801 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush e zvarrit rrobën e tij me mendjemadhësi, Allahu nuk do ta shikojë atë në Ditën e Kiametit.” Umu Seleme (r.a) tha: “Po si të veprojnë gratë me pjesën e poshtme të rrobave të tyre (fustaneve)?” Ai (a.s) tha: “Le ta lëshojnë një pëllëmbë. (nga mesi i këmbës së poshtme)” Ajo tha: “Atëherë do t’u zbulohen këmbët.” Ai tha: “Le ta lëshojnë një parakrah, por të mos e tejkalojnë atë.”[1]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e lënies së krenarisë (ngritjes) në veshje nga modestia
(Më parë, në kapitullin mbi vlerën e urisë dhe jetesës së ashpër, janë përmendur disa çështje që lidhen me këtë kapitull.)
802 – Muadh ibn Enesi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush e lë (heq dorë nga) veshja (luksoze) përulësisht për hir të Allahut, ndërkohë që është në gjendje ta veshë atë, Allahu do ta thërrasë Ditën e Kiametit përpara të gjitha krijesave, derisa t’i japë mundësinë të zgjedhë cilindo nga petkat e besimit që të dojë, për t’i veshur.”[2]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e të qenët i matur (i mesëm) në veshje
Dhe nuk duhet të kufizohet vetëm me atë që është poshtërues (nënçmues) për pamjen, përveç nëse ka ndonjë nevojë ose qëllim fetar.
803 – Amr ibn Shuajb transmeton nga babai i tij, nga gjyshi i tij se ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet Allahu e do që të shihet gjurma e begatisë së Tij mbi robin e Tij.”[3]
Kapitulli: Ndalimi i veshjes së mëndafshit për burrat, ndalimi që ata të ulen mbi të apo të mbështeten në të, dhe lejueshmëria që gratë ta veshin
804 – Omer ibn Hatabi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Mos përdorni (vishni) mëndafsh, sepse kush e përdor (vesh) atë në Dynja, nuk ka për ta veshur në Ahiret.”[4]
805 – Omer ibn Hatabi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, mëndafshin e vesh vetëm ai që nuk do ta ketë hise ta veshë atë.”[5]
Në transmetimin e Buhariut thuhet: “Ai që nuk do ta ketë hise ta veshë atë në Ahiret.”
806 – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ai që vesh rrobë të mëndafshtë në Dynja, nuk ka për ta veshë atë në Ahiret.”[6]
807 – Aliu (r.a) ka thënë: E pashë të Dërguarin e Allahut (a.s) që mori mëndafshin me dorën e djathtë dhe një (copë) floriri në të majtë, pastaj tha: “Vërtet këto të dyja janë të ndaluara (të përdoren) nga meshkujt e Umetit tim”[7]
808 – Ebu Musa (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Veshja e mëndafshit dhe i floririt janë të ndaluara për meshkujt e Umetit tim dhe janë të lejuara për femrat e tyre (të Umetit)”[8]
809 – Hudhejfe (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) na ndaloi që të pinim nga enët e floririt dhe argjendit dhe të hanim prej tyre. (Po ashtu) na ndaloi të vishnim mëndafsh dhe armaç si dhe të ulemi mbi to.”[9]
Kapitulli: Lejueshmëria e veshjes së mëndafshit për atë që ka kruajtje (sëmundje të lëkurës)
810 – Enesi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ia lehtësoi Zybejrit (r.a) dhe Abdurrahman ibn Aufit (r.a) që të vishnin mëndafsh për shkak se kishin kruajte (nga sëmundja e lëkurës).”[10]
Kapitulli: Ndalesa për të shtruar lëkurat e tigrit dhe për të hipur mbi to
811 – Muauije (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos hipni mbi rrobën e mëndafshë dhe as mbi lëkurën e tigrit.”[11]
812 – Ebu El-Melih transmeton nga babai i tij se i Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar përdorimin e lëkurave të egërsirave.”[12]
Në transmetimin e imam Tirmidhiut thuhet: Ai (a.s) ndaloi që lëkurat e egërsirave të shtroheshin (si shtrojë).
Kapitulli: Çfarë thua kur vesh një rrobë të re, mbath këpucë të reja apo gjëra të ngjashme
813 – Ebu Seid El-Hudri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s), kur vishte një rrobë të re, ia përmendte emrin (llojin): qoftë ajo çallmë, këmishë apo mantel, dhe thoshte: “O Allah, Ty të takon lavdërimi. Ti je Ai që ma ke dhënë këtë veshje. Të kërkoj prej Teje të mirën e saj dhe të mirën për të cilën është prodhuar, dhe kërkoj mbrojtje tek Ti prej të keqes së saj dhe prej të keqes për të cilën është prodhuar.”[13]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e fillimit me anën e djathtë gjatë veshjes
Libri: Etika e gjumit
Kapitull: Etika e të fjeturit, të shtrirët, të ulurit, të ulurit me të tjerët dhe të ëndërruarit
814 – Bera ibn Azib (r.a) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) shtrihej në shtrat për të fjetur, binte në krah të djathtë dhe pastaj thoshte: “O Allah! Ty të jam dorëzuar, fytyrën time e kam drejtuar tek Ti, çëshjten time ta kam dorëzuar Ty, shpinën time e kam strehuar tek Ti. Unë kërkoj shpërblimin Tënd dhe kam frikë prej ndëshkimit Tënd. Nuk ka strehë dhe mbrojtje përveçse tek Ti. Kam besuar në Librin Tënd të cilin e ke zbritur dhe kam besuar në profetin Tënd të cilin e ke dërguar.”[14]
815 – Bera ibn Azib (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) më tha: “Kur të shkosh në shtrat, merr abdes siç do bëje për namaz, pastaj shtrihu në anën tënde të djathtë dhe thuaj… dhe përmendi diçka të ngjashme, duke përfshirë: Dhe bëji ato gjënë e fundit që do të thuash!”[15]
816 – Aishe (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) ka pasë falur natën njëmbëdhjetë rekate, dhe kur lindte agimi (sabahu), ai falte dy rekate të lehta, pastaj shtrihej në anën e tij të djathtë derisa të vinte muezini dhe ta thërriste për ezanin.”[16]
817 – Hudhejfe (r.a) tregon: “Kur Profeti (a.s) shtrihej natën në shtrat për të fjetur, e vendoste dorën nën faqe dhe thoshte: “O Allah me emrin Tënd vdes dhe ringjallem.” Kur zgjohej, ai (a.s) thoshte: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili na ringjalli pasi ne ishim të vdekur dhe tek Ai do të kthehemi.”[17]
818 – Jeish ibn Tahfete El-Gifari (r.a) ka thënë: Babai im ka thënë: “Ndërsa isha i shtrirë në xhami me barkun tim, një burrë më preku me këmbën e tij dhe tha: Kjo është një mënyrë shtrirjeje që Allahu e urren. Ai tha: Unë pashë (se kush ishte) dhe ai ishte i Dërguari i Allahut (a.s).”[18]
819 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush ulet në një vend në të cilin nuk përmendet Allahu i Lartësuar, ka mbi vete prej Allahut një humbje. Dhe kush shtrihet në një shtrat (ose mënyrë shtrirjeje) pa e përmendur Allahun e Lartësuar në të, ka mbi vete prej Allahut një humbje.”[19]
Kapitulli: Lejueshmëria e shtrirjes mbi shpinë dhe vendosjes së njërës këmbë mbi tjetrën, nëse nuk frikësohet zbulimi i pjesëve të turpshme; dhe lejueshmëria e të qëndruarit ulur me këmbë të kryqëzuara apo të lidhura (të mbledhura duke i kapur me krahët).
