Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rastet me Ebola në Kongo kalojnë 1.200, qeveria përballet me rezistencën e...

Rastet me Ebola në Kongo kalojnë 1.200, qeveria përballet me rezistencën e komuniteteve

Numri i rasteve me virusin Ebola në Republikën Demokratike të Kongos që nga shpallja e shpërthimit aktual në mesin e muajit maj ka arritur në 1.203, përfshirë 321 viktima, ndërkohë raste të reja vazhdojnë të raportohen, transmeton Anadolu

Shifrat më të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë e vendit tregojnë se vendi ka regjistruar 148 të shëruar, ndërsa 419 pacientë ndodhen në izolim ose janë të shtruar në spital.

Epidemia, e shkaktuar nga varianti Bundibugyo, ka prekur 34 zona shëndetësore në tre provinca, përfshirë Ituri, epiqendrën e krizës, si dhe Kivun Verior dhe Kivun Jugor.

Zyrtarët shëndetësorë kanë përmendur si sfida rezistencën e komuniteteve ndaj testimeve pas vdekjes, kapacitetet e pamjaftueshme të trajtimit në Ituri dhe shkallën e ndjekjes së kontakteve, e cila mbetet nën objektivin prej 95 për qind.

“Qeveria kujton se lufta kundër Ebolës është përgjegjësi e secilit. Çdo qytetar inkurajohet të raportojë çdo rast të dyshuar, të respektojë masat higjienike dhe të shmangë kontaktin me trupat e personave të vdekur”, theksohet në deklaratën e ministrisë.

Të enjten, drejtori i përgjithshëm i Qendrave të Afrikës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Afrika CDC), Jean Kaseya, tha se partnerët, përfshirë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), si dhe autoritetet franceze dhe kongoleze, mbeten plotësisht të angazhuara për të frenuar shpërthimin dhe për të mbrojtur komunitetet përmes një përgjigjeje të koordinuar.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në rrjetin social amerikan X tha se “lufta e bën shumë më të vështirë luftimin e Ebolës, duke bllokuar qasjen, duke shpërndarë kontaktet dhe duke i shtyrë njerëzit të fshihen nga frika dhe mosbesimi”.

Exit mobile version