Ballina Artikuj Si t’i gjallërosh dhjetë netët e fundit të Ramazanit?

Si t’i gjallërosh dhjetë netët e fundit të Ramazanit?

Netët e dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit konsiderohen ndër mirësitë dhe begatitë e Allahut të Madhëruar për umetin musliman. Ato përbëjnë një furnizim të veçantë shpirtëror, të cilin shumica e muslimanëve e vlerësojnë dhe e festojnë me adhurim. Para asaj krize që po përjeton bota, shpirtrat e shumë muslimanëve mallëngjehen për shtëpitë e Allahut, duke shpallur largimin nga dynjaja dhe stolitë e saj; duke lënë bashkëshortet, fëmijët dhe punët, për t’u veçuar me Allahun e Madhëruar, duke bërë itikaf në shtëpinë e Allahut dhe duke iu përkushtuar vetëm adhurimit të Tij. Por shumica e muslimanëve nuk bëjnë itikaf në xhami. Jeta – madje edhe para krizës – ka ndryshuar me angazhimet, detyrimet dhe përgjegjësitë e saj. Prandaj shumica e muslimanëve mjaftohen me faljen e namazit të teravive me xhemat pas namazit të jacisë, pastaj mblidhen pas mesnatës për të falur namazin e tehexhudit.

Veprat e dhjetë ditëve të fundit

Dhjetë ditët e fundit të Ramazanit janë fundi i një periudhe stërvitjeje në këto kuptime të besimit dhe në adhurimet e zemrës dhe të trupit. Prandaj muslimani duhet të përfitojë nga këto dhjetë ditë të fundit sa më shumë që të jetë e mundur, duke shtuar besimin dhe duke bërë vepra të mira dhe bindje ndaj Allahut.

E para nga këto vepra është:

Shtimi i namazit

Muslimani duhet të falë rregullisht namazet farz: namazin e sabahut, të drekës, të ikindisë, të akshamit dhe të jacisë. Ai duhet të kujdeset të përgatitet për namaz para hyrjes së kohës së tij, të përsërisë ezanin me muezinin, pastaj të falë sunetin e rregullt para farzit, dhe më pas të merret me dua midis ezanit dhe ikametit, sepse kjo është një kohë kur duaja pranohet, siç ka ardhur në hadithin profetik: “Duaja ndërmjet ezanit dhe ikametit është e pranuar.”

Pastaj, kur të thirret ikameti për namaz, ai e përsërit atë dhe është e pëlqyer që ikametin ta thërrasë ndonjë fëmi, sepse duke vepruar kështu ne kultivojme të ta dashurinë për namazin. Këto namaze duhet me i falë me xhemat. Nëse pas tij ka një sunet të rregullt pas farzit, muslimani duhet të kujdeset për të dhe të nxisë edhe familjen e tij ta falë atë.

Muslimani duhet të përpiqet të ndërtojë për vete dhjetë shtëpi në xhenet gjatë këtyre dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, duke falur rregullisht sunetet e parme dhe të mbrapme të namazit farz, veçanërisht ato të forta. Është transmetuar nga Ummu Habibe (r.a) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush fal në një ditë dhe një natë dymbëdhjetë rekate, atij i ndërtohet një shtëpi në xhenet.” Në një transmetim tjetër nga Aishja (r.a) përmenden edhe: “dy rekate para namazit të sabahut.”[1]

Këto sunete janë:

Dy rekate para namazit të sabahut, të cilat njihen si dy rekate të sabahut. Për to ka ardhur hadithi i Profetit (a.s): “Dy rekatet e sabahut janë më të mira se dynjaja dhe çdo gjë që gjendet në të.”[2] Këto dy rekate janë sunet i fortë.

Dy ose katër rekate para namazit të drekës, dhe dy ose katër rekate pas namazit të drekës; këto janë nga sunetet e forta

Dy ose katër rekate para namazit të ikindisë; ky është një sunet jo i fortë

Dy rekate para namazit të akshamit; ky është sunet jo i fortë, ndërsa dy rekate pas akshamit janë sunet i fortë

Dy rekate para namazit të jacisë; ky është sunet jo i fortë, ndërsa dy rekate pas jacisë janë sunet i fortë.