820 – Nga Abdullah ibn Jezidi (r.a) transmetohet se ai e pa të Dërguarin e Allahut (a.s) të shtrirë në xhami, duke e pasur njërën këmbë të vendosur mbi tjetrën.”[20]
821 – Xhabir ibn Semure (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) kur e falte sabahun, ulej në mënyrë të qetë (me këmbët e mbledhura) në vendin e tij derisa të lindte dielli plotësisht dhe bukur.”[21]
822 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) në oborrin e Qabes, të mbështjellë me duart e tij kështu, dhe ai e përshkroi me duart e tij mënyrën e të qëndruarit i mbledhur, që është pozicioni “kurfusa” (ulje me gjunjë të mbledhur dhe krahët përqark këmbëve).”[22]
823 – Kajlete bintu Mahzemeh (r.a) ka thënë: “E pashë Profetin (a.s) teksa ishte ulur në pozicionin “kurfusa” (ulje me gjunjë të mbledhur dhe krahët përqark këmbëve). Kur e pashë të Dërguarin e Allahut (a.s) në atë gjendje përuljeje dhe nënshtrimi në ulje, më kaploi një dridhje prej frikës.”[23]
824 – Sherid ibn Suejd (r.a) ka thënë: “Më kaloi i Dërguari i Allahut (a.s) ndërsa isha ulur kështu, kisha vendosur dorën time të majtë pas shpinës dhe isha mbështetur mbi pjesën e pasme të dorës sime. Ai tha: “A ulesh në mënyrën e atyre që janë nën zemërimin (e Allahut)?”[24]
Kapitulli: Etika e qëndrimit në kuvend dhe atij që qëndron në të
825 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut ka thënë: “Askush prej jush nuk duhet ta detyrojë një njeri të ngrihet nga vendi i tij dhe pastaj të ulet vetë në të, por përkundrazi bëjini vend (njëri –tjetrit) dhe zgjerojuni! Kur dikush ngrihej nga vendi i tij për t’ia liruar atë Ibn Omerit, ai nuk ulej në të.”[25]
826 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse dikush ngrihet nga vendi që është ulur (për shkak të një nevoje), ai i vend i takon atij edhe kur të kthehet”.[26]
827 – Xhabir ibn Semure (r.a) ka thënë: “Kur shkonim te Profeti (a.s), secili prej nesh ulej aty ku të gjente vend bosh.”[27]
828 – Ebu Abdulla, Selman El-Farisi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk lahet një burrë ditën e xhumasë dhe pastrohet sa të mundet nga pastrimi, dhe lyhet me parfum ose prek ndonjë nga era e mirë e shtëpisë së tij, pastaj del (për në xhami) dhe nuk i ndan dy veta (duke u futur mes tyre), pastaj falet aq sa i është caktuar për t’u falur dhe qëndron në heshtje kur të flasë imami, veçse i falen mëkatet ndërmjet asaj xhumaje dhe xhumasë tjetër.”[28]
829 – Amr ibn Shuajb transmeton nga babai i tij, nga gjyshi i tij se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk është e lejuar për një burrë të hyjë mes dy vetave (duke i ndarë ata), përveçse me lejen e tyre.”[29]
Në transmetimin e imam Ebu Daudit thuhet: “Mos të ulet midis dy personave përveçse me lejen e tyre.”
830 – Hudhejfe ibn Jemani (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) e ka mallkuar atë person i cili ulet në mes të halekatës (rrethit).”[30]
Imam Tirmidhiu transmeton nga Ebu Mixhlez se një burrë u ul në mes të rrethit, dhe Hudhejfe tha: “I mallkuar në gjuhën e Muhamedit (a.s)” ose “Allahu e ka mallkuar në gjuhën e Muhamedit (a.s) atë që ulet në mes të rrethit.”
