Ballina Artikuj Ringjallja e tematikave të vdekura në mesin e të gjallëve

Ringjallja e tematikave të vdekura në mesin e të gjallëve

Hoxhë Vladimir Kera

Kur lexova Imam Gazaliun në veprën e tij të vyer Ihja Ulum ad-Din (Ringjallja e dijeve fetare), më tërhoqi veçanërisht ideja se feja duhet të mësohet aq sa të sjellë dobi në jetën e përditshme. Sipas tij, njeriu duhet të njohë nga feja ato gjëra që ka ndërmend t’i zbatojë, sepse vetëm në këtë mënyrë dija merr kuptim dhe shndërrohet në vepër. Sa më shumë të aktivizohet besimtari, sa më shumë të zgjerohet rrethi i ndikimit të tij, aq më shumë do të lartësohet në punë, në jetë, në zhvillim dhe, mbi të gjitha, në dijen dhe jetën shpirtërore.

Imam Gazaliu thekson se edhe diskutimet fetare duhet të rrotullohen rreth nevojave konkrete të besimtarit, në mënyrë që përmes punës dhe angazhimeve të përditshme ai të orientohet drejt rrugës që ka urdhëruar Zoti. Jo pak dijetarë pas tij e kanë përqafuar këtë qasje, duke pohuar se pyetjet jashtë lidhjes me një çështje praktike “janë të papëlqyeshme të bëhen”, e aq më pak të meritojnë përgjigje.

Megjithatë, sot vërehet një fenomen i kundërt: qasje të cilat, me vrullin e një tufani, kthehen rreth temave që edhe po t’u gjenim përfundimin nuk do të na çonin askund. Tema të tilla, edhe nëse sqarohet çdo detaj i tyre, lënë pas një boshllëk të plotë; edhe po të “ngjallen” nga pluhuri i shekujve, nuk bëjnë gjë tjetër veçse vdesin mendërisht ata që merren me to.

Në realitet, shpërqendrimi i besimtarëve në rrjetet sociale me çështje që nuk i sjellin dobi as në dynja e as në ahiret është një tallje me amanetin e Zotit dhe me përgjegjësinë ndaj njerëzve. Hiperbolizimi i temave të vdekura, të ngujuara në sirtarët akademikë ndër shekuj, nuk ka tjetër efekt veçse të paralizojë shqetësimet e gjalla që besimtari duhet të mbartë në jetën e tij.

Kështu prodhohen turma të mëdha që, ndonëse të shumta në numër, nuk sjellin as dëm e as dobi – si shkumë mbi ujë. Kjo mendësi nuk arrin të kuptojë se njerëzit duan të jetojnë, të zhvillohen, të shkollohen, të punojnë; dhe nëse fetarët nuk ofrojnë një alternativë të shëndoshë për aspiratat njerëzore, njerëzit do ta kërkojnë atë diku tjetër – larg fesë, larg besimit dhe larg Zotit.

A ka padrejtësi më të madhe që mund t’i bëhet fesë se sa kjo qasje? A ka përfaqësim më të ulët të madhështisë së frymës së besimit sesa kthimi i tij në debate të vdekura?

Prandaj, fatkeqësisht, fetarët sot nuk janë alternativë për të gjallët, sepse merren me tema të vdekura.

Hoxhë Vladimir Kera

Exit mobile version