishte deklaruar se konflikti do të kishte përfunduar “brenda ditësh, javësh ose një muaji” nëse Evropa do të ndalonte furnizimet me armë për Ukrainën.
“Nëse shtetet pjesëmarrëse perëndimore të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë duan vërtet t’i japin fund përballjes, e cila po shteron burimet e vetë taksapaguesve të tyre, atëherë thjesht duhet të ndalojnë furnizimin me armë të regjimit të Kievit”, tha ajo.
Zëdhënësja ruse u bëri thirrje vendeve evropiane që të “ndalojnë së fshehuri pas bisedimeve për paqe dhe të pranojnë hapur se duan vetëm një gjë, agresion”.
Zakharova gjithashtu tha se armët e furnizuara nga Perëndimi janë përdorur kundër civilëve rusë dhe paralajmëroi se disa prej tyre kanë përfunduar në qarkullim të paligjshëm.
“Raste të tilla tashmë janë dokumentuar”, tha ajo, duke shtuar se armë të tilla, sipas saj, janë shfaqur jo vetëm në Evropë, por edhe në Amerikën Latine, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Në një zhvillim tjetër, Zakharova kritikoi stërvitjet ushtarake të zhvilluara nga Polonia pranë kufijve me Rusinë dhe Bjellorusinë, duke i përshkruar ato si një përpjekje për “të treguar forcën”.
Ajo tha se stërvitjet, të zhvilluara më 13 dhe 14 korrik, pasqyrojnë atë që ajo e quajti dëshirën e Varshavës për të forcuar pozitën e saj si “udhëheqësi i Evropës Lindore” dhe “bastioni kryesor i krahut lindor të NATO-s”.
“Intensifikimi i aktivitetit ushtarak të Polonisë pranë kufijve të Rusisë dhe Bjellorusisë demonstron edhe një herë papërgjegjshmërinë e plotë të elitës polake”, tha Zakharova.