831 – Ebu Seid El-Hudri (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Mexhlisi më i hajrit është ai që është më i gjerë.”[31]
832 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush qëndron në një mexhlis dhe gjatë tij bën shumë veprime të gabuara, nëse para se të ngrihet nga mexhlisi thotë: “I lartësuar je ti o Allah dhe vetëm Ty të takon falënderimi. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Teje. Të kërkoj falje dhe tek Ti pendohem”, atëherë atij do t’i falen gabimet që ka bërë në atë mexhlis.”[32]
833 – Ebu Berzete (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) zakonisht kur dëshironte të ngrihej nga një tubim (mbledhje), thoshte: “Subhâneke All-llâhumme ue bihamdik, eshhedu en lâ ilâhe il-lâ ente, estagfiruke ue etûbu ilejk” (Qofsh i lavdëruar, o Allah, dhe Ty të qoftë lavdi; dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje; kërkoj falje prej Teje dhe kthehem me pendim tek Ti). Një burrë i tha: “O i Dërguar i Allahut! Vërtet ti po thua një fjalë që nuk e kishe zakon ta thoshe më parë?”Ai (a.s) tha: “Ajo është shlyerje (kompensim) për ato që ndodhin në tubim (mbledhje).”[33]
834 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: Rrallëherë ndodhte që i Dërguari i Allahut (a.s) të ngrihej nga një tubim pa i bërë këto lutje: “Allahummeksim lena min khashjetike ma tehulu bihi bejnena ue bejne ma‘sijetike, ue min ta‘atike ma tubel-liguna bihi xhennetek, ue minel-jekîni ma tuheuuin bihi ‘alejna mesaibed-dunja. Allahumme metti‘na bi-esma‘ina, ue ebsarina, ue kuuetina ma ahjejtena, uexh‘alhu-l-uarithe minna. Uexh‘al the’rana ‘ala men dhalemena, uensurna ‘ala men ‘adana, ue la texh‘al musibetena fi dinina, ue la texh‘id-dunja ekbera hemmina, ue la meblega ilmina, ue la tusal-lit alejna men la jerhamuna.” (O Allah, ndaj për ne prej frikës Tënde aq sa të na ndalojë nga mëkatimi ndaj Teje; dhe prej bindjes ndaj Teje aq sa të na çojë në Xhenetin Tënd; dhe prej bindjes së fortë (besimit të sigurt) aq sa të na lehtësojë sprovat e kësaj bote. O Allah, na bëj të kënaqemi me dëgjimin tonë, shikimin tonë dhe fuqinë tonë për aq kohë sa na mban gjallë, dhe bëji ato trashëgimi (që të mos na mungojnë deri në fund). Dhe bëje hakmarrjen tonë kundër atij që na ka bërë padrejtësi, dhe ndihmona kundër atij që na armiqëson. Mos e bëj fatkeqësinë tonë në fenë tonë, dhe mos e bëj dynjanë merakun tonë më të madh, as kulmin e dijes sonë. Dhe mos vë mbi ne ndokënd që nuk na mëshiron.”[34]
835 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Sa herë që një grup njerëzish ngrihen nga një mexhlis dhe nuk e kanë përmendur Allahun e Lartësuar gjatë tij, do të ngrihen sikur kanë ngrënë nga coftina e gomarit. Kjo kohë që ata kanë qëndruar (pa e përmendur Allahun) do të jetë pikëllim për ta.”[35]
836 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ulet një grup njerëzish në ndonjë tubim pa e përmendur Allahun e Lartësuar në të, dhe pa dërguar salavate për Profetin e tyre në të, veçse ai (tubim) do të jetë barrë (përgjegjësi) kundër tyre; e nëse do, Allahu i ndëshkon ata, dhe nëse do, ua fal.”[36]
837 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush ulet në një vend në të cilin nuk përmendet Allahu i Lartësuar, ka mbi vete prej Allahut një humbje. Dhe kush shtrihet në një shtrat (ose mënyrë shtrirjeje) pa e përmendur Allahun e Lartësuar në të, ka mbi vete prej Allahut një humbje.”[37]
Kapitulli: Rreth ëndrrave dhe ato që kanë lidhje me to
838 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: E kam dëgjaur të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Nga profetësia nuk ka ngelur gjë tjetër përveç sihiariqeve”. Njerëzit e pyetën: “Cilat janë sihiariqet”? Ai (a.s) tha: “Ëndrra e mirë.”[38]
839 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Kur të vijë fundi i kohës (kësaj bote), ëndrra e besimtarit zor se do të gabojë. Ëndrra e besimtarit është një e dyzet e gjashta pjesë e profetësisë.”[39]
Në një transmetim tjetër thuhet qëndron se Profeti (a.s) ka thënë: “Ai që i ka ëndrrat e vërteta është i sinqertë edhe në fjalët e tij.”
840 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush më sheh mua në ëndërr, do të më shohë edhe kur të zgjohet në Ditën e Ringjalljes, ose është sikur më ka parë zgjuar, sepse shejtani nuk mund të marrë formën time.”[40]
841 – Ebu Seid Hudriu (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë:“Kur prej jush shikon një ëndërr që i pëlqen, le ta dijë se ajo është prej Allahut të Lartësuar, le ta falënderojë Atë dhe le t’ia tregojë atë të tjerëve.”[41]
Në një transmetim tjetër qëndron se Profeti (a.s) ka thënë:“Këtë ëndërr t’ia tregojë vetëm atij që e do. Kur shikon një ëndërr që nuk e pëlqen, le ta dijë se ajo është nga shejtani, prandaj le të kërkojë mbrojtje nga Allahu ndaj asaj dhe mos t’ia tregojë askujt, sepse nëse nuk tregohet, nuk ka për t’i shkaktuar atij asnjë dëm.”