Muslimani duhet të shtojë shumë duanë në sexhde në çdo namaz, sepse ajo është një nga gjendjet në të cilat pranohet duaja; për shkak të fjalës së Profetit (a.s): “Njeriu është më afër Zotit të tij kur është në sexhde.”

Namazi i teravive

Po ashtu është e pëlqyer që në netët e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit të shtohet përpjekja në namazin e teravive. Muslimani duhet të përpiqet në këto dhjetë ditë më shumë se në të tjerat. Le ta zgjasë leximin, rukun dhe sexhden në të. Minimumi i leximit të tij në këtë namaz le të jetë një xhuz nga Kurani, dhe nëse mund të shtojë më shumë, le ta bëjë, sepse adhurimi më i mirë në netët e këtyre dhjetë ditëve të fundit është namazi dhe qëndrimi i gjatë para Allahut të Madhëruar.

Namazi i tehexhudit

Pastaj le t’i ndajë edhe tehexhudit një pjesë të natës së tij dhe të shtojë në të dyfishin e namazit që fal në teravi. Nëse në namazin e teravive lexon një xhuz nga Kurani, në tehexhud le të lexojë dy xhuze, në mënyrë që ta përfundojë të gjithë Kuranin gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit.

Ka qenë nga udhëzimi i sahabëve (r.a) që ata nuk bënin ndarje mes namazit të teravive dhe tehexhudit, por të gjitha i konsideronin namaz nate. Ata e falnin atë nga pas namazit të jacisë deri pak para agimit, madje ndonjëherë nxitonin për të ngrënë syfyrin.

Kjo është vërtetuar edhe në sunetin e Profetit (a.s). Transmetohet nga Ebu Dherri se ka thënë: “Ne agjëruam Ramazanin me të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe ai nuk na udhëhoqi në namaz nate gjatë muajit derisa mbetën edhe shtatë ditë. Atëherë ai u fal me ne derisa kaloi një e treta e natës. Kur mbetën gjashtë ditë, nuk u fal me ne. Kur mbetën pesë ditë, u fal me ne derisa kaloi gjysma e natës. Unë thashë: O i Dërguari i Allahut, sikur të na shtoje edhe këtë natë me namaz.Ai tha: Njeriu kur falet me imamin derisa ai të largohet, i llogaritet sikur të jetë falur gjithë natën. Pastaj kur mbetën katër ditë nuk u fal me ne. Kur mbetën tri ditë, ai mblodhi familjen, gratë dhe njerëzit dhe u fal me ne derisa u frikësuam se do të na ikte felahu.” Thashë: “Çfarë është felahu?Ai tha: “Syfyri.” Pastaj nuk u fal me ne pjesën e mbetur të muajit.”[3]

Përpjekja e madhe në dua (lutje)

Një nga veprat më të rëndësishme me të cilat muslimani i gjallëron netët e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit është shtimi i duasë drejtuar Allahut të Madhëruar. Muslimani duhet të përpiqet shumë në dua gjatë këtyre ditëve dhe netëve të bekuara, sepse është më e mundshme që ajo të pranohet. Është transmetuar nga Nu‘man ibn Beshir (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Duaja është adhurim.” Pastaj lexoi ajetin: “Dhe Zoti juaj tha: Më lutuni Mua që t’ju përgjigjem. Me të vërtetë ata që tregojnë mendjemadhësi ndaj adhurimit Tim do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar.[4]”[5]

Muslimani duhet të kërkojë kohët e veçanta që janë më afër pranimit të duasë. Ndër to janë:

Duaja ndërmjet ezanit dhe ikametit. Profeti (a.s) ka thënë: “Duaja ndërmjet ezanit dhe ikametit nuk refuzohet.”[6]

