Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ka paralajmëruar për një përkeqësim të rëndë të situatës humanitare në qytetin jugor sirian Suwayda, për shkak të dhunës së vazhdueshme.
Sipas një deklarate të kreut të delegacionit të ICRC në Siri, Stephan Sakalian, qytetarët po përballen me mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër, energjisë elektrike dhe kujdesit shëndetësor. “Njerëzit po mbesin pa asgjë. Spitalet mezi po arrijnë të trajtojnë të plagosurit dhe të sëmurët, ndërsa familjet nuk kanë mundësi t’i varrosin të afërmit e tyre me dinjitet,” tha ai.
Kryqi i Kuq bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe lejimin e menjëhershëm e të sigurt të ndihmave humanitare. “Çdo orë e humbur do të thotë më shumë vuajtje për familjet dhe pacientët që presin ndihmën jetike. Ata nuk mund të presin më. Çdo minutë ka rëndësi,” theksoi Sakalian. /mesazhi