842 – Ebu Katade (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Ëndra e mirë (dhe në një transmetim tjetër thuhet) ëndrra e bukur është prej Allahut. Kurse ëndrra e keqe është prej shejtanit. Kështu, kush shikon një ëndër të cilën nuk e pëlqen, le të fryjë tre herë në anën e majtë dhe të kërkojë mbrojtje prej Allahut ndaj shejtanit, sepse ëndrra e keqe nuk i bën dëm.”[42]
843 – Xhabiri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush sheh një ëndërr që nuk i pëlqen, le të pështyjë (lehtë) në të majtë tri herë, le të kërkojë mbrojtje te Allahu nga shejtani tri herë dhe le të kthehet në anën tjetër nga ajo në të cilën ishte shtrirë.”[43]
844 – Ebu Es’ka, Uathile ibn Es’ka (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, nga shpifjet më të kobshme janë: dikush që pretendon se ka për baba filanin, por që në të vërtetë nuk është babai i tij, dikush që pretendon se ka parë një ëndërr, por që në të vërtetë nuk e ka parë atë, dikush që pretendon se i Dërguari i Allahut ka thënë këtë fjalë, por në të vërtetë ai (a.s) nuk e ka thënë atë fjalë.”[44]
Libri: Paqja
Kapitulli: Vlera e paqes dhe urdhëri për ta përhapur atë
845 – Abdullah ibn Amër Asi (r.a) tregon: “Dikush e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): “Cili është treguesi i përkushtimit më të mirë në Islam”? Ai (a.s) tha: “Të japësh ushqim (për nevojtarët) dhe të përshëndesësh me selam atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh.”[45]
846 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Kur Allahu e krijoi Ademin (a.s) i tha: “Shko dhe jepi selam atij grupi engjëjsh që janë ulur dhe dëgjo se si do ta kthejnë ata selamin, sepse e njëjta mënyrë e përshëndetjes tënde dhe e engjëjve do të jetë edhe për pasardhësit e tu. Ai (Ademi) u tha: “Es-selamu alejkum – Paqja qoftë mbi ju”. Ata iu përgjigjën: “Es-selamu alejke ue rahmetullahi – Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ty”. Ata shtuan në përshëndetje shprehjen: rahmetullahi -mëshira e Allahut.”[46]
847 – Ebu Umarete, Bera ibn Azib (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) na ka urdhëruar që të veprojmë shtatë gjëra: të vizitojmë të sëmurin, të përcjellim xhenazen, të lutemi për atë që teshtin, të përkrahim atë që është i pafuqishëm, të ndihmojmë atë që i është bërë padrejtësi, të përhapim selamin dhe të justifikojmë atë që betohet.”[47]
848 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhenet, nëse nuk besoni dhe nuk do të besoni, pa e dashur njëri-tjetrin. A t’ju tregoj për diçka, të cilën nëse e bëni, do ta doni njëri-tjetrin? Përhapni selamin mes jush!”[48]
849 – Ebu Jusuf, Abdullah ibn Selami (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “O ju njerëz! Përhapeni selamin mes veti, jepuni ushqim (të tjerëve), mbajini lidhjet farefisnore dhe falni namaz (vullnetar) ndërkohë që njerëzit janë në gjumë, me qëllim që të hyni në Xhenet me paqe.”[49]
850 – Nga Tufejl ibn Ubej ibn Ka‘b transmetohet se ai shkonte te Abdullah ibn Omeri (r.a) dhe dilte me të herët (në mëngjes) në treg. Ai (Abdullahu) nuk kalonte pranë ndonjë tregtari, të varfri apo dikujt tjetër pa e përshëndetur (me selam). Tufejli thotë: Një ditë shkova te Abdullah ibn Omeri (r.a) dhe ai më mori me vete për në treg. I thashë: “Çfarë të duhet tregu, kur ti as nuk ndalesh për të blerë, as nuk pyet për mallrat, as nuk bën pazare e as nuk ulesh në ndonjë nga vendet e tregut? Pse nuk ulesh me mua këtu dhe të bisedojmë?” Ai më tha: “O Ebu Batn!” — dhe Tufejli ishte njeri me bark të madh — “Ne dalim vetëm për hir të përshëndetjes, që t’i japim selam kujtdo që takojmë.”[50]
Kapitulli: Si duhet të japim selam
851 – Imran ibn Husejn (r.a) tregon: “Një burrë erdhi te Profeti (a.s) dhe tha: “Es-selamu alejkum- Paqja qoftë mbi ju”. Profeti (a.s) ia ktheu selamin dhe kur ai burri u ul, Profeti (a.s) tha: “Dhjetë (ky mori dhjetë sevape me selamin që dha)”. Pastaj erdhi një burrë tjetër, i cili tha: Es-selamu alejkum ue rahmetullahi – Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju”. Profeti (a.s) ia ktheu selamin, dhe kur ai burri u ul, ai (a.s) tha: “Njëzet (ky mori njëzet sevape me selamin që dha)”. Pastaj erdhi një burrë tjetër dhe tha: “Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu – Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qoftë mbi ju). Profeti (a.s) ia ktheu selamin dhe kur burri u ul, ai (a.s) tha: “Tridhjetë (ky mori tridhjetë sevape me selamin që dha).”[51]
852 – Aishja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) më tha: “Ky është Xhibrili (a.s) që po të përshëndet me selam”. Unë ia ktheva: “Ue alejhis selamu ue rahmetuhu ue berekatuhu (Paqja e Allahut qoftë mbi të, si dhe mëshira dhe bekimet e Allahut mbi të)”[52]
853 – Nga Enesi (r.a.) transmetohet se Profeti (a.s) kur fliste një fjalë e përsëriste atë tri herë, që të kuptohej prej tij, dhe kur vinte te një grup njerëzish dhe i përshëndeste, u jepte selam atyre tri herë.”[53]
854 – Mikdadi (r.a) tregon (në hadithin e gjatë të treguar prej tij): “Ne i jepnim Profetit (a.s) hisen e tij të qumështit. Ai vinte natën, jepte selam me zë aq sa nuk zgjonte atë që ishte në gjumë dhe e dëgjonte ai që ishte zgjuar. Profeti (a.s) erdhi dhe dha selam, ashtu siç e kishte zakon.”[54]
855 – Esma bintu Jezid (r.a ) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) kaloi një ditë në xhami dhe një grup grash ishin ulur (aty), e ai bëri me dorë për t’i përshëndetur me selam.”[55]
856 – Ebu Xhurej El-Hexhimij (r.a) ka thënë: Erdha te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i thashë: “Alejkes-selam, o i Dërguar i Allahut.” Ai tha: “Mos thuaj ‘Alejkes-selam’, sepse ‘Alejkes-selam’ është përshëndetje e të vdekurve.”[56]
Kapitulli: Etikat e dhënies së selamit
857 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kalorësi përshëndet i pari me selam atë që është duke ecur në këmbë. Këmbësori përshëndet i pari me selam atë që është i ulur. Ata që janë më pak në numër pëshëndesin të parët me selam ata që janë më të shumtë në numër.”[57]
Dhe në transmetimin e imam Buhariut, lexojmë: “I vogli përshëndet të madhin.”