Duaja pas dhikreve të namazit farz. Imam Ibn Kajjimi (r. h) ka përmendur se ajo që nuk pëlqehet është që duaja të bëhet menjëherë pas përfundimit të namazit. Por nëse bëhet pas dhikreve të namazit, pas lavdërimit të Allahut dhe dërgimit të salavateve mbi Profetin (a.s), atëherë ajo është e pëlqyer. Është e pëlqyer të bëhet dua pas çdo lavdërimi ndaj Allahut dhe pas çdo salavati mbi Profetin (a.s)

Duaja e kunutit. Enesi (r.a) tregon se “Profeti (a.s) bëri kunut për një muaj pas rukusë, duke u lutur kundër disa fiseve arabe.”[7] Transmetohet nga Hasani, djali i Ali ibn Ebi Talibit (r.a.), i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) më mësoi disa fjalë që t’i them në vitër: O Allah, më udhëzo mes atyre që i ke udhëzuar, më jep shëndet mes atyre që i ke dhënë shëndet, më merr në mbrojtje mes atyre që i ke marrë në mbrojtje, më beko në atë që më ke dhënë, dhe më ruaj nga e keqja e asaj që ke caktuar. Vërtet Ti gjykon dhe askush nuk gjykon mbi Ty. Nuk poshtërohet ai që Ti e mbron. I bekuar je Ti, o Zoti ynë, dhe i Lartësuar.”[8]

Duaja në kohën e syfyrit. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Zoti ynë zbret çdo natë në qiellin e dynjasë kur mbetet një e treta e fundit e natës, thotë: Kush më lutet Mua që t’i përgjigjem? Kush më kërkon që t’i jap? Kush më kërkon falje që ta fal?”[9]

Duaja në momentin e iftarit. Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit shumëfishohet: një e mirë nga dhjetë deri në shtatëqind herë. Allahu i Madhëruar thotë: Përveç agjërimit; ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Ai e lë dëshirën dhe ushqimin e tij për hirin Tim. Për agjëruesin ka dy gëzime: një gëzim kur bën iftar dhe një gëzim kur të takojë Zotin e tij. Dhe aroma e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se aroma e miskut.”

Leximi i Kuranit

Muslimani duhet të përpiqet në këto dhjetë ditë në marrëdhënien e tij me Kuranin Fisnik, duke përdorur një larmi adhurimesh që lidhen me Kuranin, si: leximin, dëgjimin, meditimin, si dhe duke e zgjatur namazin me lexim të Kuranit.

Profeti (a.s) vazhdonte të lexonte Kuran gjatë netëve të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. “I Dërguari i Allahut (a.s) na mësonte Kuran në çdo gjendje, përveç kur ishte në gjendje xhunubllëku.”[10]

Kjo sepse Kurani në netët e dhjetë ditëve të fundit e forcon shpirtin, është burim i dijes dhe mbrojtje nga sprovat . Është transmetuar nga Harith ibn Abdullah el-Hemedani, i cili ka thënë: “Kalova në xhami dhe pashë njerëzit të merreshin me biseda të ndryshme. Hyra te Aliu dhe ia tregova. Ai tha: A e kanë bërë këtë? Thashë: Po. Ai tha: Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: Do të ketë fitne (sprova). Unë thashë: Cila është rrugëdalja prej saj, o i Dërguari i Allahut? Ai tha: Libri i Allahut. Në të gjendet lajmi i atyre që kanë qenë para jush, lajmi i atyre që do të vijnë pas jush dhe gjykimi për çështjet mes jush. Ai është fjala vendimtare dhe jo shaka. Kush e lë atë nga mendjemadhësia, Allahu e shkatërron; kush kërkon udhëzim diku tjetër përveç tij, Allahu e humb. Ai është litari i fortë i Allahut, përkujtimi i urtë dhe rruga e drejtë. Me të nuk devijojnë dëshirat, nuk ngatërrohen gjuhët, dijetarët nuk ngopen prej tij, nuk vjetrohet nga përsëritja e shumtë dhe mrekullitë e tij nuk mbarojnë. Kur xhindët e dëgjuan atë, nuk pushuan derisa thanë: ‘Ne kemi dëgjuar një Kur’an të mrekullueshëm, i cili udhëzon drejt rrugës së drejtë, prandaj ne besuam në të.’[11]. Kush flet sipas tij thotë të vërtetën, kush vepron sipas tij shpërblehet, kush gjykon me të është i drejtë dhe kush thërret në të është udhëzuar në rrugën e drejtë.” Pastaj ai tha: “Merre këtë, o Aver.”[12]

