Ballina Lajmet Kosovë Sekuestrohen mallra në vlerë mbi 33 mijë euro në Vërmicë, ndalohet një...

Sekuestrohen mallra në vlerë mbi 33 mijë euro në Vërmicë, ndalohet një i dyshuar

Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Vërmicë ka sekuestruar mallra në vlerë prej 33 mijë e 810 euro, si dhe ka ndaluar një person të dyshuar për shmangie doganore.

Sipas njoftimit, mallrat ishin të ndara në 233 pako, ndërsa shmangia doganore kap vlerën prej 10 mijë e 75 euro.

Ngjarja ka ndodhur pasi ngasësi i një automjeti nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe është larguar nga pika e kontrollit. Zyrtarët doganorë i janë vënë në ndjekje automjetit dhe kanë arritur ta ndalojnë në autostradë. Më pas, automjeti është kthyer nën përcjellje zyrtare në pikëkalimin kufitar në Vërmicë për kontroll të detajuar.

“Gjatë kontrollit është konstatuar se automjeti transportonte dërgesa postare të destinuara për blerës në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Malli përfshinte artikuj të ndryshëm tekstili, këpucë, produkte kozmetike, aksesorë, produkte ushqimore dhe mallra të tjera konsumi”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Me urdhër të prokurorit kompetent është iniciuar rast për vepër penale. I gjithë malli është sekuestruar dhe evidentuar sipas procedurave ligjore, ndërsa automjeti është konfiskuar përkohësisht dhe dërguar në hapësirat zyrtare të Doganës.

Po ashtu, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Exit mobile version