858 – Ebu Umame, Sud-dij ibn Axhlan el-Bahili (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, njerëzit më të afërt me Allahun janë ata që e nisin të parët përshëndetjen me selam.”[58]
Dhe në transmetimin e imam Tirmidhiut, nga Ebu Umame (r.a) transmetohet se dikush tha: “O i Dërguar i Allahut, dy njerëz takohen – cili prej tyre duhet ta nisë i pari selamin?” Ai tha: “Më i afërti prej tyre me Allahun është ai që e nis i pari selamin.”[59]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e përsëritjes së selamit ndaj atij që takohet përsëri për së afërmi, si p.sh. kur dikush hyn, pastaj del dhe pastaj hyn sërish menjëherë, ose në mes tyre ndodhet një pemë apo diçka e ngjashme
859 – Nga Ebu Hurejra (r.a), në hadithin e njeriut që e fali keq namazin e tij, thuhet se ai erdhi dhe fali namazin, pastaj erdhi te Profeti (a.s) dhe i dha selam, e ai ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu dhe fale (namazin), sepse nuk ke falur (siç duhet).” Pastaj ai u kthye dhe fali namazin, pastaj erdhi dhe i dha selam Profetit (a.s), dhe kjo ndodhi tri herë.”[60]
860 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kur ndonjëri prej jush takon vëllanë e tij, le ta përshëndesë me selam. Nëse ata i ndan ndonjë pemë, mur apo gur dhe përsëri takohen, le ta përshëndesë përsëri me selam.”[61]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e dhënies së selamit kur hyn në shtëpinë e tij
861 – Enesi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) më tha:“Biri im! Kur të hysh tek familja (në shtëpi) jep selam, pasi do të kesh begati ti dhe familja jote.”[62]
Kapitulli: Të përshëndetësh fëmijët me selam
862 – Thabit Bunaniu tregon: “Kur Enesi (r.a) po kalonte në rrugë pa disa fëmijë. Ai u afrua tek ata dhe u dha selam. Më pas tha: “Kështu vepronte Profeti (a.s).”[63]
Kapitulli: Burri përshëndet me selam gruan e tij, gratë mahrem që janë të afërme dhe ndonjë grua (që konsiderohet) të huaj apo të huaja, nëse nuk ka frikë nga tundimi prej tyre dhe po ashtu ato (gratë) i japin atij selam, me këtë kusht
863 – Nga Sehl ibn Sa’di (r.a) transmetohet se ai ka thënë: “Ndër ne ishte një grua… dhe në një transmetim tjetër: “Ne kishim një plakë e cila merrte disa rrënjë të panxharit të egër (ose të një lloj bime jeshile) dhe i hidhte në tenxhere, pastaj bluante disa kokrra elbi. Kur e falnim xhumanë dhe ktheheshim, i jepnim selam asaj dhe ajo na e shërbente atë (ushqim).”[64]
864 – Nga Ummu Hani, Fahitete bintu Ebu Talibin (r.a) transmetohet se ajo ka thënë: “Erdha te Profeti (a.s) ditën e çlirimit (të Mekës), dhe ai ishte duke u larë, ndërsa Fatimja (vajza e tij) e mbulonte me një rrobë, dhe unë i dhashë selam. Pastaj ajo tregoi hadithin”[65]
865 – Esma bintu Jezidi (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) kaloi pranë nesh – grave – dhe na përshëndeti me selam”[66]
Dhe në transmetimin e Tirmidhiut, lexojmë se: Esma bintu Jezid (r.a ) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) kaloi një ditë në xhami dhe një grup grash ishin ulur (aty), e ai bëri me dorë për t’i përshëndetur me selam.”[67]
Kapitulli për ndalimin e nisjes së përshëndetjes me selam ndaj jobesimtarëve, mënyra e përgjigjes ndaj tyre dhe pëlqyeshmëria e dhënies së selamit një grupi ku ka myslimanë dhe jobesimtarë.
866 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos i jepni selam të parët hebrenjve dhe të krishterëve. E nëse takoni ndonjërin prej tyre në rrugë, detyrojeni të kalojë nga pjesa më e ngushtë e saj.”[68]
867 – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse ithtarët e Librit ju përshëndesim me selam duke ju thënë: Es Selamu alejkum, ju kthejani selamin duke thënë vetëm: ue alejkum – dhe për ju”[69]
868 – Nga Usame (r.a), se Profeti (a.s) kaloi pranë një kuvendi i cili përbëhej nga myslimanë, idhujtarë – adhurues të idhujve – dhe hebrenj, dhe Profeti (a.s) i përshëndeti ata me selam.”[70]
Kapitulli mbi pëlqyeshmërinë e dhënies së selamit kur ngrihet nga mexhlisi (tubimi) dhe kur ndahet nga shokët e tij me të cilët është ulur apo nga bashkëbiseduesi i tij.
