Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Siria dënon sulmet izraelite dhe i bën thirrje OKB-së të mbrojë të...

Siria dënon sulmet izraelite dhe i bën thirrje OKB-së të mbrojë të drejtën ndërkombëtare

Ministria e Jashtme e Sirisë ka dënuar ashpër sulmet ajrore izraelite, duke i quajtur “shkelje të hapur” të sovranitetit të vendit dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin X, Damasku tha se “agresioni i pabesë izraelit” kishte në shënjestër pozicione të ushtrisë siriane në territorin kombëtar. Sipas qeverisë siriane, Izraeli po përpiqet të destabilizojë vendin në një kohë kur Siria po përpiqet të rikthejë sigurinë dhe të dalë nga pasojat e luftës.

Sulmet ndodhën pas ditësh përplasjesh mes grupeve druzi dhe fiseve beduine në qytetin jugor të Suwayda-s.

Ministria akuzoi Izraelin për “koordinim të qëllimshëm” të sulmit për të minuar stabilitetin kombëtar dhe unitetin sirian.

Siria tha se e mban Izraelin “plotësisht përgjegjës” për agresionin dhe pasojat e tij, dhe u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe bashkësisë ndërkombëtare ta dënojnë këtë që e quajti “akt kriminal”.

Në fund, Siria ritheksoi të drejtën e saj për të mbrojtur “tokën dhe popullin e vet me të gjitha mjetet që lejon e drejta ndërkombëtare”. /mesazhi

Exit mobile version