Prandaj muslimani duhet të shtojë sa më shumë leximin e Kuranit në netët e dhjetë ditëve të fundit, sipas mundësisë së tij, veçanërisht gjatë këtyre ditëve të bekuara, duke u përpjekur dhe duke marrë nga burimi i pashtershëm i Librit të Allahut të Madhëruar.

Sadakaja

Një nga veprat e mira me të cilat robi i afrohet Zotit të tij, sidomos në ditët dhe netët e dhjetë ditëve të fundit, është shtimi i sadakasë. Allahu i Madhëruar i ka përshkruar besimtarët duke thënë: “Dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë, ata japin (në rrugën e Allahut).”[13] Po ashtu ka thënë: “Ata që japin pasurinë e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, e kanë shpërblimin e tyre te Zoti i tyre; për ta nuk ka frikë dhe nuk do të pikëllohen.”[14]

Transmetohet nga Harithe ibn Vehb (r.a) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Jepni sadaka, sepse do të vijë një kohë kur njeriu do të ecë me sadakanë e tij dhe ai që do t’ia japë do të thotë: Sikur të ma kishe sjellë dje do ta kisha pranuar; por tani nuk kam nevojë për të. Dhe ai nuk do të gjejë askënd që ta pranojë prej tij.”[15]

Dhikri (përmendja e Allahut)

Muslimani duhet të shtojë përmendjen e Allahut, veçanërisht në netë si netët e dhjetë ditëve të fundit, dhe të marrë nga dhikri sa të mundet. Dhikri ishte një porosi e Profetit (a.s) për sahabët dhe për umetin. Është transmetuar nga Abdullah ibn Busr (r.a) se një njeri tha: “O i Dërguari i Allahut, dyert e mirësisë janë të shumta dhe unë nuk mund t’i bëj të gjitha. Më trego diçka pas së cilës të kapem fort dhe mos ma shto shumë që të mos harroj. Profeti (a.s) tha: “Le të jetë gjithmonë gjuha jote e njomë me përmendjen e Allahut.”[16]

Kërkimi i Natës së Kadrit

Ndër veprat më të mëdha në netët e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit është kërkimi i Natës së Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj.

“Të Dërguarit të Allahut (a.s) iu treguan jetët e njerëzve para tij, dhe sikur iu duk se jeta e umetit të tij ishte më e shkurtër dhe nuk do të arrinin veprat që kishin arritur të tjerët për shkak të jetës së gjatë. Atëherë Allahu i dha Natën e Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj.”[17]

Profeti (a.s) nxiste që në këtë natë të kërkohej falja. Aishja (r.a) ka thënë: “Thashë: O i Dërguari i Allahut, nëse e arrij Natën e Kadrit, çfarë të them?” Ai tha: “Thuaj: O Allah, Ti je Falës dhe Bujar, e do faljen, prandaj më fal.”[18]

Sa i përket përcaktimit të saj në natën e njëzet e shtatë, siç është përhapur te njerëzit sot, në Sahihun e Muslimit transmetohet nga Ubej ibn Ka‘b se ka thënë: “Pasha Allahun, unë e di atë natë; është nata në të cilën i Dërguari i Allahut (a.s) na urdhëroi të falemi në natën e njëzet e shtatë.”

Megjithatë transmetimet ndryshojnë dhe më e sakta është që ajo të kërkohet në të gjitha netët e dhjetë ditëve të fundit.

