Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ukraina pretendon se ka goditur me raketa një objekt të industrisë ushtarake...

Ukraina pretendon se ka goditur me raketa një objekt të industrisë ushtarake në Volgograd të Rusisë

Ukraina ka pretenduar se raketat e saj kanë goditur një objekt të industrisë ushtarake në qytetin jugor rus Volgograd, transmeton Anadolu.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në rrjetin social amerikan X tha se raketat lundruese FP-5 Flamingo të Ukrainës gjatë natës goditën fabrikën Titan-Barrikady, duke pretenduar se sulmi shkaktoi zjarr në ambientet e objektit.

Duke përshkruar fabrikën, Zelenskyy tha se ajo është një “objektiv legjitim për sanksionet tona me rreze të gjatë veprimi” dhe një “kompleks i madh industrial” ku Rusia prodhon sisteme artilerie dhe pajisje të specializuara ushtarake, përfshirë komponentë për sistemet e lëshimit të raketave që përdoren në sulmet kundër Ukrainës.

“Shtrirja e sanksioneve tona me rreze të gjatë vazhdon të zgjerohet. Pikërisht presioni ynë i përditshëm krijon bazat për një paqe dinjitoze në fund”, shtoi ai.

Më herët, guvernatori i rajonit Volgograd, Andrey Bocharov, shkroi në Telegram se një objekt prodhimi i paidentifikuar në rrethin Krasnooktyabrsky të qendrës administrative të rajonit ishte dëmtuar gjatë një sulmi gjatë natës.

“Fatkeqësisht, si rezultat i sulmit të sotëm me raketa pati një viktimë. Trupi i një punonjësi të fabrikës u gjet gjatë operacionit të pastrimit”, tha Bocharov në një deklaratë më vonë, duke shtuar se 11 persona të tjerë u shtruan në spital, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.

Bocharov gjithashtu tha se kërkimet për një person tjetër në fabrikë po vazhdojnë.

Në një deklaratë tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi 175 dronë ukrainas mbi 10 rajone të vendit, si dhe mbi Detin e Zi dhe Krime.

Verifikimi i pavarur i pretendimeve të të dyja palëve mbetet i vështirë për shkak të luftës që vazhdon.

Exit mobile version