869 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush arrin në një mexhlis (tubim), le të japë selam; dhe kur të dëshirojë të ngrihet (nga ai mexhlis), le të japë (përsëri) selam, sepse e para nuk është më e merituar se e dyta.”[71]
Kapitulli i kërkimit të lejes dhe rregullave të tij të mirësjelljes
870 – Ebu Musa El-Esh’arij (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kërkimi i lejes (për të hyrë) është tre herë. Nëse të jepet leje, (hyr); e nëse jo, atëherë kthehu!”[72]
871 – Sehl ibn Sa’di (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, urdhëri për të marrë leje (për të hyrë në shtëpinë e tjetrit) është bërë për shkak që të ruhen kufinjtë e shikimit.”[73]
872 – Rib’ij ibn Hirashi (r.a) ka thënë: Na tregoi një burrë nga fisi Benu Amir se ai kërkoi leje për të hyrë te Profeti (a.s) ndërsa ai ishte në shtëpi, dhe tha: “A të hyj?” Profeti (a.s) i tha shërbëtorit të tij: “Dil tek ky dhe mësoja rregullin e kërkimit të lejes, dhe thuaji: Thuaj: ‘Es-selamu alejkum, a të hyj?’” Burri e dëgjoi këtë, dhe tha: “Es-selamu alejkum, a të hyj?” Atëherë Pejgamberi (a.s) i dha leje dhe ai hyri.”[74]
873 – Kildete ibn El-Hanbeli (r.a) ka thënë: Erdha tek Profeti (a.s), hyra (në shtëpinë e tij), por nuk e përshëndeta me selam. Profeti (a.s) tha: “Kthehu dhe thuaj: Es selamu alejkum, a të hyj?”[75]
Kapitulli: Sqarimi se suneti është që, kur i kërkohet atij që kërkon leje (për të hyrë në shtëpi): “Kush je?”, të përgjigjet: “Filani” dhe të përmendë veten me emrin ose nofkën me të cilën njihet, dhe se është e papëlqyeshme të thotë: “Unë” ose shprehje të ngjashme
874 – Nga Enesi (r.a), në hadithin e tij të njohur për Isranë, ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Pastaj më ngriti Xhibrili në qiellin e parë dhe kërkoi të hapet (porta). U tha: Kush është? Tha: Xhibrili. U tha: Kush është me ty? Tha: Muhamedi. Pastaj u ngjit në qiellin e dytë dhe kërkoi të hapet. U tha: Kush është? Tha: Xhibrili. U tha: Kush është me ty? Tha: Muhamedi. Dhe kështu në të tretin, të katërtin dhe te të tjerët, dhe në derën e çdo qielli thuhej: Kush është? e ai përgjigjej: Xhibrili.”[76]
875 – Ebu Dherri (r.a) ka thënë: “Një natë dola dhe pashë që i Dërguari i Allahut po ecte vetëm. Unë fillova të ecë nën hijen e Hënës. Ai (a.s) u kthye (nga unë) më pa dhe tha: Kush është ky? Unë thashë: Ebu Dherri.”[77]
876 – Ummu Hani (r.a) ka thënë: Erdha tek Profeti (a.s) e ai po lahej kurse Fatimja po e mbulonte me rrobë. Ai tha: Kush është kjo? Unë thashë: Unë jam Ummu Hani.”[78]
877 – Xhabiri (r.a) ka thënë: Erdha tek Profeti (a.s) dhe trokita në derë. Ai tha: Kush është? Unë thashë: Unë. Ai tha: Unë, unë?! Atij sikur nuk i pëlqeu kjo përgjigje.”[79]
Kapitulli: Pëlqimi për t’i thënë “Jerhamakullah” atij personi që pasi teshtin falenderon Allahun dhe mospëlqimi i kësaj fjale për atë që nuk e falenderon Allahun pasi teshtin. Sqarimi i etikave të atij që teshtin dhe gogësit
878 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë:“Me të vërtetë, Allahu e do teshtimën e njeriut dhe urren gogësimën. Nëse dikush teshtin dhe falënderon Allahun e Madhëruar (duke thënë elhamdulilah), myslimani që e dëgjon duhet të lutet për vëllanë e tij me fjalët: “Allahu të mëshiroftë”. Gogësima është prej shejtanit, prandaj kur ju vjen të gogësini, shmangeni sa të mundeni. Dijeni se shejtani qesh me atë që gogësin.”[80]
879 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë:“Kur dikush prej jush teshtin, le të thotë: “Elhamdu lil-lah – Falënderimet i takojnë Allahut”. Vëllai apo shoku i tij duhet t’i thotë: “Jerhamukall-llah – Allahu të mëshiroftë”. Nëse vëllai apo shoku i tij lutet për të me fjalët “jerhamukallah” atëherë ai duhet t’i përgjigjet me fjalët: “Jehdikumull-llahu ue juslihu balekum – Allahu të udhëzoftë dhe të ndriçoftë (përmisoftë) mendjen.”[81]
880 – Ebu Musa (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur dikush teshtin dhe e falënderon Allahun, atëherë lutuni për të duke i thënë: “Allahu të mëshiroftë”. Nëse ai teshtin dhe nuk e falënderon Allahun, as ju mos u lutni për të.”[82]
881 – Enesi (r.a) ka thënë: Dy burra teshtitën pranë Profeti (a.s). Ai (a.s) bëri dua (tha “Jerhmukallah”) për njërin, por jo për tjetrin. Ai që nuk iu bë dua tha: “Filani teshtiu dhe ti i the ‘Jerhmekallah’, kurse unë teshtiva dhe ti nuk më the asgjë?” Profeti (a.s) tha: “Ky e lavdëroi Allahun, ndërsa ti nuk e lavdërove Allahun.”[83]
882 – Ebu Hurejra (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) teshtinte, e vendoste dorën apo shaminë në gojë, për të zvogëluar ose për të ulur (transmetuesi dyshon se cila prej fjalëve është thënë) sa më shumë zërin e teshtimës.”[84]
883 – Ebu Musa (r.a) tregon: “Hebrenjtë teshtinin në prezencë të Dërguarit të Allahut (a.s) me shpresë se ai (a. s) do të lutej për ta me fjalët: “Allahu të mëshiroftë”. Kur ata teshtinin, Profeti (a.s) lutej me fjalët: “Allahu ju udhëzoftë dhe ju rregulloftë mendjen.”[85]
884 – Ebu Seid el Hudri ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush hap gojën (nga të përgjumurit), le ta mbajë me dorë gojën, sepse shejtani hyn.”[86]
Kapitulli: Pëlqyeshmëria e shtrëngimit të duarve gjatë takimit, buzëqeshjes në fytyrë, puthjes së dorës së burrit të devotshëm, puthjes së fëmijës nga mëshira, përqafimit të atij që kthehet nga udhëtimi dhe urrejtjes (mospëlqimit) së përkuljes
885 – Nga Ebu el-Khatab, Katade transmetohet se ka thënë: I thashë Enesit: “A i shtrëngonin shokët e të Dërguarit (a.s) duart me njëri-tjetrin? Ai tha: Po.”[87]
886 – Enesi (r.a) ka thënë: Kur erdhën banorët e Jemenit, i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Kanë ardhur tek ju banorët e Jemenit, dhe ata janë të parët që sollën (si traditë) shtrëngimin e duarve.”[88]
887 – Bera (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) më ka thënë: “Sa herë që dy muslimanë takohen me njëri – tjetrin dhe ia shtrëngojnë duart njëri – tjetrit, atyre do t’u falen mëkatet para se të ndahen (nga takimi).”[89]
888 – Enesi (r.a) ka thënë: Një burrë tha: O i Dërguar i Allahut! Nëse ndonjëri prej nesh takon vëllanë e tij ose shokun e tij, a duhet të përkulet para tij? Ai tha: “Jo”. Tha: A duhet ta përqafojë dhe ta puthë? Ai tha: “Jo”. Tha: Atëherë a ta marrë për dore dhe ta shtrëngojë? Ai tha: “Po”[90]
889 – Safuan ibn Assali (r.a) ka thënë: Një hebre i tha shokut të tij: “Eja, na ço të shkojmë te ky profet.” Pastaj shkuan te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe e pyetën për nëntë ajetet qarta. Ai përmendi hadithin deri te fjala: Atëherë ata ia puthën dorën dhe këmbën dhe thanë: “Dëshmojmë se ti je Profet.”[91]
890 – Nga Ibn Omeri (r.a) – në një tregim – transmetohet se ka thënë: “U afruam te Profeti (a.s ) dhe ia puthëm dorën.”[92]
891 – Aishja (r.a) ka thënë: Zejd ibn Harithe erdhi në Medinë, ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s) ishte në shtëpinë time. Ai (Zejdi) erdhi dhe trokiti në derë. I Dërguari i Allahut (a.s) u ngrit për tek ai, duke tërhequr rrobën e tij, e përqafoi dhe e puthi.”[93]
892 – Ebu Dherri (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) më ka thënë: “Mos nënçmo prej punëve të mira asgjë, madje mos e nënçmo as buzëqeshjen që i jep vëllait tënd kur e takon.”[94]”
893 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) e puthi Hasanin, birin e Aliut (r.a). Akra‘ ibn Habis tha: “Unë kam dhjetë fëmijë dhe nuk kam puthur asnjërin prej tyre.” Profeti (a.s) tha: “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet.”[95]
Libri i vizitës së të sëmurit, përcjelljes së të vdekurit, faljes së xhenazes, pjesëmarrjes në varrimin e tij dhe qëndrimit te varri i tij pas varrimit.