Adhurimet shoqërore

Gjallërimi i këtyre netëve dhe ditëve nuk kufizohet vetëm në adhurimet individuale, por përfshin edhe adhurimet shoqërore. Dihet se dobia që u sjell të tjerëve është më e madhe në shpërblim tek Allahu sesa ajo që kufizohet vetëm tek vetja.

Ushqimi i agjëruesve në iftar

Muslimani duhet t’i gjallërojë këto ditë duke treguar mëshirë ndaj të varfërve dhe nevojtarëve dhe duke ushqyer agjëruesit në iftar. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush i jep iftar një agjëruesi, ka shpërblim si ai, pa iu pakësuar aspak shpërblimi agjëruesit.”[19]

Mbajtja e lidhjeve farefisnore

Muslimani duhet të mbajë lidhjet farefisnore në këto ditë të bekuara, qoftë edhe me telefon apo përmes mjeteve të komunikimit. Profeti (a.s) ka thënë: Allahu i Madhëruar ka thënë: “Unë jam Allahu dhe jam Er-Rrahman. Unë e krijova farefisninë dhe i dhashë asaj një emër nga emrat e Mi. Kush e mban atë, Unë e mbaj; dhe kush e këput, Unë e këpus.”[20]

Shërbimi ndaj muslimanëve

Nga adhurimet shoqërore është edhe ndihma dhe shërbimi ndaj vëllezërve muslimanë, duke u dhënë atyre ndihmë dhe mbështetje. Shpërblimi i kësaj është edhe më i madh në këto ditë për dy arsye:

1 – Sepse ndodh në muajin e Ramazanit, kur veprat shumëfishohen.

2 – Për shkak të vështirësive dhe sprovave që kanë goditur njerëzit.

Profeti (a.s) ka thënë: “Kush ia largon një besimtari një vështirësi nga vështirësitë e kësaj bote, Allahu do t’ia largojë një vështirësi nga vështirësitë e Ditës së Kiametit. Kush ia lehtëson një njeriu që është në vështirësi, Allahu do t’ia lehtësojë në këtë botë dhe në botën tjetër. Kush e mbulon një musliman, Allahu do ta mbulojë në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu është në ndihmën e robit përderisa robi është në ndihmën e vëllait të tij.”

Komunikimi shoqëror

Nga adhurimet shoqërore që lidhen me kohën është edhe komunikimi mes muslimanëve, duke pyetur për gjendjen e njëri-tjetrit dhe duke bërë dua për ta në kohën e iftarit. Njerëzit sot nuk mund të bëjnë pa këto mjete moderne komunikimi, prandaj le të përdoren për atë që sjell dobí dhe bindje ndaj Allahut.

Përfundim

Muslimani nuk duhet ta nënvlerësojë asnjë vepër të mirë që bën në këto ditë të bekuara dhe nuk duhet të mendojë se vetëm veprat e tij e bëjnë të fitojë faljen. Në të vërtetë, ajo është mirësia dhe mëshira e Allahut.

Prandaj le të jenë veprat e mira një mjet për të kërkuar faljen e Allahut, dhe muslimani duhet të jetë i bindur se falja, në fillim dhe në fund, është vetëm nga Allahu, Falësi dhe Mëshiruesi.

Autor: Mes’ud Sabri

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Tirmidhiu dhe Nesaiu.

[2] – Muslimi.

[3] – Ebu Daudi, Darimiu…etj.

[4] – Sure Gafir: 60.

[5] – Tirmidhiu.

[6] – Ebu Daudi, Tirmidhu … etj.

[7] – Buhariu dhe Muslimi.

[8] – Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.

[9] – Buhariu dhe Muslimi.

[10] – Tirmidhiu.

[11] – Sure Xhin: 1-2.

[12] – Tirmidhiu.

[13] – Sure Bekare: 3.

[14] – Sure Bekare: 274.

[15] – Buhariu dhe Muslimi.

[16] – Tirmidhiu.

[17] – Muvvata.

[18] – Tirmidhiu.

[19] – Tirmidhiu.

[20] – Tirmidhiu dhe Ebu Daudi.

Exit mobile version