Kapitulli: Vizita e të sëmurit
894 – Bera ibn Azib ka thënë: Na urdhëroi i Dërguari i Allahut (a.s) që të vizitojmë të sëmurin, të përcjellim xhenazen, t’i themi “jerhamukAllah” atij që teshtin, të përmbushim betimin (kur dikush betohet në diçka të lejuar), të ndihmojmë atë që i është bërë padrejtësi, t’i përgjigjemi ftesës (të atij që na fton) dhe ta përhapim selamin.”[96]
895 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Myslimani ka pesë detyrime ndaj myslimanit: t’ia kthejë selamin, ta vizitojë kur të sëmuret, t’ia përcjellë xhenazen, t’i përgjigjet ftesës dhe të lutet për të kur ai teshtin.”[97]
896 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu (xh.sh) do të thotë në Ditën e Kijametit: “O njeri (o biri i Ademit)! U sëmura dhe nuk më vizitove”. Njeriu do të thotë: O Zot! Si mund të të vizitoj Ty, kur Ti je Zoti i botëve?! Ai do të thotë: “A nuk e more vesh se filani, robi Im, ishte sëmurë dhe ti nuk shkove për ta vizituar?! A nuk e di ti, se nëse do ta vizitoje atë do të më gjeje edhe Mua tek ai”?! O njeri (o biri i Ademit)! Isha i uritur dhe Ti nuk më ushqeve”. Ai (njeriu) do të thotë: “O Zot, po si mund të të ushqej Ty, kur Ti je Zoti i botëve”?! Ai do t’i thotë: “A nuk e more vesh se filani, robi Im, ka qenë i uritur dhe ti nuk e ke ushqyer?! A nuk e di ti se nëse do ta kishe ushqyer atë, do të më gjeje edhe Mua tek ai?! O njeri (o biri i Ademit)! Pata etje dhe ti nuk më dhe ujë për të pirë”. Ai (njeriu) do të thotë: O Zot! Po si mund të të japë për të pirë Ty, ku Ti je Zoti i botëve”?! Ai do të thotë: “Filani, robi Im, të kërkoi ujë dhe ti nuk i dhe. A nuk e di ti se nëse ti do t’i kishe dhënë për të pirë atij, do të më gjeje edhe Mua tek ai?!”[98]
897 – Ebu Musa (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vizitoni të sëmurin, ushqeni të uriturin dhe çlironi të zënë rob!”[99]
898 – Theubani (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet, kur myslimani e viziton vëllain e tij të sëmurë mysliman do të jetë në “Hurfen” e Xhenetit derisa të largohet (nga vizita). Të pranishmit pyetën: “O i Dërguar i Allahut! Çfarë është Hurfe e Xhenetit”? Ai (a.s) tha: “Kopshti ku këputen frutat e Xhenetit.”[100]”
899 – Aliu (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur një mysliman viziton vëllanë e tij të sëmurë në mëngjes, atëherë shtatëdhjetë mijë engjëj do të luten për të deri në mbrëmje. Kur një mysliman viziton vëllanë e tij të sëmurë në mbrëmje, atëherë shtatëdhjetë mijë engjëj do të luten për të deri në mëngjes. Shpërblimi tjetër për vizitorin do të jetë një pemë e vjelur në Xhenet.”[101]
900 – Enesi (r.a) tregon: “Djaloshi i një hebreu shërbente Profetit (a.s). Kur ai u sëmur, Profeti (a.s) i shkoi për vizitë. Ai (a.s) i qëndroi atij tek koka dhe i tha: “Pranoje Islamin”! Djaloshi hodhi sytë nga i ati, i cili po i qëndronte pranë. I ati i tha: “ Dëgjoje Ebu Kasimin”! Djaloshi besoi dhe pranoi Islamin”. Profeti (a.s) doli nga shtëpia e atij duke thënë: “Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, i Cili e shpëtoi atë nga Zjarri.”[102]
[1] – Ebu Daudi (4119) dhe Tirmidhiu (1731). Hadithi është Hasen Sahih.
[2] – Tirmidhiu (2481). Hadithi është Hasen.
[3] – Tirmidhiu (2819). Hadithi është Hasen.
[4] – Buhariu (5834) dhe Muslimi (2069).
[5] – Buhariu (6081) dhe Muslimi (2068).
[6] – Buhariu (5633) dhe Muslimi (2067).
[7] – Ebu Daudi (4057). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.
[8] – Tirmidhiu (1720). Hadithi është Sahih, për shkak të dëshmive përforcuese.
[9] – Buhariu (5837).
[10] – Buhariu (2919) dhe Muslimi (2076).
[11] – Ebu Daudi (4129) dhe Ibn Maxheh (3656). Hadithi është Sahih.
[12] – Ebu Daudi (4132) dhe Tirmidhiu (1770). Hadithi është Sahih.
[13] – Ebu Daudi (4020) dhe Tirmidhiu (1767). Hadithi është Hasen.
[14] – Buhariu (6315).
[15] – Buhariu (6315) dhe Muslimi (2710).
[16] – Buhariu (6310) dhe Muslimi (736).
[17] – Buhariu (6314).
[18] – Ebu Daudi (5040). Hadithi është Sahih Li Gajrihi.
[19] – Ebu Daudi (5059). Hadithi është Sahih.
[20] – Buhariu (475) dhe Muslimi (2100).
[21] – Ebu Daudi (4850). Hadithi është Hasen.
[22] – Buhariu (6272).
[23] – Ebu Daudi (4847) dhe Tirmidhiu (2814). Hadithi është Hasen.
[24] – Ebu Daudi (4848). Hadithi është Sahih.
[25] – Buhariu (6270) me pak ndryshim dhe Muslimi (2177).
[26] – Muslimi (2179).
[27] – Tirmidhiu (2725). Hadithi është Hasen.
[28] – Buhariu (883).
[29] – Ebu Daudi (4845) dhe Tirmidhiu (2752). Hadithi është Hasen.
[30] – Ebu Daudi (4826) dhe Tirmidhiu (2753). Hadithi është Daif.
[31] – Ebu Daudi (4820). Hadithi është Sahih.
[32] – Tirmidhiu (3433). Hadithi është Sahih.
[33] – Ebu Daudi (4759) dhe Hakimi (1/537) prej Aishes (r.a). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.
[34] – Tirmidhiu (3502). Hadithi është Hasen Li Gajrihi.
[35] – Ebu Daudi (4855). Hadithi është Sahih.
[36] – Tirmidhiu (3440). Hadithi është Hasen.
[37] – Ebu Daudi (5059). Hadithi është Sahih.
[38] – Buhariu (6990).
[39] – Buhariu (7017) dhe Muslimi (2263).
[40] – Buhariu (6993) dhe Muslimi (2266) me tekstin në fjalë.
[41] – Buhariu (6985) dhe Muslimi (2261). Vetëm se hadithi i imam Muslimit është transmetuar nga Ebu Katade dhe jo nga Ebu Seid Hudri.
[42] – Buhariu (2292) dhe Muslimi (2261).
[43] – Muslimi (2262).
[44] – Buhariu (3509).
[45] – Buhariu (12) dhe Muslimi (29).
[46] – Buhariu (6227) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2841).
[47] – Buhariu (6235) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2066).
[48] – Muslimi (54).
[49] – Tirmidhiu (2485). Hadithi është Hasen Sahih.
[50] – Maliku (1757) në “Mueta”. Hadithi është Sahih.
[51] – Ebu Daudi (5195) dhe Tirmidhiu (2689). Hadithi është Sahih.
[52] – Buhariu (6201) dhe Muslimi (2447).
[53] – Buhariu (6244).
[54] – Muslimi (2055).
[55] – Tirmidhiu (2697). Hadithi është Sahih.
[56] – Ebu Daudi (5209) dhe Tirmidhiu (2722). Hadithi është Hasen Sahih.
[57] – Buhariu (6233) dhe Muslimi (2160).
[58] – Ebu Daudi (5197). Hadithi është Sahih.
[59] – Tirmidhiu (2697). Hadithi është Sahih.
[60] – Buhariu (757) dhe Muslimi (397). Ky hadith është transmetuar me version të shkurtuar.
[61] – Ebu Daudi (5200). Hadithi është Sahih.
[62] – Tirmidhiu (2698). Hadithi është Hasen Sahih.
[63] – Buhariu (6247) dhe Muslimi (2168).
[64] – Buhariu (2349).
[65] – Muslimi (82).
[66] – Ebu Daudi (5204). Hadithi është Sahih.
[67] – Tirmidhiu (2697). Hadithi është Sahih.
[68] – Muslimi (2167).
[69] – Buhariu (6258) dhe Muslimi (2163).
[70] – Buhariu (5663) dhe Muslimi (1798).
[71] – Ebu Daudi (5208) dhe Tirmidhiu (2706). Hadithi është Hasen.
[72] – Buhariu (2062) dhe Muslimi (2153).
[73] – Buhariu (6241) dhe Muslimi (2156).
[74] – Ebu Daudi (5177). Hadithi është Sahih.
[75] – Ebu Daudi (5176) dhe Tirmidhiu (2710). Hadithi është Hasen.
[76] – Buhariu (3887) dhe Muslimi (164).
[77] – Buhariu (6443) dhe Muslimi (94).
[78] – Buhariu (357) dhe Muslimi (336).
[79] – Buhariu (6250) dhe Muslimi (2155).
[80] – Buhariu (6223).
[81] – Buhariu (6224).
[82] – Muslimi (2992).
[83] – Buhariu (6225) dhe Muslimi (2991).
[84] – Ebu Daudi (5029) dhe Tirmidhiu (2745). Hadithi është Sahih.
[85] – Ebu Daudi (5038) dhe Tirmidhiu (2739). Hadithi është Sahih.
[86] – Muslimi (2995).
[87] – Buhariu (6223).
[88] – Ebu Daudi (5213). Hadithi është Sahih.
[89] – Ebu Daudi (5212). Hadithi është Sahih.
[90] – Tirmidhiu (2728). Hadithi është Hasen.
[91] – Tirmidhiu (2733), Nesai (4078) dhe Ahmedi (18092). Hadithi është Sahih.
[92] – Ebu Daudi (5223) dhe Ibn Maxheh (3704). Hadithi është Daif.
[93] – Tirmidhiu (2732). Hadithi është Hasen.
[94] – Muslimi (2626).
[95] – Buhariu (5997) dhe Muslimi (2318).
[96] – Buhariu (5635) dhe Muslimi (2066) me pak ndryshim.
[97] – Buhariu (1240) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2162).
[98] – Muslimi (2569).
[99] – Buhariu (3046).
[100] – Muslimi (2568).
[101] – Ebu Daudi (3098). Hadithi është Sahih.
[102] – Buhariu (1356).
